Ka diçka të veçantë në kujtimin për klarinetistin Qazim Bobaj. Përtej një ngjarjeje përkujtimore, koncerti është një dëshmi për mbajtjen gjallë të frymës së tij, njësoj sikurse edhe vulosje e respektit për të. Në koncert bashkohen klarinetistë të rinj dhe janë studentët e dikurshëm të tij, tash profesorë, të cilët emrin e Bobajt ua përcjellin gjeneratave
Me tinguj të klarinetës, së cilës ia dedikoi krejt qenien e tij e me fjalë të përzgjedhura për të treguar mirësinë e tij, është kujtuar maestroja i këtij instrumenti, Qazim Bobaj, në 27-vjetorin e vdekjes. Koncerti përkujtimor i përvitshëm, tashmë është bërë traditë dhe janë ish-kolegët e ish-studentët e tij ata që bëhen tok. Edhe sivjet mënyra për ta mbajtur gjallë kujtimin për të, qe një koncert i klasës së klarinetës, në Degën Arteve Muzikore në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, të hënën mbrëma.
Instrumenti i cili në Kosovë është i lidhur me emrin e tij, ka qenë kryesori në këtë ngjarje. Fryma e lëvizja e gishtërinjve mbi tetëmbëdhjetë vrimat e tij, pos tingujve ka sjellë edhe emocione. Në piano, që ka shoqëruar interpretimin e klarinetistëve, ka qenë i vendosur portreti i maestro Bobajt, i cili në 27 dhjetorin e vitit 1995 humbi jetën tragjikisht, afër Nishit në Serbi. Ai ishte 44-vjeçar. I vlerësuar nga shumë të pranishëm si një profesionist i fushës, Bobaj u lind në Korishë të Prizrenit më 13 tetor 1952. I shkolluar në Beograd, qe një prej muzikantëve e kuadrove të shquara të muzikës në vend. Prej tij, klarinetën e mësuan disa gjenerata. Është një grup ish-studentësh e ish-kolegësh të tij që e kujton tash e 27 vjet duke e bërë këtë edhe nëpërmjet klarinetistëve të rinj që trashëgojnë punën në instrumentin e klarinetës, me pasion e talent.
Salla e koncerteve në Degën e Arteve Muzikore qe plot me studentë, kolegë dhe familjarë të të ndjerit. Edhe më të rinjtë e quajnë Bobajn profesor, ani pse s’e kanë takuar kurrë. E kjo dëshmon bartjen e frymës nëpërmjet emrit të tij. Mënyra e inkuadrimit të instrumentistëve në koncert pa përzgjedhje erdhi si rrjedhojë e interesimit të tyre për t’ia kushtuar notat profesorit, veprimtaria e të cilit te ta është shembull.
Pak para se të nisë interpretimi i klarinetistëve, shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ka nderuar Qazim Bobajn me mirënjohje post mortem, e cila i është dorëzuar familjes.
Jeta Disa-Bujari, drejtoreshë e “Prenk Jakovës”, ka çmuar edhe punën e Astrit Mustafës si një prej shembujve në përkujtimin e emrave të shquar të muzikës, profesorëve të tyre të dikurshëm, “që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e edukimit muzikor profesional”.
Edhe
“Cosimo and the Hot Coals” në zhvendosje me jazz dhe një episod arbëresh
Për profesor Qazim Bobajn fjalët më të bukura, sepse të gjithë e kemi njohur si profesor por edhe si koleg dhe besoj se një mirënjohje të cilën Shkolla e Muzikës e ka ndarë për të gjithë mësimdhënësit pensionistë dhe ata që më nuk janë në mesin tonë, kishim dashur t’ia dedikojmë edhe profesorit Qazim, më konkretisht familjes së profesorit”.
Kanë qenë shtatë studentë që kanë interpretuar po aq vepra. Koncertin e nisi studenti i vitit të tretë, Orges Thaçi, me sonatën për klarinetë dhe piano të kompozitorit të njohur gjerman Felix Mendelssohn. Shoqëruar me piano nga Pranvera Hoxha-Bryma, përfundimi i interpretimit mes të pranishmëve solli duartrokitje dhe urime për studentin.
Koncerti përkujtues vazhdoi me tingullin solo të klarinetës, me interpretimin e Megi Rexhepit. “Hommage a J.S. Bach” nga klarinetisti hungarez Béla Kovács qe pika e dytë, për t’i hapur rrugë sonatës për klarinetë dhe piano nga Camille Saint-Sawns, interpretuar nga Adis Kurtaj. Kohën e tretë të po kësaj vepre e solli më vonë Guri Hoxha.
Në skenën e sallës së koncerteve patën rastin të ngjiteshin edhe studentët e vitit të parë. Ishte Eriona Shabani, pika e së cilës ringjalli veprën e Karol Kazimierz Kurpiński, “Koncert për klarinetë dhe orkestër”. I vitit të parë të studimeve ishte edhe Diellor Gajtani me tingujt romantikë të Pyotr Ilyic Tchaikovsky, nëpërmjet “Barcarolle Op.37 nr.6” për klarinetë dhe piano.
Pos veprave me kompozitorë të huaj, në repertorin e koncertit janë thurur edhe veprat e kompozitorëve vendorë. U përmbyll me tingujt e kombinuar të katër klarinetistëve, nga Megi Rexhepi, Orges Thaçi, Hysni Jusufi dhe Adis Kurtaj, me veprën “Hommage a A. Canaj” të Leutrim Sahitajt.
Astrit Mustafa, dikur student i profesorit Bobaj, tash vetë profesor i klarinetës, ka thënë se me fillimin e mësimit semestral, ai bashkë me studentët e kanë në mendje përgatitjen e një dedikimi të tillë.
Edhe
Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për violonçelist
“Programi ka qenë pjesë nga programi vjetor të cilin ne e punojmë gjatë studimit me secilin student veç e veç. Ka pasur inserte nga programi të cilin ata e ushtrojnë dhe studiojnë gjatë përgatitjes së provimit të klarinetës”, ka thënë Mustafa. Ka kujtuar marrëdhënien që kishte me profesorin e tij, që shpesh kalonte përtej profesionales, diçka që vinte gjithnjë duke u familjarizuar.
“Kam shumë kujtime nga të cilat janë vetëm të mira. Në atë kohë ka qenë periudha që kemi dalë nga institucionet shkollore dhe mësimin e kemi bërë në ambiente të shtëpive. Unë gjithmonë kam qenë, përveç në orët e mësimit, edhe i ftuar si mysafir në shtëpinë e profesorit. Ka qenë shumë i këndshëm. Kemi qenë të familjarizuar. Profesori ka pasur shumë shaka të bukura të cilat i tregojnë edhe studentët e asaj kohe. Me të gjithë ka qenë dashamir, me të gjithë ka qenë zemërgjerë dhe bujar”, e ka kujtuar Mustafa profesorin e tij prej të cilit i mësoi hapat e parë drejt të bërit profesionist në klarinetë.
Studentët të cilët kanë qenë pjesë e këtij koncerti kanë thënë se janë të nderuar që kujtojnë një figurë të veçantë si Qazim Bobaj, të cilin e njohin nëpërmjet gjurmëve që ka lanë ai, e nëpërmjet rrëfimeve që edhe sot ua përcjellin profesorët e tyre.
“Profesorin Qazim unë nuk e kam takuar. Mirëpo nga fjalët e profesorit tonë për të, e marrim vesh që ka pasur rol të rëndësishëm në jetën e profesorit. Mesazhet ose idetë e tij rreth luajtjes së klarinetës ose çdo gjë që ka lidhje me muzikën, na i transmeton profesori ynë”, ka thënë Orges Thaçi.
Aheron Bobaj, djali i profesor Qazim Bobajt, e sheh shumë të veçantë mënyrën se si kujtohet kontributi i babait të tij.
Edhe
Maestroja i pianos zbërthen universin klasik me qasje unike moderne
“Çdo vit është i veçantë, është shumë i mirë. Çdo vit është ndryshe në aspekt pozitiv. Është ndjenjë e veçantë se çdo vit na mbledhin familjen, rrethin, shokët e vjetër, kompozitorët. Për shkak se është një jetë dinamike, njerëzit kanë shumë probleme e telashe, e mbajnë komunikimin me njëri-tjetrin, por me të vërtetë sa herë vijmë këtu është ndjenjë e veçantë”, ka thënë ai plot emocione. Dega e Arteve Muzikore e ka të përhershëm kujtimin për Qazim Bobajn jo vetëm me koncerte, por edhe me nderimin e kontributit të tij.
