Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kolapsi financiar – i pashmangshëm për institucionet e kulturës

Prishtinë, 16 janar – Në shfaqjen “Kaligula” me autor Albert Camus e regji të Kushtrim Koliqit, aktori Shkëlzen Veseli, në rol kryesor, nëpërmjet shkrepjes së gjashtë plumbave vret bashkëpunëtoret e vet. Në konceptin regjisorial, secili aktor është Kaligula, sundimtari. Por të hënën mbrëma personazhet do të mundë “të shpëtonin” nga vdekja.

Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka pasur mundësi që të blejë plumbat e gazit që përdoren si rekuizitë në këtë shfaqje. Vetë regjisori Kushtrim Koliqi ka ndërhyrë duke siguruar plumbat edhe për të martën. Realisht Teatri Kombëtar i Kosovës prej ditës së 10-të të këtij muaji nuk ka blerë rekuizita, pasi nuk ka mundësi financiare. Kërkesat për rekuizita qëndrojnë në zyrë të furnizuesit të këtij institucioni.

Hiç më mirë nuk i kanë punët as institucionet e tjera të kulturës e të trashëgimisë kulturore.

Qysh prej shtatorit, pagesat për shërbimet që marrin u bëhen direkt nga Thesari i shtetit. Kjo praktikë e pagesës kishte nisur të përdorej katër muaj pasi ishin mbyllur llogaritë e institucioneve në bankat komerciale, pasi Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se ato nuk ishin të autorizuara nga Thesari. MKRS-ja ka premtuar nënkode buxhetore për institucionet për këtë vit. Por barrierë për këtë mbetet miratimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2019/ Shaban Maxharraj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Artikuj të ngjashëm