Në romanet e spiunazhit duke qëmtuar tradhtinë në zemër të inteligjencës britanike, Le Carre sprovoi pandehmat perëndimore mbi Luftën e Ftohtë duke përcaktuar për miliona njerëz dykuptimësitë morale në betejën mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit
Autori i “Tinker Tailor Soldier Spy”, John le Carre, i cili vuri spiunët me cene në fushë-shahun e zhveshur të rivalitetit të Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.
David Cornwell, i njohur në botë si John le Carre, ka vdekur mbrëmjen e së dielës pas një sëmundjeje të shkurtër në Cornwall, në Anglinë jugperëndimore.
Ai ka lënë pas vetes të shoqen, Jane, dhe katër djem. Në një deklarim të shkurtër, familja ka bërë me dije se ai ka vdekur për shkak të pneumonisë.
“Tejet e pikëllueshme të dëgjosh lajmin për John le Carre”, ka thënë Richard Moore, drejtues i Agjencisë së jashtme të inteligjencës në Britani, MI6. “Një vigan i letërsisë që la gjurmë në MI6 përmes romaneve të tij evokative e të mahnitshme”.
Në romanet e spiunazhit duke qëmtuar tradhtinë në zemër të inteligjencës britanike, Le Carre sprovoi pandehmat perëndimore mbi Luftën e Ftohtë duke përcaktuar për miliona njerëz dykuptimësitë morale në betejën mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
Ndryshe nga sqima e të padiskutueshmit James Bond të Ian Flemingut, heronjtë e Le Carres ishin të kurthuar në egërsinë e pasqyrave brenda inteligjencës britanike që gëlonte prej tradhtisë së Kim Philbyt, i cili u arratis në Moskë më 1963.
“Nuk është më luftë me të shtëna, George. Ky është halli”, thotë Connie Sachs, eksperti i alkoolizuar i inteligjencës britanike mbi spiunët sovjetikë, teksa bisedon me kapësin e spiunëve George Smiley në romanin e vitit 1979 “Smiley’s People”.
“Është gri. Gjysmë engjëjt luftojnë gjysmë djajtë. Askush s’di ku janë vijat”, thotë Sachs në romanin e fundmë të Le Carreit në trilogjinë e Karlas.
Një portretizim i këtillë i zhveshur i Luftës së Ftohtë formësoi ndjesimet popullore perëndimore mbi rivalitetin mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara që mbizotëroi gjysmën e dytë të shekullit të 20-të deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991.
Lufta e Ftohtë, sipas Le Carreit, ishte “A Looking Glass War” (siç ishte emri i romanit të tij të vitit 1965) pa heronj e ku morali ishte në shitje – apo edhe tradhtia – për padronët e spiunëve në Moskë, Berlin, Washington dhe Londër.
Tradhtia e familjes, dashnorët, ideologjia dhe atdheu përshkojnë romanet e Le Carreit që përdorin rrengjet e spiunëve si një mënyrë për të treguar rrëfimet e shteteve, veçmas dështimin sentimental të Britanisë për të parë tatëpjetën e vet pas-perandorake.
I tillë qe ndikimi i tij sa Le Carre ishte kredituar nga “Oxford English Dictionary” me terma prezantues spiunazhi si “urithi”, “qypi i mjaltit” dhe “artisti i rrugëve” në përdorimin popullor të anglishtes.
Spiunët britanikë ishin pezmatuar se Le Carre portretizonte Shërbimin e Fshehtë të Inteligjencës, MI6, si të paaftë, të pamëshirshëm e të korruptuar. Por ata ende lexojnë romanet e tij.
Adhurues të tjerë përfshijnë luftëtarë të Luftës së Ftohtë si ish-presidenti i ShBA-së, H.W. Bush, dhe kryeministrja britanike, Margaret Thatcher.
Ushtar spiun
David John Moore Cornwell u lind më 19 tetor, 1931, në Dorset të Anglisë, nga prindërit Ronnie dhe Olive, ani pse e ëma e tij, e dëshpëruar nga pabesia dhe gërnjaria financiare e të shoqit, braktisi familjen kur ai ishte pesë vjeç.
Nënë dhe bir u takuan sërish dekada më vonë paçka se djaloshi që më vonë u bë Le Carre thoshte se ai duroi “16 vjet pa përqafime” në drejtimin e të atit, një biznesmen flambojant që kaloi kohë në burg.
Në moshën 17-vjeçare, Cornwell la “Sherborne School” më 1948 për të studiuar gjermanishten në Bern, Zvicër, ku ai iu ra në sy spiunëve britanikë.
Pas një ndeshtrashe në ushtrinë britanike, ai studioi gjermanishten në Oxford, ku ai njoftonte studentët e krahut të majtë për shërbimin e brendshëm inteligjent të Britanisë, MI5.
Le Carre mori shkallën e klasës së parë para se të fillonte mësimin e gjuhëve në “Eton College”, shkolla më ekskluzive në Britani. Ai po ashtu punoi në MI5 në Londër para se të kalonte më 1960 në Shërbimin Sekret të Inteligjencës, i njohur si MI6.
I vendosur në Bonn, kryeqyteti i Gjermanisë perëndimore, Cornwelli luftoi në një nga frontet më të egra të spiunazhit të Luftës së Ftohtë: Berlini i viteve ’60.
Derisa u ngrit Muri i Berlinit, Le Carre shkroi “The Spy Who Came in from the Cold”, ku spiuni britanik është flijuar për një ish-nazist të kthyer në komunist e që është urith britanik.
“Çka dreqi mendon se janë spiunët”, pyet Alex Leamas, spiuni britanik që më në fund qëllohet te Muri i Berlinit.
“Ata janë një grusht bastardësh të ndyrë e të pacipë si unë: njerëz të vegjël, pijanecë, deledashë, bashkëshortë të rrahur, shërbyes civilë që luajnë kauboj e indianë për të ndritur jetët e tyre të shprishura”.
Duke i fshikulluar spiunët britanikë si po aq të pamëshirshëm si armiqtë e tyre komunistë, Le Carre përshkroi zhvendosjen e Luftës së Ftohtë që la njerëz të shpërfytyruar ndanë superfuqive të largëta.
“Rregullat e Moskës”
Tani i kamur, por me një martesë të shkatërruar e tepër i famshëm për të qenë spiun, Le Carre iu përkushtua shkrimit, dhe tradhtia më e madhe në historinë e inteligjencës britanike i dha atij material për kryeveprën e tij.
Zbulimi, që filloi në vitet ‘50 me dezertimin e Guy Burgessit dhe Donald Macleanit, se sovjetikët kishin rekrutuar spiunë në Cambridge për të penetruar inteligjencën britanike ciflosi besimin në shërbimet e dikurshme legjendare.
Le Carre e thuri tregimin e tradhtisë në trilogjinë Karla, duke filluar me romanin e 1974-s, “Tinker Tailor Soldier Spy” dhe duke e përfunduar me “Smiley’s People” (1979).
George Smiley rreket t’i bjerë në fije një brejtësi sovjetik në maje të shërbimit të fshehtë britanik dhe përfytet me padronin sovjetik të spiunazhit, Karla, kontrollues i brejtësit që fle me gruan e Smileyt.
Smiley, i tradhtuar nga bashkëshortja e tij aristokrate Ann (që është edhe emri i gruas së parë të Cornwellit), kurthon tradhtarin. Karla, i mundur nga përpjekja për të shpëtuar të bijën e tij skizofrene, dezerton e del krahas Perëndimit në librin e fundit.
Miq absolutë?
Pasi ra Bashkimi Sovjetik, që la të vobektë spiunët dikur të fuqishëm të Rusisë, Le Carre e ktheu vëmendjen në atë që ai e ndjesonte si korrupsioni i rendit botëror të mbizotëruar prej ShBA-së.
Nga kompanitë e korruptuara farmaceutike, luftëtarët palestinezë dhe oligarkët rusë e agjentët rrenacakë amerikanë dhe, natyrisht, spiunët e rryer britanikë, Le Carre pikturoi një pamje të zymtë – dhe ndonjëherë edhe polemike – të kaosit të botës pas Luftës së Ftohtë.
“Realizmi i ri amerikan, që nuk është gjë tjetër veç një fuqi korporate e mpleksur në demagogji, nënkupton veç një gjë: që Amerika do ta vërë Amerikën të parën në çdo gjë”, shkroi ai në parathënien e “The Tailor of Panama”.
Ai kundërshtoi invazionin e Irakut më 2003, të udhëhequr nga ShBA, dhe pezmi ndaj amerikanëve ishte i dukshëm në romanet e tij të mëvonshme, që u shitën mjaft dhe u përshtaten në filma të njohur, por që nuk iu aviten dot mjeshtërisë së bestsellerëve të tij për Luftën e Ftohtë.
Por në një jetë spiunazhi, sa prej saj ishte e vërtetë?
“Unë jam rrenc”, citohet të ketë thënë Le Carre nga biografi i tij Adam Sisman. “I lindur për të gënjyer, i rritur me të, i trajnuar për të nga një industri që gënjen për jetesë, dhe duke e praktikuar atë si romansier”.
Përktheu: Salih Mehmeti