E bujshme qe vepra e “Orange Girl” e cila u përfol dhe u shpërnda me të madhe në rrjete sociale. Ajo që artistja Ermirë Murati e quan si “puthje vëllazërore”, i ka sjellë kërcënime e ofendime në adresë të saj. Mesazhi i saj është më i thellë, ndonëse nuk mungon provokimi, i cili vjen edhe prej emërtimit të veprës. “K is S” paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq duke u puthur. Vepra u plasua në ditën e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e artistja paralajmëron edhe të tjera të këtij cikli të cilat trajtojnë temat tabu në shoqërinë kosovare.
Fotografitë e veprës filluan të shpërndahen pak momente “Orange Girl” publikoi veprën e re në rrjetet sociale. Bashkimi me puthje i dy figurave të elitës politike që në takimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, jo rrallë zgjedhin të mos shtrëngojnë as duart, ka bërë bujë. Ka provokuar fort. Sipas artistes Murati me emrin artistik “Orange Girl”, një pjesë e reagimeve janë nxitur jo veç për shkaqe politike, por edhe nga homofobia. Megjithëse sipas saj, vepra nuk ka të bëjë e as nuk synon të dërgojë mesazhe për komunitetin LGBT+ dhe se i vetmi mesazh është ai politik.
“Marrëdhënia Kurti-Vuçiq nuk është një marrëdhënie e shëndoshë, ata kanë inat ndaj njëri-tjetrit, të dy gjithashtu kanë interesa personale, politike, gjë e cila bën që njerëzit e shteteve të tyre të ngecin të pazhvilluar nga kjo lufta e tyre diplomatike dhe inatet. Prandaj, çfarë nëse i shohim këta të dy duke u puthur?! – një pamje që nuk e kemi parë asnjëherë. Kjo sigurisht se do të nxisë reagime dhe diskutime në rrjete sociale”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo pikturë po e sjell një ide te njerëzit.
“Çkado që të jetë ajo, qoftë ‘make love, not war’, qoftë ajo ‘Puthja Vëllazërore’ e murit të Berlinit apo vetëm një paraqitje ndryshe e dy personave të përditshmërisë sonë”, ka thënë artistja Ermira Murati për KOHË-n.
Veprat e saj, për shkak të tematikës që trajtojnë, kanë nxitur reagime e janë kritikuar edhe më parë. Sipas Muratit, piktura mund të shihet nga një perspektivë tjetër kur njerëzit i largojnë gjykimet homofobike. Ajo ka treguar se për veprën “K is S” të publikuar mesditën e 17 shkurtit ka marrë edhe kërcënime.
“Vepra ka pasur shpërndarje jashtëzakonisht të madhe si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kam pranuar ofendime e kërcënime si nga kosovarët por edhe nga serbët por njësoj, kam parë edhe kosovarë edhe serbë që në fakt u ka pëlqyer paraqitja e Kurtit dhe Vuçiq në këtë mënyrë”, ka treguar artistja e cila ka theksuar se politika nuk është në interesin e saj, por është faktor prej së cilës është ndikuar.
veprat e saj trajton kryesisht temat sociale, me fokus te gratë. Ideja për “K is S” i kishte lindur disa muaj më parë dhe punën në të e kishte filluar në fillim të janarit. Vepra është punuar në pëlhurë me dimensione 3 me 1.60 metra. Figurat e fytyrës së Kurtit dhe Vuçiqit, bashkë me duart e tyre që janë projektuar në vepër tek e mbajnë njëri-tjetrin, janë punuar me teknikën e lapsit dhe paraqiten si tejet reale, por të zbehta në proporcion me prapavijën dhe trupat e tyre. Të dy paraqiten në veshje solemne dhe ato i vënë më në pah loja me ndriçim që nxirret prej ngjyrës së bardhë.
Cikli i veprave “K is S” që për element kryesor ka puthjen përfshin disa vepra të mëparshme të artistes Murati që gjithashtu ishin përfolur e komentuar goxha. Piktura ku paraqiten dy burra me veshje kombëtare duke u puthur, ishte publikuar në korrik të vitit 2021. Një pjesë e elementeve të veshjeve kombëtare janë zëvendësuar me ngjyrat e komunitetit LGBT+. Disa muaj më pas, në tetor, ishte publikuar edhe vepra që paraqiste puthjen mes dy vajzave në veshje kombëtare me elementet e njëjta në to.
“Besimi im është që arti nuk duhet që gjithmonë t’u pëlqejë të gjithëve, në momentin kur një vepër arti të ofendon atëherë ke diçka për të mësuar aty. Prandaj, pavarësisht se si e presin njerëzit, vlera e këtij projekti është e madhe dhe unë ua sugjeroj atyre që e dinë vlerën e artit që të presin për temat e reja që ‘K is S’ do t’i trajtojë. Ndërsa, këto vepra do të mbesin në histori për fuqinë e tyre që e përmbajnë”, ka thënë në përfundim “Orange Girl”.
“Orange Girl” prek temat tabu me art. Murali “Love is Love is Love” paraqet të përqafuar një çift nga kryeqyteti që i përket komunitetit LGBT+ dhe vazhdon të shfaqet në murin e Fakultetit e Filozofisë. Ishte përuruar në fillim të gushtit për së dyti herë, pasi ishte dëmtuar me bojë të zezë pak ditë pasi u përfundua në kuadër të bienales “Manifesta 14”. Në inaugurim ishte theksuar se pavarësisht vandalizmave apo urrejtjeve, dashuria mbetet dashuri. Murali ka mbetur i pandryshuar ani pse ishte paralajmëruar që të plotësohej më tej në prapavijë me mendimet e njerëzve për dashurinë.
Po atë muaj, për të ishte ndarë një pjesë muri në rrugën “B” në Prishtinë për muralin e saj në kuadër të festivalit të muraleve “Meeting of Styles” që i ishte fshirë nga organizatorët pas kërkesës së banorëve. I menjëhershëm kishte qenë reagimi i saj, ku kishte thënë se “arti duhet të rehatojë të shqetësuarin dhe të shqetësojë të rehatuarin”.
Folegj: “Marrëdhënia Kurti-Vuçiq nuk është një marrëdhënie e shëndoshë, ata kanë inati ndaj njëri-tjetrit, të dy gjithashtu kanë interesa personale politike gjë e cila bën që njerëzit e shteteve të tyre të ngecin të pazhvilluar nga kjo lufta e tyre diplomatike dhe inatet. Prandaj, çfarë nëse i shohim këta të dy duke u puthur?! – një pamje që nuk e kemi parë asnjëherë. Kjo sigurisht se do të nxisë reagime dhe diskutime në rrjete sociale”, ka thënë “Orange Girl” për veprën e saj