“Nuk e di se ku do të jem pas pesë vjetëve”, thotë kitaristja e re Tringa Sadiku. Jeta është e tillë, e paparashikueshme. Por kudo që të shkojë, 21-vjeçarja me siguri do të jetë duke luajtur në kitarë. Lidhja që ajo ka me këtë instrument, është e atillë që do t’u bëjë ballë sfidave të jetës. Loja e saj është shumë natyrale. Sadiku shpërfaq karakterin e saj edhe në ekzekutim. U lind në Mitrovicë, ku përfundoi shkollën fillore dhe të mesme të muzikës në “Tefta Tashko” në klasën e Vejsel Abdurrahmanit. Vazhdoi studimet për kitarë në Akademinë e Arteve në klasën e kitaristit Xhevdet Sahatxhija me asistent Drilon Çoçajn. Të njëjtët kanë ndikuar që Sadiku ta dojë instrumentin e saj dhe të eksperimentojë më shumë me tinguj. E ndikim të madh te ajo ka edhe Petriti Çeku. Artisti i njohur ndërkombëtarisht pa dyshim që është inspirim për të. Madje, sipas Sadikut, i tillë do të mbetet edhe për gjeneratat e ardhshme. Suksesi i Çekut jep vullnet edhe për kitaristen e re, e cila është në vitin e fundit të studimeve themelore. Ikja në një tjetër realitet Kitaristja e re aktualisht është e fokusuar në muzikën italiane të periudhës së barokut. Në çdo moment vëmendja e saj mund të kthehet të një tjetër stil, ndoshta krejtësisht ndryshe. “Teksa rritem, ndryshon edhe shija ime në muzikë. Veprat që preferoj t’i luaj janë më shumë momentale”, thotë Tringa Sadiku. Kur ulet për të luajtur në kitarë synim fillestar e ka që të arrijë një vetëpërmbushje. Vetëm pasi që krijon një lidhje të brendshme me muzikën, thotë se dëshiron që ta ndajë atë pjesë me publikun. Është modeste kur flet për stilin e saj. “Edhe pse ka shumë gjëra në të cilat duhet të punoj, mendoj se po bëj progres. Në çdo koncert mësoj diçka të re, por edhe po vërej mangësi gjatë interpretimit”, thotë ajo. Janë dilema që muzikantët i kalojnë, veçmas gjatë studimeve. Ani pse u qëndron besnike partiturave, ajo luan me natyrshmëri. Gjatë lojës vë në pah edhe emocionet që zihen brenda saj. Publiku, nëpërmjet interpretimit përfshihet në tensionin që krijohet në mes të saj dhe muzikës. Sadiku ka qenë fituese e përvitshme e bursës universitare, si dhe përfituese e bursave për festivale ndërkombëtare si në “Akademia Gitary Festival” në Poloni dhe në “Berlin Guitar Festival”. Falë punës së saj dhe bursave ka arritur që të interpretojë edhe në festivale e ngjarje kulturore që organizohen në Kosovës, si Festivali DAM, “ReMusica”, “Europian Summer Music Academy”, “Global Music Fest” e “Women’s Creativity Festival”. “Për mua muzika është shumë personale, është ndoshta momenti i vetëm ku nuk ngurroj që të shprehem para njerëzve. Përmes muzikës ne ikim në një realitet tjetër, që krijohet nga kompozitori dhe nga gjendja jonë emocionale momentale”, thotë ajo. Ushtrimet janë të përditshme, e përveç muzikës klasike, ajo luan dhe dëgjon edhe stile të tjera si indie, jazz e folk. Kur ushtron dhe studion materialet e konsideron me rëndësi të dëgjojë muzikë e të diskutojë për të. Sa herë që merr një vepër të re, fokusohet që ta interpretojë atë që ka shkruar kompozitori duke treguar kujdes fillimisht në aspektin teknik e pastaj edhe në atë muzikor.
Lidhja midis kohëve e emocioneve
“Me pëlqen procesi i ushtrimit, zbulimi i detajeve brenda fjalive muzikore, me pëlqen lidhja mes kohës dhe emocioneve, më pëlqen preciziteti i cili më është shndërruar në defekt profesional, më pëlqen të mësoj të dëgjoj”, thotë Sadiku. Në mënyrë të pavetëdijshme që në vegjëli e kishte ndjekur rrugën e artit. Kitarën filloi ta mësonte kur ishte shtatëvjeçare. Ishte shtyrë nga mësuesja e saj e muzikës dhe përzgjedhja e kitarës kishte ardhur shumë natyrshëm. “Nuk ka diçka tjetër që do të mund të gjeja mbështetjen dhe rehatinë që e kam gjetur te ky instrument”, thotë ajo. Por muzika nuk është fusha e vetme që e ka për zemër. Është e zonja edhe në art. “Si fëmijë gjithmonë kam ilustruar tregimet që i kam mësuar në shkollë. Kisha dëshirë të vizualizoja ngjarjet. Ndonëse ato ishin ilustrime amatore, më bënin të zhytesha në një botë tjetër”, thotë ajo kur flet për vizatimet e para. Lidhja me vizatimet nisi duke e shikuar babanë e saj tek vizatonte. Ai ishte autodidakt në këtë fushë, njëlloj si vajza e tij sot. “Babai më ka impresionuar gjithmonë kur qëndronte me orë në dhomë duke punuar me rafinitet në vizatimet e tij. Kështu fillova edhe unë duke i vrojtuar lëvizjet e tij. Nuk kam ndonjë stil apo teknikë”, thotë ajo tek shton se në këtë fushë evoluon çdo herë. Por zakonisht i pëlqen që të vizatojë portrete me të cilat mundohet të shfaqë gjendje të ndryshme emocionale.
Gërshetimi i arteve
Këtë vit, për herë të parë, Sadiku i ndau vizatimet e saj me publikun. Në tetor performoi në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës DAM. Koncertin do ta hapte me “Sonatën për violinë, nr. 1 BWv 1001 - Fuga” të Bahut, për ta përfunduar me “Etyda nr.11” të Heitor V. LLobos. Mes tyre interpretoi edhe “Paltero y Yo” nga Eduardo Sainz – De La Maza, “Etyda nr. 6” të Gulio Regondit, “Një ide” të Leo Brouwerit dhe “Bagatella 2&3” të William Waltonit. Në mure shfaqeshin vizatimet e saj. I kishte realizuar pikërisht për atë performancë. Ato shpërfaqin ndjesinë që i është krijuar gjatë luajtjes së veprave që i ka pasur në repertor. Për këtë eksperiencë thotë së ishte interesante që të vizualizonte mesazhin që e ka dhënë vetë kompozitori me afërsinë e saj ndaj kompozimit. “Arti dhe muzika janë dy fusha ku gjej shprehje pasi nuk jam shumë e mirë në fjalime. Këto një kohë të gjatë kanë qenë mjaft të ndryshme me njëra-tjetrën, pasi që në art pamor jam autodidakte. Rishtazi fillova t’i bashkoj këto dy fusha”, thotë ajo. Përfundimi është për çdo lëvdatë. Vizatimet i shtojnë një dozë intimiteti koncertit. E afrojnë publikun me shumë me artisten por edhe veprat që ajo i ekzekuton. Sadiku, nuk ka ndonjë rutinë a praktikë të të vizatuarit. “Vizatoj atëherë kur nuk mund të shprehem mjaftueshëm në muzikë. Kur ballafaqohem me pengesa gjej zgjidhje në një formë tjetër”, thotë Sadiku, e cila është duke punuar në vepra të reja. Dëshiron që të zgjerohet më shumë në stilet muzikore në paraqitjen e radhës. Për shkak të pandemisë, kryesisht ka performuar brenda katër mureve në shtëpinë e saj. I janë anuluar edhe masterklasat që ishin caktuar të mbaheshin në Poloni. “Më është dashur mjaft kohë të adaptohem me këtë situatë. Tani gjërat ngadalë kanë filluar që të rregullohen, por jo krejtësisht. Ende nuk e dimë se çfarë na pret të nesërmen”, thotë ajo. Kthehet të ajo se nuk e di as se si do të vazhdojë rrugëtimi i saj muzikor. Po ai tashmë ka nisur.