Kulturë

Kinematografja nga Kosova krahas emrave botërorë diskuton për barazi gjinore në industrinë e filmit

Sot, filmbërës të njohur evropianë do të diskutojnë online se çfarë është bërë për katër vjet në lidhje me barazinë gjinore në sektorin evropian audiovizual. Në mesin e panelistëve është edhe drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, e cila do të flasë edhe për barazinë gjinore në industrinë kosovare

Kinematografja Sevdije Kastrati do të jetë pjesë e panelit “50/50 by 2020 – Are we there & what is next?”, për të shtjelluar perspektivat për barazinë gjinore në sektorin evropian audiovizual përtej vitit 2020. Fushata “50/50 deri në vitin 2020” u nis në vitin 2016 nga Instituti Suedez i Filmit në kuadër të Festivalit të Filmit në Cannes.

Sipas njoftimit për media, kjo ngjarje, e cila do të mbahet online në internet, synon të vlerësojë situatën në terren përmes dëshmive të profesionistëve të prodhimit të filmave dhe programeve televizive, dhe më pas të diskutojë mbi angazhimet dhe strategjitë e ardhshme me politikëbërësit e BE-së dhe aktorët kryesorë të sektorit.

“Duke nënvizuar përfaqësimin e paktë të grave para dhe prapa kamerave, objektivi 5050x2020 ofron një këndvështrim të qartë të veprimeve dhe mobilizimin e palëve të shumta të industrisë në shumë vende evropiane dhe përtej”, është shkruar në njoftim.

“Kjo ngjarje synon të shohë se sa janë bërë përparime në fushën e barazisë gjinore dhe cilat janë perspektivat e veprimeve. A janë barazia dhe mosdiskriminimi ende mjaft të larta në agjenda? A na duhen caqe të reja?”, është shkruar në njoftim.

Kinematografja Sevdije Kastrati ka thënë se është një mundësi e mirë për të shtjelluar perspektivat për barazinë gjinore.

“Jam e nderuar që do të jem pjesë e kësaj ngjarjeje dhe do të ndajë udhëtimin tim e njëkohësisht do të diskutojë për barazinë gjinore në industrinë tonë me një grup filmbërësish të mrekullueshëm”, ka thënë ajo.

Kastrati ka shtuar se aty e prezanton Kosovën dhe ngjarja është me rendësi pasi që ka të bëjë me politikat e BE-së. Në panelin në të cilin do të jetë edhe kinematografia e parë e Kosovës po ashtu do të flasin edhe regjisorja irlandeze Neasa Hardiman, e cila është fituese e çmimit “BAFTA” në vitin 2017 për regjinë e dramës televizive “Valley”, producenti gjerman Jonas Dornbach, i njohur kryesisht si producent i filmit “Toni Erdmann” nën regji të Maren Ade, që ishte i nominuar për çmim në “BAFTA” dhe “Oscar”, Dea Kulumbegashvili, regjisore nga Gjeorgjia, e cila me filmin e saj të shkurtër “Invisible Spaces” për herë të parë e vendosi Gjeorgjinë në garën zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes dhe skenaristi francez Geoffroy Grison, i njohur kryesisht për filmin e gjatë, “The Shade” nën regji të Raphael Nadjarit.

Kastrati jeton dhe vepron në Los Angeles. Në luftën e fundit në Kosovë, Kastrati 15-vjeçare humbi nënën e saj Ajshen dhe motrën Luljetë. Menjëherë pas kësaj tragjedie ajo do të njihej me botën filmike dhe kamera kthehet në një mjet thelbësor për të treguar histori të rëndësishme. Që atëherë ajo është drejtoreshë e fotografisë në disa prej filmave që kanë lënë gjurmë në kinematografinë e Kosovës, si: “Kthimi” i vitit 2012 nën regji të Blerta Zeqirit, që mori Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sundance, filmi i gjatë “Martesa” po ashtu nga Zeqiri që u dha premierë në “Tallinn Black Night” dhe ishte propozimi i Kosovës për “Oscar” më 2018, filmi i gjatë “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, që u dha premierë në Festivalin e Filmit në San Sebastian në vitin 2018, “Derë e hapur” nga Florenc Papas, produksion i vitit 2019, si dhe “Zana” nën regji të motrës së saj Antoneta Kastrati, që u dha premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto vitin e kaluar, kandidat i Kosovës për nominim për “Oscars 2020”.

Ky takim është bashkorganizuar nga rrjeti EWA (Rrjeti Evropian i Grave Audiovizive) dhe EURO-MEI (UNI Europa - Media, Media, Entertainment & Arts) në partneritet me EFAD (Shoqata e Regjisorëve të Agjencisë Evropiane të Filmit) dhe “Cineuropa”. Takimi do të mbahet në zoom të premten prej orës 11:00 deri në orën 13:00 në https://zoom.us/webinar/register/WN_Ab2T7QKAS52COovBPYpFlA.