Kulturë

Kërkesën e Kosovës për artefaktet Serbia e quan “kërcënim të trashëgimisë”

Pa u bërë 24 orë nga publikimi i letrës së Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe asaj të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që u janë nisur institucioneve në Beograd si kërkesë për kthimin e artefakteve të grabitura më 1998-1999, Qeveria e Serbisë ka shpërthyer me akuza. Ka reaguar me gjuhën e njohur, duke e cilësuar kërkesën e tillë si “largim të vëmendjes nga shkatërrimi i trashëgimisë kulturore”, “shtrembërim faktesh e falsifikime”, “keqpërdorim të emrit të UNESCO-s” e “konfirmim të kërcënimit ndaj trashëgimisë kulturore”. Për njohësit vendorë të kësaj çështjeje, Qeveria e Kosovës ka bërë hapin e duhur dhe nuk duhet ta ndalë presionin ndaj Serbisë, por duhet ta shtrijë atë edhe në qarqe ndërkombëtare

Kërkesat e Kosovës për kthimin e artefakteve që tash e dy dekada mbahen në Beograd, për Qeverinë e Serbisë janë tentim për “largim të vëmendjes nga shkatërrimi i trashëgimisë kulturore” dhe po ashtu “shtrembërim faktesh e falsifikime”. Një ditë pasi në adresë të tri institucioneve serbe janë nisur dy letra, Qeveria e Serbisë ka reaguar me gjuhën e njohur. Ka akuzuar Kosovën për “keqpërdorim të emrit të UNESCO-s”. Kërkesat i ka quajtur si konfirmim të “kërcënimit ndaj trashëgimisë kulturore”.

Në anën tjetër, letrat e nisura në Serbi si kërkesë për kthim të artefakteve që iu morën vendit më 1998-1999, nga njohës vendorë të kësaj çështjeje janë duke u parë si hap i duhur nga shteti i Kosovës. Sipas tyre, presioni i Qeverisë së Kosovës nuk duhet të bëhet vetëm në drejtim të Serbisë, por nëpërmjet kanaleve diplomatike duhet të që asaj t’i ushtrohet edhe presion ndërkombëtar.

Pa u bërë 24 orë nga publikimi i letrës së Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe asaj të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që u janë nisur institucioneve në Beograd, Qeveria e Serbisë ka shpërthyer me akuza.

Shpërthimi i propagandës serbe

Në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, Kosova ka kërkuar që 1247 artefakte të kthehen në vendin prej ku janë marrë. Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u janë kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, të mërkurën u është drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi. Por, para se të flasin këto institucione, ka folur Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, që udhëhiqet nga ministrja Maja Gojkoviq.

Në reagimin e së enjtes, Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi ka bërë të ditur se “lidhur me kërkesën e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë për ‘kthimin e artefakteve’, Ministria e Kulturës dhe Informacionit thekson se ky është padyshim një tjetër keqpërdorim në serinë e abuzimit të kulturës për të promovuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe Metohisë dhe fabrikim i legjitimitetit të rremë të institucioneve”.

“Në kontekstin kur në rrafshin ndërkombëtar qartazi dihet për rrezikimin e trashëgimisë kulturore në hapësirën e Kosovës e Metohisë, prej shkatërrimit të organizuar e sulmeve vandale në objektet fetare e kulturore e deri te projektet infrastrukturore në funksion të cenimit të trashëgimisë kulturore që zgjat me dekada, kërkesat e institucioneve të përkohshme në Prishtinë janë ekskluzivisht në funksion të tërheqjes së vëmendjes nga rrezikimi i trashëgimisë kulturore dhe krijimit të iluzionit për kujdes ndaj saj”, shkruhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Aty aludohet se “falsifikime dhe shtrembërime të shumta vërtetohen në kërkesë, siç janë marrëveshjet e pretenduara midis institucioneve, përmes moszbatueshmërisë së Konventës së UNESCO-s, së cilës i referohet dhe e cila përmendet vetëm për të keqpërdorur emrin e kësaj organizate, deri në shtrembërime kur merret për referencë Plani i Ahtisaarit”.

“Ministria e Kulturës dhe Informacionit beson se raste të tilla edhe një herë e konfirmojnë kërcënimin ndaj trashëgimisë kulturore dhe Republika e Serbisë do të vazhdojë ta mbrojë me përkushtim trashëgiminë kulturore nga të gjitha sulmet dhe përpjekjet për ta abuzuar dhe shkatërruar”, shkruhet në komunikatë.

Faktet e palës kosovare

Në letrën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, si institucion të cilit i janë marrë artefaktet më 1998 dhe 1999 për ekspozim të përkohshëm, sqarohet se kthimi i tyre është detyrimin i trefishtë. Si detyrim i parë përmenden marrëveshjet e nënshkruara midis institucioneve, që parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë të cilit janë.

“Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër si fakt i dytë.

Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd. Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.

“Ato duhet të kthehen sa më parë në vendin e tyre të origjinës. Për ta realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, shkruhet në letër. Aty po ashtu kërkohet të caktohet një takim midis institucioneve të të dyja shteteve.

Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u është dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Dyshja ka shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë.

“Presioni ndaj Serbisë të shtrihet edhe në rrafsh ndërkombëtar”

Në Kosovë konsiderohet se presioni ndaj Serbisë duhet të rritet. Akademiku Luan Mulliqi, i cili prej vitit 1999 deri më 2008 ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe koordinator për strategji e diplomaci kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se gjatë takimeve që kanë në UNESCO kanë kërkuar që këto artefakte të kthehen, mirëpo asnjëherë nuk kanë gjetur mundësi që të bëjnë një presion më të madh.

Sipas tij, Serbia, kur i ka marrë artefaktet, ka pasur qëllim të marrë një pjesë e identitetit të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Është një strategji e veçantë e tyre e cila nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, por edhe me shtetet të tjera, siç është rasti me një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore që është marrë nga Kroacia dhe nuk është kthyer ende”, ka thënë ai. Sipas tij, edhe në kohën e kryeadministratorit të Kosovës në kuadër të misionit të OKB-së, Michael Steiner, presioni ka qenë jashtëzakonisht i madh. Por, ky presion i asokohshëm ka pasur një efekt.

Nga 1247 artefakte sa përmenden në letra, të cilat i mban Serbia, vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.

“Mënyra më e mirë është që gjatë përgatitjes së dialogut pika e artefakteve të jetë e veçantë, duke mos hyrë në çështjet e tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ligjin e trashëgimisë kulturore e kemi të përpiluar nga vetë ndërkombëtarët dhe si i tillë i plotëson të gjitha elementet për mbrojtën e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.

Për Sali Shoshin, i cili udhëheq me fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”, po ashtu presioni i Kosovës duhet rritur.

Ka thënë se nuk e ka përcjellë historinë e kërkesave të Muzeut drejtuar institucioneve të Serbisë që nga viti 1999.

“Mirëpo, unë mendoj që Muzeu dhe MKRS-ja duhet të bëjnë presion përmes letrave direkte, por edhe përmes letrave në instanca të tjera ndërkombëtare, për ta ngritur çështjen e grabitjes së artefakteve të Kosovës”, ka thënë ai. Sipas tij, tashmë në nivele ndërkombëtare ka mekanizma që merren me çështjet e rikthimit të pasurive kulturore në vendet post-koloniale.

“Besoj që MKRS-ja duhet ta ndërtojë një strategji serioze për ta ndërkombëtarizuar çështjen e artefakteve”, ka thënë ai.

Të mërkurën, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka thënë KOHËS se për dërgimin e letrave është duke u kujdesur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “Do të thotë, nëpërmjet kanaleve diplomatike”, ka thënë se Çeku. Sipas tij, letrat janë vetëm veprimi i parë.

“Besoj që veprimet tona nuk duhen ndalur derisa ta kthejmë të gjithë koleksionin”, ka thënë Çeku.

Politika kosovare deri tash nuk ka arritur ta bëjë ndonjë hap konkret në raport me kthimin e artefakteve.

Prej vitit 2011, prej se mbahen ato që janë quajtur bisedime teknike midis Kosovës e Serbisë në Bruksel, kjo dhe çështje të tjera që lidhen me trashëgiminë kulturore kanë qenë temë e një raundi të vetëm. Madje, pala kosovare më 2011 kishte thënë se pala serbe me fjalë kishte treguar gatishmëri për kthimin e artefakteve.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e palës kosovare në bisedime, kishte thënë se Kosova ka dërguar në Bruksel edhe këtë çështje si nevojë për të biseduar, por në agjendë nuk është futur. Sipas Tahirit, në vitin 2011 – kur ka filluar dialogu teknik – një prej çështjeve që ka qenë në agjendë me Serbinë ishte edhe kompensimi i dëmeve të luftës që ka bërë Serbia në Kosovë në fushën e trashëgimisë kulturore. Asokohe, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i kishte dorëzuar asaj platformën dhe strategjinë e bisedimeve sa i përket trashëgimisë kulturore. Në njërin prej raundeve të bisedimeve, palën kosovare e ka shoqëruar edhe delegacioni i MKRS-së. Ishte kërkuar edhe kthimi i artefakteve.

“Është parë një gatishmëri ndoshta më tepër retorike sesa ndonjë seriozitet”, kishte thënë Tahiri.

E më 2014, Kosova kishte përgatitur një skemë të temave për të cilat do të diskutohej në të ardhmen. Aty bënte pjesë edhe kthimi i artefakteve. Por, propozimet nuk kishin hyrë kurrë në agjendën e dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.