Kulturë

Komuna e Prishtinës synon që me 11 milionë euro të vetat ta ndërtojë sallën koncertale

Brenda këtij muaji ose muajit të ardhshëm Komuna e Prishtinës është zotuar ta hapë thirrjen për kompanitë që mund ta ndërtojnë sallën koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”. E projektin fitues synon që ta rrumbullakojë me 11 milionë euro nga buxheti vetjak. “Një milion sivjet dhe nga 5 në dy vjetët e ardhshëm”, ka thënë për KOHËN kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Por llogaria që ka bërë Komuna shihet me dyshim nga njëri prej arkitektëve që e kanë punuar projektin ideor që fitoi vendin e parë në konkursin ndërkombëtar

Komuna e Prishtinës synon që thirrja për kompanitë që duan ta bëjnë ndërtimin e sallës koncertale të hapet brenda muajit korrik. Institucioni lokal që ia ka mësyrë ta bëjë qendrën e Prishtinës me sallë koncertale planifikon që punën ta kryejë me buxhet të vetin. Sipas llogarive të qeverisë lokale, me 11 milionë euro do të rrumbullakohet salla që do të zërë vend në hapësirën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”.

Por llogaria që ka bërë Komuna shihet me dyshim nga njëri prej arkitektëve që e kanë punuar projektin ideor që është vlerësuar me vend të parë në konkursin ndërkombëtar.

Në prill të këtij viti Komuna e Prishtinës kishte bërë publik vlerësimin e jurisë në përbërje të vendorëve dhe ndërkombëtarëve sa u përket tri projekteve ideore për sallën koncertale.

Komuna synon që ta realizojë projektin që ka marrë më së shumti pikë – “One Roof – Germia for Concert Hall” – i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me arkitektin kosovar Bekim Ramku dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik. Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar është 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimi financiar prej 20 mijë eurosh. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi. Shpërblimi i projekti të vendit të parë peshon 50 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se prokurimi do të jetë “design and build” (dizajno dhe ndërto).

“Projekti detaj është pjesë e ofertës së kompanisë që duan ta bëjnë edhe ndërtimin”, ka thënë ai. Sa i përket kohës se kur do të hapet thirrja, ai ka përmendur dy muaj. “Qershor/korrik”, ka thënë Ahmeti nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.

Sipas arkitektëve që e kanë bërë projektin, të cilin Komuna synon ta çojë përpara, realizimi do të kushtojë 11.6 milionë euro.

Për sivjet Komuna, sipas Ligjit për buxhetin, ka ndarë 900 mijë euro. Prej tyre 100 mijë do t’i shpenzojë vetëm në shpërblime për tri projektet ideore. Qeveria lokale është e vendosur që të mbulojë vetë shpenzimet.

“Një milion sivjet dhe nga 5 në dy vjetët e ardhshëm”, ka thënë kryetari Shpend Ahmeti.

Image
Sipas arkitektëve që e kanë hartuar projektin të cilin Komuna synon ta çojë përpara, realizimi do të kushtojë 11.6 milionë euro

Por mënyra se si Komuna do t’u qaset hapave të mëtutjeshëm të realizimit të projektit më të madh kapital në kulturë nuk i duket se është e drejtë njërit nga arkitektët që kanë hartuar projektin që ka dalë i pari në konkurs.

Arkitekti Bekim Ramku ka thënë se janë ende në pritje për t’u kontaktuar nga Komuna.

“Siç e dini edhe ju, pas shpalljes së rezultateve zyrtarët e Komunës deklaruan se janë të interesuar për ta implementuar projektin fitues dhe se do të negociojnë përpilimin e projektit kryesor me studion fituese”, ka thënë ai.

Sipas tij, praktikat e “dizajno dhe ndërto” nuk janë më të mirat.

“Praktika si këto nuk janë të mirëseardhura për arkitektët, kryesisht për faktin se kur arkitekti nuk e zbaton projektin ose vizionin e vet, lë shumë vend për keqpërdorime. Në shumicën e rasteve këto projekte përfundojnë me çmime të fryra dhe kualitet shumë të ulët të punimit. Komuna duhet ta bëjë thirrjen për ‘design & build’ me kusht që studioja fituese të konsultohet për projektin kryesor”, ka thënë ai.

Por Komuna duhet të bëjë edhe disa hapa proceduralë paralelisht me prokurimin.

Prej tetorit të vitit 2018 ndërtesa është nën mbrojtje të shtetit, pasi ka marrë statusin e monumentit, duke u përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Për këtë arsye Komuna do ta dërgojë projektin fitues në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në mënyrë që Komisioni të vlerësojë nëse ky projekt ideor mund të zbatohet në monument.

“Ndërtesa në fjalë është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore, për çdo ndërhyrje në asetet e trashëgimisë, palët duhet të pajisen me leje. Në këtë rast kërkesa për leje i drejtohet IKMM-së, nëpërmjet QRTK-së së Prishtinës”, ka thënë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Bashkautori i projektit fitues, Bekim Ramku, në prill kishte sqaruar se ata i janë përmbajtur plotësisht detyrës projektuese që e ka përcaktuar Komuna. Projekti më i vlerësuar ka për synim ruajtjen e “fasadës ikonike” dhe shton pjesë të reja rekreative pranë ndërtesës aktuale, përfshirë një galeri.

“Jemi munduar që pamja fizike e të gjitha fasadave të ruhet sa më shumë. Është shtuar edhe galeria që ka qenë pjesë e programit të dosjes tenderuese”, kishte thënë Ramku. Ai kishte shtuar se fasada e jashtme e objektit kryesor do të ruhet ashtu siç është.

“Pos modifikimit të brendshëm, të tjerat mbesin siç janë. E në objektin C, ku do të jetë jazz-salla, nuk mund të ruhet fasada e jashtme”, kishte thënë ai.

Projekti që ka zënë vendin e dytë parasheh shndërrimin e ndërtesës së ish-“Gërmisë” me “ruajtjen e fasadës origjinale”, hyrje të reja, hapësira rekreative, hapësira ndërveprimi publike, si dhe auditoriumin kryesor me 800 ulëse. Sipas projeksioneve në video, ky koncept parasheh ndërthurjen e fasadës së kahershme të godinës me elemente moderne me xhama, brenda së cilës lartësohet objekti rrethor i sallës. Implementimi i projektit të konsorciumit “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion Project, MA Studio & Partners” është llogaritur të jetë 10 milionë euro.

Projekti, që ka zënë vendin e tretë, llogaritet të kushtojë 12 milionë euro.

Plani i Arbër Sadikit dhe Gëzim Paçarizit, pos enterierit, ndërtesën aktuale nuk e prek më shumë. Synohet që ajo të jetë galeri artesh e krahas të ketë dy salla.

“Publikisht jam angazhuar që ndërtesa të ruhet dhe nëpërmjet rivitalizimit të kthehet në galeri të artit bashkëkohor. Meqenëse Komuna pa ndonjë argument të fortë ka dashur ta bëjë sallë koncertale, unë me Gëzim Paçarizin kemi ardhur me ofertë që ndërtesa kryesore të ruhet dhe të jetë galeri e arteve. Kurse sallat koncertale të jenë në pjesë të lira të parcelës nga ana e poshtme”, kishte thënë Sadiki. Për dallim nga dy projektet e tjera, dyshja ka synuar që salla kryesore të shkojë përtej kapacitetit me 800 ulëse, sa ka planifikuar Komuna. Sadiki kishte thënë se në bazë të detyrës projektuese të Komunës dhe dy projekteve të tjera i bie që monumenti të shembet e jo të shndërrohet në diçka tjetër.

“I bie totalisht me u shemb dhe të ribëhet”, ka thënë ai.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”. Po atë vit objekti kishte hyrë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Mosmarrëveshja midis institucioneve lokale dhe qendrore është përmendur edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislim Bislimi, të martën, në Kuvendin e Kosovës. Rasti është marrë si shembull se si nuk janë zbatuar marrëveshjet midis Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Arkitektët Arbër Sadiki dhe Bekim Ramku i kishin prirë fushatës që ndërtesa të jetë monument. Asokohe Komuna planifikonte demolim dhe ndërtim të një salle koncertale të re. Bile Bekim Ramku, në emër të “Docomono Kosova”, kishte organizuar peticion për mosdemolimin e ndërtesës dhe kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës që objekti të jetë monument.