Kulturë

Komuna e Deçanit synon zhvendosjen e “Mullirit të Shabanajve”

Prishtinë, 10 mars – Komuna e Deçanit ia ka mësyrë të bëjë diçka të pazakontë në raport me trashëgiminë kulturore. Planifikon ta zhvendosë një monument arkitekturor. Pos që një rast i tillë nuk ka ndodhur të paktën në Kosovën e pasluftës, zhvendosja është krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Për këtë kanë kërkuar sqarime institucionet e trashëgimisë kulturore, përderisa pronari i monumentit i ka njoftuar ato duke e kundërshtuar nismën.

Në prill të vitit të kaluar Kuvendi i Komunës së Deçanit kishte marrë vendim për shpronësimin e disa parcelave në qendër të qytetit. Krejt kjo është bërë me qëllim të implementimit të Planit rregullativ për zonën. Parashihet zgjerimi i rrugës. Midis parcelave që është vendosur të shpronësohen është edhe ajo me numër 1236-0 me sipërfaqe prej 76 metrash katrorë. Bëhet fjalë për parcelën ku gjendet monumenti i shekullit të 19-të, “Mulliri i Shabanajve”. Për këtë çështje Ministria e Kulturës është vënë në dijeni pas vendimit të Kuvendit të Komunës perëndimore. Zyrtarët komunalë paraprakisht kishin gjetur një “zgjidhje” për Mullirin, që është aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme mban numër rendor 553 e numër unik 1458.

Planin për zhvendosje e ka shpalosur edhe vetë kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj. Ai ka thënë se si Komunë janë të interesuar që ta mbrojnë trashëgiminë kulturore. Në kuadër të kësaj, ka thënë se kanë planifikuar zhvendosjen e Mullirit.

“Kemi marrë vendim që Mulliri të zhvendoset si i tillë. Kemi pasur raste kur institucionet e trashëgimisë kulturore kanë marrë këso vendimesh. Jemi në diskutime me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe jemi duke u munduar t’i bëjmë letrat gati. Janë marrë dy vendime. Një, që dyqanet të shpronësohen, e tjetri që Mulliri të zhvendoset e të vendoset në një pozicion ku shihet më mirë”, ka thënë ai. Ka këmbëngulur që praktikat e tilla kanë gjetur zbatim edhe më herët. Por nuk ka ofruar një shembull e as s’e ka sqaruar se si e kanë paraparë zhvendosjen.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)