Kulturë

Kompozitori Ardian Halimi, me hap drejt karrierës ndërkombëtare

Vepra "Stille flüstert um uns beide" (Heshtja pëshpërit përreth ne të dy) e kompozitorit kosovar, Ardian Halimi, do të interpretohet nga Filarmonia e Radios gjermane në Saarbrücken, nën drejtimin e dirigjentit Manuel Nawri. Këtë vepër të realizuar në vitin e koronavirusit, ia ka kushtuar bashkëshortes së tij, sopranos se njohur Elbenita Kajtazi

Kur pandemia mbylli njerëzit në shtëpi, shumë artistë e shfrytëzuan atë kohë për të realizuar vepra të ndryshme. Në mesin e tyre ishin edhe kompozitorët. Iu përveshën punës për të bartur në partiturë ndjenjat dhe emocionet e tyre karshi situatës, vitit pandemik. Kështu veproi edhe kompozitori kosovar Ardian Halimi, i cili jeton në Gjermani. Kompozoi një vepër të cilën ia dedikoi, bashkëshortes së tij, sopranos së njohur Elbenita Kajtazi. Të njëjtën dëshiroi që ta ndante edhe me të tjerët, pasi që sipas tij, ajo paraqet edhe një realitet kohor. Kjo e shtyu që ta dërgonte për t’u luajtur në edicionin e 12-të të “Masterkursit të kompozitorëve në Saarbrücken” që organizohet nga Filarmonia e Radios Gjermane në Saarbrücken, Radio Saarland dhe nga Universiteti i Muzikës në Saarland. Në mesin e veprave që u përzgjodhën në këtë masterkurs është edhe vepra e kompozitorit kosovar nga Vushtrria.

“Ky masterkurs u drejtohet kompozitorëve që janë në fillimet e karrierës së tyre profesionale dhe ofron një mundësi unike për një shkëmbim intensiv midis kompozitorëve të rinj dhe një orkestre profesioniste”, ka thënë Halimi.

Në këtë masterkurs kanë mundur të aplikojnë kompozitorë që studiojnë në fakultetet e muzikës në Gjermani ose në Francë, apo kompozitorë të cilët kanë përfunduar së fundmi studimet e tyre në këto dy shtete. Kompozitorët kanë aplikaur vetëm me nga një vepër për orkestër simfonike, ndërsa juria për këtë vit ka përzgjedhur gjithsej 6 vepra.

Veprat e përzgjedhura do të shfaqen premierë më 28 maj 2021 në një koncert publik nga Filarmonia e Radios Gjermane në Saarbrücken, nën drejtimin e dirigjentit Manuel Nawri. Orkestra simfonike është ndër me të rëndësishmet në Gjermani. E themeluar në vitin 1937 në qytetin Saarbrücken, ajo është pjesë e radio-televizionit “ARD” që ka frekuenca ndërkombëtare. Koncerti do të regjistrohet nga Radiotelevizioni i Saarbrücken dhe do të transmetohet nga Radio e Saarland, “SR 2 cultural radio” e themeluar në vitin 1995 e që njihet për mbulimin që u bënë ngjarjeve kulturore në Gjermani.

Halimi veprën ‘Stille flüstert um uns beide’ e ka kompozuar vitin e kaluar.

“Një vit përplot me sfida, me një ‘normalitet’ të ri global i cili po na përcjell ende edhe në këtë vit të ri 2021. Në kohën kur fillova të shkruaj këtë vepër, ishim në karantinë. Gjithçka ishte mbyllur, një heshtje e madhe po na rrethonte dhe brenda kokës sime filloi të bëhej një heshtje ‘shurdhuese’”, ka thënë ai.

Ka treguar se në këtë vepër, sekuenca të ndryshme që janë të pavarura nga njëra-tjetra, por që lidhen me njëra-tjetrën përmes shtresave të tyre të ndryshme të intensitetit, timbrit, ritmit, dinamikës dhe zhurmave rezultojnë në struktura të diferencuara të tingëllimit.

“Një tingull i pezulluar ka një dimension hapësinor në të cilin lëviz, së shpejti afrohet, zhduket pothuajse në një distancë të madhe dhe përsëri grumbullohet në një kompaktësi. Zhurma dhe tinguj të tjerë, pëshpëritin përreth dhe pushtojnë gjithnjë e më shumë terren dhe realitetin në hapësirën e heshtur”, ka thënë ai. Ka shtuar se veprën "Stille flüstert um uns beide" ia ka kushtuar bashkëshortes së tij, sopranos se njohur Elbenita Kajtazi.

Halimi studioi kompozimin në Universitetin e Prishtinës në klasën e Prof. Mendi Mengjiqit si dhe në Konzervatoriumin artEZ në Zëolle, Holandë me Prof. Alex Manassen. Pastaj vazhdoi studimet me Prof. Cornelius Schëehr dhe me kompozitorin dhe pedagogun e mirënjohur gjerman Johannes Schöllhorn në Universitetin e muzikës në Freiburg të Gjermanisë. Atje ndoqi edhe seminare dhe analiza me Prof. Brice Pauset dhe Prof. Dr. Rainer Nonnenmann si dhe muzikë elektronike me Prof. Alexander Grebtschenko.

Veprimtaria e tij përfshin shumë zhanre, nga muzikë kamertale, orkestrale, vokale dhe muzikë për video dhe film. Muzika e tij është luajtur në Kosovë, Gjermani, Holandë, Luksemburg, Bullgari dhe Itali nga solistë dhe ansamble të mirënjohura në interpretimin e muzikës bashkëkohore, siç janë ansambli “Recherche”, ansambli “Lucilin”, “Orkest de Ereprijs”, “MotoContrario”, “Minguet Quartet”, Orkestra e Filarmonisë se Kosovës, ansambli “Sinfonietta” si dhe ansambli i Institutit për Muzikën e re në Freiburg.

Kompozimet e tij ishin premiera botërore në festivalet ndërkombëtare si “ReMusica” në Prishtinë, “March music days 2018” në Ruse, Bullgari dhe “Donaueschinger Musiktage 2017” e që edhe u transmetua në radion gjermane për kultur “Deutschlandfunk Kultur”. Ardian Halimi u shpërblye dy herë nga ministria e kulturës së Kosovës për veprat e tij “Quartett” dhe “Insdie-Out” me çmimin vjetor për kategorinë e veprave kamertale.