Epilogu i procesit për rinovimin e teatrit “Oda” do të zgjidhte probleme jo vetëm për një institucion të pavarur të artit dhe kulturës e për qendrën “Multimedia” që tashmë vepron aty, por edhe për ngjarje e organizime të tjera. Qeveria lokale në buxhetin e sivjetmë ka të parapara 100 mijë euro
Hapësirat e teatrit “Oda” në kryeqytet pritet t’i nënshtrohen një skanimi që do të jetë bazë për projekt rinovues. Komuna e Prishtinës e ka bërë hapin e parë procedural për t’iu çelur rrugë ndërhyrjeve në ambientet e hapësirës së pavarur kulturore.
Epilogu i krejt procesit do të zgjidhte probleme jo vetëm për një institucion të pavarur të artit dhe kulturës. Pos “Odës”, aty prej prillit të vitit të kaluar funksionon edhe qendra “Multimedia”.
“Konkurs projektimi për renovimin e Teatrit Oda”, titullohej konkursi publik i hapur nga Komuna e Prishtinës në ditën e parë të qershorit. Qeveria lokale në buxhetin e sivjetmë ka të parapara 100 mijë euro për rinovimin e “Odës”. Sipas llogaritjeve komunale, 25 mijë euro është vlera e paraparë e tenderit për projektim i cili ishte i hapur deri të hënën e 12 korrikut.
“Vendit të parë do t’i ndahet pagesa sipas çmimit që vendoset në projekt ideor dhe zbatues për konservim dhe adaptim. Kompania fituese është përgjegjëse edhe për hartimin e projektit zbatues. Çmimi i dytë do të shpërblehet me 3000 euro, Çmimi i tretë do të shpërblehet me 2000 euro”, shkruhet në konkurs.
Proceduralisht, projekti që do të përzgjidhet duhet ta ketë edhe një leje para implementimit.
Pallati i Rinisë dhe Sporteve prej vitit 2016 ka marrë statusin e monumentit. Është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbartje të përkohshme si ndërtesë me vlera arkitekturore të periudhës kur u ndërtua (1974-1982). Për këtë arsye ndërhyrja në ambientet e ndërtesës duhet të bëhet me pëlqim të komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Menaxhmenti i “Odës” ka kohë se është duke diskutuar me Komunën për rinovim të hapësirave.
Regjisori Florent Mehmeti, i cili e drejton “Odën”, ka thënë se bashkë me Komunën kanë evidentuar problemet kryesore.
“Ende nuk dihet kur nis rinovimi pasi procedurat e prokurimit marrin goxha kohë”, ka thënë ai. Veprimin e Komunës e ka parë si hap pozitiv. Në buxhetin e miratuar në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, investimi për rinovimin e teatrit “Oda” është në mesin e 16 projekteve kapitale të Drejtorisë së Kulturës në kryeqytet.
Për vite me radhë problemi kryesor që kishte shoqëruar “Odën” ishte statusi i saj prej qiraxhiu në objektin që menaxhohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Rrjedhimisht, për çdo investim, sipas kontratës, lypsej edhe leja paraprake.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte nënshkruar vendimin që Pallati i Rinisë dhe Sporteve nga AKP-ja t’i kalonte në pronësi Komunës së Prishtinës. Megjithëse drejtuesit e Teatrit e kishin pritur me entuziazëm këtë vendim, Komuna e Prishtinës, sipas tyre, i kishte lënë sakaq në harresë. Prej që ndërtesa e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është pronë e Komunës, çështja e qirasë është zgjidhur. “Oda” është liruar nga ky obligim. Bisedimet për rinovim e rregullim të menaxhimit të hapësirës kishin nisur kohë më parë.
“Kemi pasur fjalë të mira gjatë gjithë kohës, por jo edhe përmbushje të atyre premtimeve që na i pati dhënë kryetari Ahmeti”, kishte treguar Florent Mehmeti në tetor të vitit të kaluar.
Sipas tij, të vetmet investime që janë bërë ndër vite në këtë objekt kanë qenë vetjake. Ai kishte treguar edhe historinë me një kompani greke, e cila ishte kontraktuar për të instaluar ulëse teleskopike. E njëjta “Odës” i kishte marrë para avancë, por më pas nuk ishte lajmëruar. As padia e ushtruar në Gjykatën e Lartë nuk kishte arritur efektin e vet për kompaninë që ishte deklaruar si e bankrotuar.
Për Mehmetin, njëri nga problemet akute të hapësirave ku funksionon ky teatër është ngrohja qendrore. Prej djegies së Sallës së Madhe të Pallatit të Rinisë, në vitin 2000, ky sistem kishte dalë jashtë funksionit.
“E vetmja alternativë që na ka mbetur është ngrohja me rrymë, e cila është shumë e shtrenjtë dhe pak efikase”, ka përsëritur ai ankesat e kamotshme. Më pas Mehmeti ishte shprehur kritik edhe me menaxhmentin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, që kishte shpallur tender për instalimin e ngrohjes së re. Por këtij investimi nuk ia kishte parë hairin “Oda”, ndonëse me ngrohje ishin bërë sallat fqinje.
“Nuk marrim kurrfarë shërbimi për siguri e pastrim, por vetëm fatura, madje edhe për shërbime që nuk na ofrohen, siç është ngrohja”, kishte thënë ai.
Ndryshe, teatri i pavarur “Oda” është themeluar në fund të vitit 2002 me nismë të aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti. Në mars të vitit 2003, “Oda” kishte dhënë premierën e parë me shfaqjen “Monologët e Vaginës”.
Një vit më vonë teatri “Oda” kishte promovuar objektin e vet në të cilin ndodhet edhe sot. Brenda hapësirave të tij janë mbajtur edhe koncerte muzikore, shfaqje e promovime filmash, si dhe xhirime të emisioneve e serialeve të ndryshme. Aty ndodhet edhe “Galeria Oda” në të cilën organizohen ekspozita të ndryshme.
Po ashtu, në kuadër të teatrit “Oda” funksionon edhe “kafe bari ODA”, si dhe biblioteka me libra nga arti e letërsia.