Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ka filluar Kampi rajonal i restaurimit

Në Muzeun e Kosovës ka filluar sot Kampi rajonal i restaurimit nga fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij - Shqipëri” (CHwB Albania), me temë “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”. Sipas njoftimit për medie, në të po marrin pjesë 20 profesionistë të rinj dhe 8 ligjërues e konservues nga Ballkani dhe Europa.

Pjesëmarrësit do të fokusohen në konservimin e objekteve dhe interpretim në Muzeun e Kosovës, transmeton Koha.net. Ligjëratat dhe ushtrimet, që do të mbahen përgjatë Kampit, do të mbulojnë tema si: konservimi dhe rijetëzimi i objekteve muzeale, principet dhe metodat e dokumentimit, si dhe teori dhe ushtrime të interpretimit të trashëgimisë. Pjesëmarrësit do të punojnë nën drejtimin e një ekipi restauratorësh ndërkombëtarë dhe stafit të Muzeut të Kosovës. Objektet e punës variojnë nga ato të gurit, qeramikës, metalit, tekstilit, si dhe objekte të bëra nga materiale të përzier.

Ky Kamp rajonal i restaurimit organizohet në partneritet me Muzeun e Kosovës, si dhe mbështetet financiarisht nga shteti i Suedisë.

Kampi do të zgjatë deri më 26 maj 2017.

Sot, në ditën e tretë, ka filluar të marrë formë murali “Ne jemi trashëgimia”, i cili prezanton kreativitetin e nxënësve të inspiruar nga thesari muzeor, duke e pasqyruar atë në kontekstin artistik. Ky mural është pjesë e programit edukativ mes Muzeut të Kosovës dhe Shkollës teknike “28 Nëntori” në Prishtinë. Murali në fjalë pritet të përfundojë me 18 maj 2017, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.