“Kino Armata” vazhdon qasjen se krahas arsimit formal vend të veçantë zë edhe ai joformal. I jep rëndësi pasi që është një eksperiencë emocionale që rrit dashurinë për një lëmë ose pasionin për të mësuar.
Mbi këto arsye ka hapur thirrjen për serinë e dytë në kuadër të shkollës joformale “Neo_School”. Për këtë modul pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë për prodhimin elektronik të muzikës dhe zërit.
Prej 25 janarit deri më 19, njohës të audio-produksionit do të ligjërojnë për aspekte të ndryshme të procesit të produksionit muzikor, incizimit në terren, efekteve të zërit, akustikës, sintezës, aranzhimit e punës softuerike e miksimit. Pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për projektin e tyre, çdo pjesëmarrës do të prodhojë nga një audio, i cili do të bëhet pjesë e kompilacionit final të projektit. Synimi i modulit është që ata të sfidohen individualisht dhe në grup me operimin e sintisajzerëve, prodhimin e tingujve, punën me “Ableton” dhe softuerë të tjerë, miksimin, si dhe me aspektet e tjera të këtij procesi.
Shkolla joformale “Neo_School” me modulin e dytë sjell mundësinë që të rinjtë të mësojnë për prodhimin elektronik të muzikës dhe zërit, për aspektet e ndryshme të procesit të produksionit muzikor, prej incizimit në terren, efekteve të zërit, akustikës, sintezës, aranzhimit, punës softuerike e miksimit
Ky modul vjen pas atij të mbajtur në shtator për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë. Atëherë ishte thënë se nxitja e mendimit kritik qe qëllimi kryesor për këtë projekt. Ishte një mundësi e hapur për këdo që dëshiroi ta sfidojë veten në filmbërje. Puna u kurorëzua me filma të shkurtër dokumentarë 3-5 minutash, të realizuar nga shtatë pjesëmarrësit.
Alush Gashi, menaxher i “Kino Armatës”, ka thënë se moduli i parë kishte synim që pjesëmarrësit të realizonin një film të shkurtër dokumentar, por edhe të mësonin se si të shfrytëzojnë filmin apo dokumentimin filmik në profesionin e tyre, çfarëdo qoftë ai. Ka shtuar se moduli i dytë është vazhdim i konceptit të “Neo_School”.
“Jemi duke kërkuar të rinj dhe të reja që kanë pak përvojë në audio-produksion, por jo domosdo njohuri të madhe. Pra, një kërkesë bazike është që të kenë të prodhuar ndonjë incizim më përpara qoftë si këngë apo çfarëdo tjetër”, ka thënë ai. Ka shtuar se më vonë nëpërmjet ligjëratave u jepet mundësi që të përdorin resurset e “Kino Armatës” për realizimet e mëtutjeshme.
Gashi ka treguar se gjatë dy javëve të para pjesëmarrësit e “Neo_School” do të dëgjojnë ligjërata mbi mënyrën e krijimit të zërit dhe tingujve, anatomisë së sintisajzerëve dhe dizajnimin e zërit, teorinë muzikore, incizimin, miksimin, si dhe aspektet e tjera të audio-produksionit. Ka shtuar se në dy javët e fundit ato do t'i realizojnë idetë e tyre muzikore nën mentorimin e ligjëruesve të “Neo_School”. E në fund të këtij cikli katërjavor, ka shtuar se, do të krijohet një kompilacion me audio-incizime të prodhuara, si dhe do të organizohet një ”live jam session” me pjesëmarrësit e modulit.
“Është një mundësi që ua japim të rinjve, të cilët përmes një trajnimi të shkurtër e intensiv mund të fitojnë aftësitë për të avancuar në audio-produksion, jo vetëm në muzikë por për çfarëdo prodhimi të tingullit”, ka thënë Gashi. Siç ka thënë ai, projektet e tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e të rinjve pasi që shkollimi formal në vend fatkeqësisht është edhe më i gjatë, më i mundimshëm.
“Ndërsa projektet dhe modulet sikur ky ua mundësojnë të rinjve që me të të avancojnë. Pra, ky projekt mendohet të jetë një shkëndije e vogël që i avancon ata në profesionin e tyre, e që në këtë rast po besojmë që ka lidhje me audio-incizimin”, ka thënë ai.
Ka shtuar se krijimi i platformës së edukimit në “Kino Aramata” është vazhdim i logjikshëm i punës së tyre dyvjeçare në ndërtimin e bazës kreative për krijues, artistë, punëtorë kulturorë e të tjerë. Pos një numri të konsiderueshëm të sintisajzerëve, që janë pjesë integrale e arsenalit muzikor të “Kino Armatës”, sipas Gashit, me ndihmën e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) janë pajisur me njësi produksioni që do t’u mundësojë të gjithë pjesëmarrësve të “Neo_School” realizimin teknik pa pagesë të audio-track-ut të tyre pa asnjë kërkesë shtesë.
Ligjërues të “Neo_School” për këtë model janë liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit do të marrin udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium muzikor. Në mesin e tyre është muzikanti dhe fotografi Vigan Nimani, kompozitori dhe inxhinieri i tingullit Dritëro Nikqi, kompozitori Liburn Jupolli, DJ, Driton (Toton) Pllana edhe inxhinieri i zërit, Tomor Kuçi.
Çdokush me njohje bazike të teknikave të prodhimit të audios ose muzikës elektronike dhe që ka prodhuar ndonjë track sado bazik në të kaluarën mund të aplikojë.
“Nuk ka kufizime moshe, përgatitje akademike ose profesioni, por aplikantët duhet të jenë të gatshëm për punë intensive individuale dhe ekipore”, është shkruar në njoftimin për hapjen e aplikimit. Aty tregohet se orari i ligjëratave dhe prodhimit do të aranzhohet pas themelimit të grupit pjesëmarrës. Afati për aplikim është 12 janari. “Neo_School” përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe nga Komuna e Prishtinës.
