Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kalaja e Petralbës, kështjella kryesore e Kastriotëve

Specialistët e DRKK-së Shkodër kanë kryer disa inspektime në sitin e Kalasë së Petralbës e cila ndodhet mes fshatrave Gur i Bardhë dhe Fshat në Bashkinë Klos e ndërtuar mbi një kreshtë malore në një lartësi rreth 800 m. Së bashku me kalanë e Xibrit, kontrollonte rrugën Dibër-Qafë Murrizë.

Petralba dhe Stelushi, ishin dy kështjellat kryesore të Kastriotëve në mesjetë, shkruan atsh.

Fillimet e veta ky fortifikim i ka që në antikitet të vonë, për t’u përforcuar sërish në shek. XV nga Skënderbeu. Për vlerat historike dhe arkeologjike që ruan kjo kala, në vitin 1973 merr statusin “Monument Kulture” i kategorisë së parë.

E vendosur në një pikë strategjike mbi luginën e Matit, Petralba kontrollonte pjesën më të madhe të saj si edhe akset lidhëse, ku më kryesorja ishte padyshim Rruga e Arbrit, që niste nga Durrësi, Albanapoli, Pershqopi e Petrela, Qafë Murrize, zbriste në këmbë të fortesës së Petralbës.

Përshkrimin më të plotë të rëndësisë historike të Kalasë së Petralbës e gjejmë tek “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit, i cili në origjinal e quan atë Petram Albam, që në shqip është Guri i Bardhë.

Sipas Barletit, Skënderbeu në vitin 1443 pasi ka marrë Krujën dhe Petrelën i është drejtuar Petralbës.

Edhe Për 50 vjet nuk ka asnjë zbulim arkeologjik për Skënderbeun Kulturë Për 50 vjet nuk ka asnjë zbulim arkeologjik për Skënderbeun

“Duke vazhduar drejt rrugën, arritëm në Petralbë, e cila është larg nga Petrela 30 mijë hapa, nga Kruja po 30 mijë, ndërsa Petrela nga Kruja 25 mijë hapa. Ky është një qytet në Mat, i ndërtuar mu në majë të një mali të vogël, por që s’i trembet, megjithëkëtë, përveç urisë, asnjë fuqie armiku. Veç kësaj, lumi i Matit, që rrjedh rrëzë malit, duket se i shton këtij vendi jo më pak bukurinë sesa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë. Sapo ushtria zuri vend e nguli çadrat nën muret, erdhën disa të dërguar nga ata të qytetit të Skënderbeut dhe i bënë me dëshirën e vet dorëzimin e qytetit. Edhe këtyre u dhanë dhe ua mbajtën gjithë zotimet, që u kishin dhënë e mbajtur më parë petrelasve, dhe bashkë me rojën armike u dërguan disa nga tanët për t’i ruajtur se mos pësonin gjë nga banorët e krahinës”, shkruan Barleti.

Barleti e provon plotësisht faktin se Skenderbeu ka ndenjur familjarisht në Petralbë. Madje sipas gojëdhënave ashtu si ai vetë edhe i biri i tij, Gjoni kanë lindur pikërisht në këtë kala. Por Petralba, nuk ishte thjeshtë e vetëm një zonë banimi. Për Skënderbeun, gjithnjë sipas Barletit, kalaja dhe zona ishin edhe një prapavijë shumë e rëndësishme luftarake.