Arkitektura brutaliste është vetëm pikënisje. Aty zbërthehet në esencë brutalizmi i realitetit si ai përballë arkitekturës kësisoj, qenies njerëzore në raport me kafshët, tranzicionit të pafundmë. Por mënyra se si e rrëfen Driant Zeneli nuk është brutale. Peshë u jep përrallave të fëmijëve, që vijnë si leksion
Përrallat zakonisht u tregohen fëmijëve nga të rriturit. Por Driant Zeneli vepron ndryshe. Projekti i tij ka bërë që fëmijët t’u tregojnë përralla të rriturve. Në parim mund të duket njëfarë provokimi apo shpalosje e imagjinatës së fëmijëve përballë të rriturve. Por Zeneli shkon më tej. Prek fabulat, imagjinatën, disa pike kryesore të fuqisë e dobësisë së sistemeve e të shteteve. Tranzicioni ballkanik është aty. Shkon deri në nivelin sa pyet nëse fabula është më reale sesa realiteti i përditshëm që tregohet si fabul. Nganjëherë s’ka dyshime për këtë. Pikënisja: arkitektura brutaliste.
Driant Zeneli (39) nga Shkodra ka një lidhje të fortë me arkitekturën brutaliste. Tri videot e tij në katin e 9-të të hotelit “Grand” për skenografi kanë arkitekturën brutaliste, që kryefjalë ka betonin e vrazhdë. Por nuk ndalet me kaq te skenografia. Edhe tri hapësirat ku mund të shihen veprat, kanë skenografi një ndërtesë brutaliste si hoteli i inauguruar me 1978, dikur më me nam jo veç në Prishtinë.
“Kafshët. Na ishte njëherë... në kohën e sotshme” është projekti i Zenelit që nisi para tre vjetësh. Asokohe artisti përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie më 2019 me “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”. Triptiku i tij zë fill po atë vit, kur nga Galeria Kombëtare e Kosovës u ftua për të hapur ekspozitë personale. Në fund të janarit të vitit 2020 u prezantua me “N’përpjekje për me u çue”.
Derisa bëhej gati për ekspozitë, në bashkëpunim me fondacionin “Bonevet” kishte mbledhur një grup fëmijësh dhe nëpërmjet punëtorisë për rrëfimin e historive, u finalizua rrëfimi bashkë me personazhet. Aty lindi “No wise fish would escape without flying” (Asnjë peshk i mençur nuk mund të ikë pa fluturuar). Laboratorin e punëtorinë tash i ka zhvendosur në hotelin “Grand” për një tjetër fabulë.
Kur flet për projektin në përgjithësi, Zeneli tregon se fabula është modeli.
“Çdo fabulë është e ndërtuar në një kontekst. Në këtë rast konteksti është arkitektura brutaliste. Çdo fabul ka të paktën dy personazhe. Në këtë rast kemi personazhet si peshku fluturues me peshkaqenin, ose xixëllonja me gjarprin ose siç kemi pilivesën me oktapodin”, ka treguar ai.
Që të tri videot janë në kontekste të ndryshme. Arkitektura brutaliste e tërheq “si një trup i lënë”.
“Si një trup, që dikur ka pasur një jetë shumë të rëndësishme dhe tash po kërkon edhe njëherë rijetësim”, ka shpjeguar Zeneli. Modernizmi si frymë e arkitekturës në këto anë ka ardhur më vonë. Lulëzimin e pat prej viteve ‘50 deri në fund të viteve ’80. Tri dekadat e fundit është në tatëpjetë e sipër. Por këtë shpërfytyrim të asaj arkitekture, që ishte model në ish-Jugosllavi e deri diku edhe në Shqipërinë socialiste, Zeneli e shpjegon në kontekste të ndryshme.
“Këta trupa në këto 30 vjet tranzicion, kanë treguar jostabilitetitn e rajonit. Duke parë se si janë transformuar në qendra kulturore, diskoteka e të tjera, akoma sot janë në diskutim e sipër”, ka treguar ai. Njihet për videot a filmat, që prekin limite. Bile në një rast më 2012 me videon “Ata që u përpoqën të rivendosin ylberin në qiell” luan me limite sa disave u hyn mendja ta kthejnë në qiell ylberin e rënë poshtë. Njëfarë urie për heroizëm.
Në formën e tij të narrativit gjithmonë i kanë pëlqyer fabulat si për ta treguar dhimbjen ashtu edhe për ta treguar një realitet.
“Nuk më ka interesuar kurrë dokumentimi, por se si të tregohen përralla rreth e rrotull një fakti”, nënvizon ai.
Tek “Asnjë peshk i mençur nuk mund të ikë pa fluturuar”, fëmijët gjatë punëtorisë kishin imagjinuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” si një rrjetë të madhe ku një peshk ka përfunduar brenda dhe kërkon shpëtimin, pasi një peshkaqen ia ka mësyrë ta gllabërojë.
“Peshku gjen formën, krijon krahët, që janë dron dhe largohet drejt diellit...”, ka treguar Zeneli.
Te videoja e dytë, që ndodhet në “Grand”, “How deep can a Dragonfly swim under the Ocean” (Sa thellë mund të notojë një pilivesë nën oqean”) ka marrë përsipër ta shtjellojë nëpërmjet një historie që ka bazë reale.
“Në fund të fundit shpeshherë, përrallat janë më të vërteta se realiteti”, ka treguar Zeneli.
Rilond Risto ka bërë 21 vjet burg për një vrasje, që sipas tij nuk e ka bërë. Kjo pjesë është një histori, që artistit nuk i ka interesuar. Por ajo që e kishte bërë për vete Zenelin, ishte se ai, si formë mbijetese në burg kishte përdorur një “terapi”. Kishte krijuar insekte brenda burgut duke përdorur gjithçka, që gjente përreth. Ngjason pak me ato historitë e rrëfyera nga kleriku Zef Pllumi te vepra me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” ku shpaloste përjetimet në burgjet e kampet e Shqipërisë komuniste. Pllumi tregon se në burg njerëzit krijonin lidhje edhe me buburrecat. E në rastin e Ristos insektet ndërtoheshin.
“Pilivesa duhej të tregohej në një kontekst. Ku kishte më mirë se arkitektura brutaliste si Piramida e Tiranës, ku supozohej se do të ishte mauzoleu i Enver Hoxhës? Më pas në vitet ’90 pati jetëzime të ndryshme. E tash po ritransformohet. Unë kapa momentin e transformimit më 2020 në pandemi”, ka treguar Zeneli. Për kafshë të dytë kishte zgjedhur një oktapod, që ishte i vizatuar aty në muret e ndërtesës. Filmi flet për një pilivesë, që nuk mund të fluturojë. Pra do shkëputje nga toka, si personazhi real nga burgu.
“E vetmja formë është që të ushqehet me trupin e oktapodit që ka mbetur si fosil brenda. Oktapodi është i nevojshëm që pilivesa të mbijetojë. Historia e kësaj pilivese është se po kërkon të largohet, si shumë shqiptarë, që duan të largohen nga vendi i tyre”, ka treguar ai duke e lidhur atë me personazhin real.
Për videon e tretë ishte zhvendosur në Shkup. “The firefly keeps falling and the snake keeps growing”(Xixëllonja vazhdon të bjerë dhe gjarpri vazhdon të rritet) është fabula, që zhvillohet në selinë qendrore të Postës së Maqedonisë, një prej ndërtesave më ikonike sa i përket arkitekturës brutaliste. Aty zë vend edhe një përrallë e vjetër mesjetare. Zeneli me mjeshtri bazohet në një prej fabulave të Ezopit, për të ndërtuar të tjera.
“Është historia e një xixëllonje dhe e një gjarpri”, ka treguar ai. Gjithçka fillon me pyetjet e xixëllonjës: “A jam pjesë e sistemit tënd ushqimor? A të kam bërë gjë të keqe? Pse do të më hash?”, i drejtohet ajo gjarprit.
sepse xixëllon”, është përgjigjja e zvarranikut. Nëse flasim për metafora, zilia sidomos ajo midis njerëzve, ndërhyn brutalisht. Filmi u realizua bashkë me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Shkup.
“Bashkë me studentët kemi zhvilluar skenarin, ku xixëllonja xixëllon në trupin e gjarprit derisa shpërthen dhe gjarpri merre flakë. Ajo i thotë: ‘Tash mund të xixëllosh edhe ti’”, ka treguar ai për filmimet në ndërtesën e vitit 1974, që bën pjesë edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s.
Artisti ka shpjeguar se ishte i tërhequr si një fëmijë ndaj këtyre trupave arkitekturorë.
“Nëse BKK-ja shihet si një ndër veprat më të bukura në Ballkan apo si metaforë e gllabërimit unë doja ta jepja një vizion të tretë: ta ndërtoj një përrallë”, ka thënë ai derisa ka folur për videot me shumë mesazhe. Moralin nuk e ka në fokus e as në periferi. Janë tri personazhe kryesore, që i lidh fluturimi.
“Ndoshta kjo tentativa për t’i prekur limitet tona e duke kërkuar që të bëhemi edhe heronj e të dështojmë nganjëherë...”, thotë ai derisa flet për metaforat e veprave.
Bashkë me fëmijët me të cilët punon çdo të enjte kanë formësuar një struc. Imagjinata fëmijërore do ta ballafaqojë atë me një kafshë tjetër. “Struci është edhe metafora e pushtetit, që fsheh kokën përballë realitetit”, ka thënë Zeneli. Qëllimi është që punëtoritë, pos narracionit, të kenë edhe efekt edukues duke modeluar edhe kafshë nga plastika e ricikluar. Do të vazhdojë që në botën e tij, të kërkojë shpëtim të arkitekturës brutaliste. Të flasë për fuqinë e këtyre veprave, braktisjen, shkatërrimin e mundësinë për rikthim në jetë.
“Ndoshta fabula në këtë moment është më reale sesa realiteti, që po na tregohet si fabul. Çdo ditë”, ka thënë Zeneli.