Kulturë

“Koha e ngrirë” për dhimbjen e familjarit të të zhdukurës në luftë

Rrëfimi i Luanit që priste të zbardhej fati i gruas së tij të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, shkrimtares austriake, Anna Kim, nuk i shqitej nga mendja. Kim, e cila punonte në Kryqin e Kuq, do ta ndiqte fatin e tij në përballje me dhimbjen e përhershme e të ngrirë në kohë. Si një lloj katarsisi qe romani që shkroi. Përurimi i botimit në shqip i romanit “Kohë e ngrirë” e ka sjellë aty ku e ka zanafillën vepra e saj

Rrëfimi i romanit “Koha e ngrirë” të shkrimtares austriake, Anna Kim, vjen si dokumentim për luftën në Kosovë, që shpërfaqet nëpërmjet një rasti. Është ngjarja e vërtetë e një burri që kërkon ndihmë në Kryqin e Kuq, vendin ku Kim punon, për ta gjetur gruan e tij të zhdukur në luftë. Ajo ndjek fatin e tij dhe ka një arsye personale për këtë. Ndiente dhimbje. Atë kohë ajo kishte humbur babanë. Aspekti dokumentar është thjesht shpërfaqja e romanit, ndërsa në thellësi, autorja e nëpërmjet përgjigjeve të Luanit, eksploron efektin e humbjes tek ata që kanë mbetur pas dhe pafuqinë e tyre derisa jeta vazhdon. Dhe koha mbetet e ngrirë. Libri është botuar më 1 janar të vitit 2008, ndërsa në shqip ishte përkthyer në vitin 2014 nga përkthyesi e botuesi i ndjerë Afrim Koçi. Tek tash, romani e ka sjellë autoren para lexuesit në vendin prej ku zë fill romani. Të premten është përuruar në Prishtinë.

Në parathënien e librit, lexuesi njoftohet se prej mbarimit të luftës në ish-Jugosllavi, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka njoftuar për më shumë se 30 mijë njerëz të humbur dhe se deri më sot janë identifikuar afërsisht 15 mijë persona. Ky kishte qenë edhe sfondi i ngjarjes që autorja Anna Kim rrëfen në librin e saj: kërkimet e një kosovari për fatin e gruas së tij të zhdukur dhe depërtimi hap pas hapi i tregimtarit që intervistohet nga Kim, derisa edhe rrëfimi vjen në vetën e parë.

Derisa ka shkruar librin, është njohur me jetën e përditshme në zonat e konfliktit mes shqiptarëve e serbëve, punën e punonjësve të mjekësisë ligjore, antropologëve e intervistuesve. Siç ka thënë, fillojnë t’i shfaqen përmasat e mirëfillta të kujtimeve dhe të humbjes së kujtimeve dhe shkrimeve të mbetura në “kohën e ngrirë”. Ajo vazhdon aktualitetin e shtjelluar në mënyrë mbresëlënëse, të shumë familjeve në Kosovë që mbesin në kërkim të personave të tyre të dashur.

Para të mbledhurve në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, shkrimtarja Anna Kim e ka vlerësuar romanin “Koha e ngrirë” si shumë të rëndësishëm për të dhe se nuk ka shkruar një të tillë më parë. Ka treguar po ashtu se në libër nuk ka asgjë fiktive, por që gjithçka është hulumtuar.

“Isha e pranishme kur e dha këtë intervistë. Arsyeja pse desha ta bëj pjesë të romanit është sepse kjo intervistë për të ishte çështje ekzistenciale. Ishte shumë e vështirë, pasi ishte ulur dhe mundohej të kujtonte çdo detaj të shumë viteve më parë”, është shprehur autorja e librit për personazhin real, i cili është krypersonazhi i “Kohës së ngrirë”.

Fragmente të shkëputur nga libri ka lexuar për ta ofruar publikun më pranë me rrëfimin në romanin e saj. Gjuha e përdorur është e fuqishme dhe shpesh poetike që pasqyron përpjekjet e narratores për t’u pajtuar me ngjarjen e cila përshtatet edhe me personalitetin, përkatësisht ngjarjen në të cilën gjen veten. Për të, historia e Luanit që kërkon Fahrinë, gruan e tij të zhdukur, është përtej ngjarjeve të përditshme në organizatë. Në fakt, gjuha e saj në libër shpesh duket se pyet se si mund të shprehet një gjë e tillë me fjalë. Kombinimi i fakteve të dhimbshme me të cilat nuk dëshiron të pajtohet Luani, e as nuk i ka shkuar në mendje t’i mendojë apo është frikësuar e bën romanin “Koha e ngrirë” një eksplorim të humbjes dhe kërkimit për mbyllje në vete.

“Isha ulur aty dhe njëra nga intervistat ishte pesë deri gjashtë orë dhe më kujtohet që thashë se duhet ta përfshij këtë në libër sepse situata në të cilën isha, nuk e dija se çfarë po ndodhte dhe të gjithë po shpresonin për të gjetur një person të humbur. Koha që kam shkruar është në të tashmen dhe disa muaj më parë erdha në Kosovë dhe të gjithë njerëzit më kanë thënë se të gjithë personat e pagjetur që janë identifikuar deri më tani, nuk kanë qenë të gjallë”, është shprehur ajo.

Edhe libri i saj paraprak “Gjurma e fotografisë” ka të bëjë me temën e kujtesës së një periudhe të largët kohore. Libra të tjerë të autores renditen edhe “Anatomia e një nate”, “Invazioni i piratëve” dhe “Historia e një fëmije”.

Anna Kim njihet si psikologe e thellë me aftësi të spikatur ndaj motiveve të padukshme. U lind në Korenë e Jugut në vitin 1977. U zhvendos në Gjermani e më pas në Vjenë, ku ka studiuar për filozofi dhe teatër.

Ka debutuar si shkrimtare në vitin 2004 me librin “Gjurma e fotografisë”. Për “Koha e ngrirë” në vitin 2009 ka marrë çmimin “Hajnrih Traihl” të Kryqit të Kuq Austriak dhe po atë vit, edhe bursën “Elias Kaneti”. Ka marrë edhe çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2012.

Ngjarja e promovimit të librit në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës është organizuar nga Ambasada e Austrisë në Kosovë.

Ambasadori Christoph Weidinger e ka konsideruar mundësi të mirë për diskutimin për librin në Kosovë, në vendin që është esenca e rrëfimit.

“Jam shumë i lumtur që Ambasada e Austrisë ka pasur mundësinë të organizojë këtë ngjarje. Kemi këtu një nga autoret më të suksesshme austriake, e cila ka dëshmuar aftësitë e saj dhe jemi të lumtur për këtë gjë. Ajo di si të shkruajë për rrethanat historike në një shtet tjetër. E vlerësoj se si e përshkruan figurën e personazhit derisa ai rrëfen, edhe pse nuk di shumë”, ka thënë ambasadori Weidinger.

Kim ka thënë se ka qenë shumë e përkushtuar ndaj fakteve, ngase nuk ka dashur të vendosë diçka që nuk është e vërtetë, apo gjysmë e vërtetë.

“Besoj kam qenë veçmas e interesuar, pasi e kam personal këtë rast. Babai im vdiq pas një sëmundjeje dhe unë si fëmijë isha shumë e interesuar, pasi nëna ime ishte shumë e vuajtur, ende është. Një person që është kështu dëshiron të dijë për përjetimet e tij. Për këtë edhe e kam titulluar ‘Koha e Ngrirë’ sepse mbetet po ajo dhimbje”, është shprehur Kim.

Blerta Ismajli, profesoreshë në Degën e Gjuhës Gjermane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, është shprehur e lumtur me rastin e promovimit të librit.

“Jemi të lumtur që romani po promovohet në Fakultetin e Arkitekturës. Me sa pamë nga prezantimi, rrëfimi në të është disi si puzzle dhe shumë interesant për ta lexuar. Ju dëshirojmë shumë fat në romanin tuaj të ri", ka uruar Ismajli.

Verena Walz nga Agjencia e Austrisë për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD) e ka konsideruar të veçantë librin, por edhe përurimin e tij.

“Dua të them se jam vërtet jashtëzakonisht e lumtur që kemi mundësinë të kemi Anna Kim këtu me ne. Jo vetëm sepse rrallë mund të ftojmë autorë bashkëkohorë, veprat e të cilëve janë përkthyer në gjuhën shqipe, një gjuhë e vogël, por mjaft e synuar, por edhe për shkak se nuk ndodh shpesh që autorët e huaj të shkruajnë për historinë e Kosovës”, ka thënë Walzi.

“Kohë e ngrirë”, sipas përshkrimit, përmban shumë detaje, duke përfshirë jo vetëm dialogun, por edhe përshkimin e anës emocionale të Luanit. Bashkon copëza rrëfimesh që pasqyrojnë gjendjen e rëndë emocionale që mbahet në forcën e shpresës për të gjetur ata që mungojnë.