Kulturë

Kinemaja evropiane po ia cenon shkëlqimin Hollywoodit

Filmat

Kinemaja evropiane po përjeton një moment të veçantë. Dhe, jo një të krijuar artificialisht nga departamentet e marketingut apo kompanitë e lodrave.

Ndërkohë që shumë nga Hollywoodi dyfishojnë përpjekjet me vazhdime filmash, superheronj dhe filma horror, filmat më jetësorë të vitit të kaluar kanë ardhur nga Evropa. Jo si fantazi arratisëse të adaptuara nga librat komikë, lodrat apo lojërat video, por si histori kërkuese dhe politikisht të angazhuara që u drejtohen drejtpërdrejt të rriturve. Këta janë filma që supozojnë se shikuesit janë të gatshëm të përballen me paqartësi, parehati morale dhe pyetje të pazgjidhura. Ata s’ju bëjnë lajka audiencave. I sfidojnë.

Kjo qasje është plotësisht e dukshme në Çmimet Evropiane të Filmit, çmimi më i lartë i kinemasë evropiane, që mbahet në Berlin.

Filmat nga Franca, Gjermania, Spanja, Skandinavia dhe më gjerë  ndajnë një seriozitet që bëhet gjithnjë e më i rrallë në kinemanë kryesore amerikane. Ata janë formalisht të guximshëm, shpesh tronditës dhe pa turp politik. Dhe, për herë të parë pas shumë vitesh, disa prej tyre janë edhe pretendues qendrorë në garën më të gjerë të sezonit të çmimeve, përfshirë “Oscars”.

Një pretendues qe drama iraniano-franceze e Jafar Panahi, “It Was Just an Accident”, një film që arrin të kombinojë komedinë e zezë dhe satirën politike me forcë morale dhe ritmin e një “thrilleri à la Hitchcock”.

Premisa është mashtruese në thjeshtësinë e saj: Vahid, një ish-i burgosur politik, beson se njeh njeriun që dikur e ka torturuar. I nxitur nga impulsi, ai e rrëmben njeriun dhe e çon në shkretëtirë për ta varrosur të gjallë. Por në burg Vahid ka qenë gjithmonë i lidhur në sy. Ai nuk mund të jetë i sigurt se ka kapur njeriun e duhur. Kështu, me njeriun të lidhur dhe të mbyllur gojën në pjesën e pasme të furgonit, ai udhëton nëpër qytet duke marrë ish-të burgosur të tjerë për të debatuar nëse duhet të marrë hak apo të tregojë mëshirë.

Ajo që pason është një film njëherësh i errët dhe makabërisht komik. I realizuar pasi vetë Panahi kreu shtatë muaj burg për “propagandë kundër qeverisë”, filmi është një sulm i hapur kundër autoritarizmit, i zemëruar dhe njëkohësisht lozonjar, pa u bërë kurrë didaktik apo i thjeshtëzuar.

Me protestat në Iran dhe dhunën shtetërore në rritje, "It Was Just an Accident" duket dhimbshëm aktual.

Panahi ndërkohë është dënuar në mungesë me edhe një vit burg dhe një ndalim dyvjeçar pune, dhe ka thënë se synon të kthehet në Iran pas mbarimit të sezonit të çmimeve pavarësisht pasojave.
Nëse filmi i Panahit është një triler politik i maskuar si enigmë morale, “Sirat” i Oliver Laxe është diçka më e çuditshme dhe më elementare.

Filmi nis si një histori kërkimi: një baba kërkon vajzën e tij të zhdukur, e cila është futur në skenën e rave-ve underground të Marokut. Pastaj toka lëkundet nën këmbë. Ushtria mbërrin. Duket se ka shpërthyer një konflikt global — ndoshta Lufta e Tretë Botërore — edhe pse filmi nuk sqaron asnjëherë çfarë ka ndodhur. Babai, djali i tij i vogël dhe një grup të rinjsh që ndjekin rave-et largohen në shkretëtirë me furgonët e tyre kamping.

Ajo që pason është një përzierje zhanresh që të acaron nervat: pjesërisht film ndjekjeje post-apokaliptik, pjesërisht thriler ekzistencial, i shtyrë përpara nga një kolonë zanore techno e pamëshirshme nga artisti elektronik me bazë në Berlin, Kangding Ray. Mendo “The Wages of Fear” i filtruar përmes “Mad Max: Fury Road”, por pa cinizëm dhe me një nënrrymë shpirtërore dhe psikedelike.

Linja e sivjetshme e EFA-s përfshin edhe filma që funksionojnë në një ton më të qetë e intim. Melodrama norvegjeze e Joachim Trier, “Sentimental Value” që fitoi Çmimin Evropian, dhe epika historike gjermane e Mascha Schilinski, “Sound of Falling”, i vendosin personazhet dhe emocionet mbi komplotin dhe aksionin.

Filmi i Trierit përqendrohet te Gustav Borg, një ish-regjisor i famshëm (i luajtur nga Stellan Skarsgard, fitues i një ‘Golden Globe’ për këtë rol) i cili ndodhet në krizë personale dhe krijuese, dhe përpiqet të rilidhet me vajzën e tij të rritur, të larguar prej tij (Renate Reinsve), tashmë aktore e njohur. Zgjidhja e tij është parashikueshëm e gabuar: ai shkruan një film për të, duke shpresuar të ringjallë karrierën dhe të rregullojë marrëdhënien e tyre. Kur ajo refuzon, Borg mendon ta zëvendësojë me një yll amerikan (Elle Fanning) dhe ta rishkruajë projektin në anglisht.

Filmi prek lehtësisht satirën e industrisë — ka jehona të Bergman dhe Fellini — por bërthama e tij emocionale është e dhimbshme dhe personale. Fitues i “Grand Jury Prize” në Cannes “Sentimental Value” është shkatërrues në heshtje, një film për mënyrën se si arti mund të shprehë atë që njerëzit nuk munden t’ia thonë njëri-tjetrit drejtpërdrejt.

“Sound of Falling” funksionon në një kornizë më të gjerë historike. I vendosur në të njëjtën fermë rurale gjermane, filmi ndjek katër breza grash përgjatë një shekulli të historisë gjermane. 
Drama zvicerane e Petra Volpe, “Late Shift”, e shndërron krizën e kujdesit shëndetësor në një përjetim në kohë reale, duke ndjekur një infermiere të vetme (Leonie Benesch) gjatë një nate rraskapitëse në detyrë.

Kaouther Ben Hania me “The Voice of Hind Rajab” përball shikuesit me historinë e vërtetë dhe tronditëse të vrasjes së një vajze të vogël në Gaza, duke refuzuar çfarëdo komoditeti të distancës apo abstragimit.

Edhe Yorgos Lanthimos me “Bugonia”, filmi më i çuditshëm i grupit, përdor teoritë e konspiracionit dhe paranojën ndaj alienëve si mjete për satirë sociale, dhe jo për arratisje.

Fakti që këto lloj filmash – inteligjentë, radikalë dhe sfidues – po marrin vlerësim nga European Film Academy nuk është gjë e re. Ky lloj kinemaje ka qenë gjithmonë qendror në identitetin e EFA-s. Ajo që duket ndryshe këtë vit është sa larg po arrijnë këta filma përtej Evropës.

“It Was Just an Accident”, “Sirat” dhe “Sentimental Value” janë të gjithë pretendues seriozë për “Oscar” jo vetëm për kategorinë e filmit ndërkombëtar, por edhe për regjisorin më të mirë dhe madje edhe filmin më të mirë. Dy filma të animuar të nominuar nga EFA, filmat francezë të vizatuar me dorë “Arco” dhe “Little Amelie or the Character of Rain”, janë gjithashtu ndër favoritët.