Kulturë

“Jericho” shënon me këngë përvjetorin e Deklaratës Kushtetuese

Jo larg prej hapësirës ku ishte miratuar Deklarata Kushtetuese e Kosovës, të dielën, kur janë bërë 33 vjet prej ngjarjes, njëra pjesë e kryeqytetit ka shpërthyer në këngë e muzikë. Ndryshe prej asaj kohe, siç dëshmitarët kishin treguar, se në afërsi të Kuvendit ishin pozicionuar policë e ushtarë me tanke në të gjitha anët, atmosfera e së dielës ka qenë pasqyrë e vetë ngjarjes historike

“Festat e Korrikut” ka qenë vërtet festë të dielën mbrëma. Dhe jo rastësisht janë zgjedhur edhe datat e organizimit. 33-vjetori i Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Kosovës, e miratuar më 2 korrik 1990, u kremtua pikërisht në rrugën “2 Korriku”, që i kushtohet ngjarjes historike. Ndonëse nuk ishte njohur ndërkombëtarisht, Deklarata vinte si shpërthim i vullnetit kombëtar e politik të popullit. E bendi “Jericho”, tematika e këngëve të të cilit përfshin një pjesë të kësaj historie, ka zhytur në festë kryeqytetin - vendin e Deklaratës.

Jo larg prej hapësirës ku ishte miratuar Deklarata Kushtetuese e Kosovës, të dielën, kur janë bërë 33 vjet prej ngjarjes, njëra pjesë e kryeqytetit ka shpërthyer në këngë e muzikë. Ndryshe prej asaj kohe, siç dëshmitarët kishin treguar, se në afërsi të Kuvendit ishin pozicionuar policë e ushtarë me tanke në të gjitha anët, atmosfera e së dielës ka qenë pasqyrë e vetë ngjarjes historike.

Ritmet e muzikës elektronike së paku gjysmë ore para kohës së paraparë për nisjen e koncertit kanë qenë njëfarë ftese në festë e udhërrëfyes për vendndodhjen. Çdo hap drejt rrugës “2 Korriku” ka shënuar një shkallë të ngritjes së atmosferës. Rruga tashmë e shtruar në kalldrëm ka rritur ndjesinë e asaj kohe. Posterë të shumtë kanë bërë të ditur për ngjarjen. Aty kanë qenë edhe mbishkrime “Thank you USA” e flamuj të shumtë të punuar prej letre, që u janë ndarë të pranishmëve.

Vendi që njihet edhe si “kafetë e rakisë” ka bërë që jo pak qëndrues aty t’i bashkohen turmës. E hapësira prapa Ministrisë së Kulturës, ajo që shërben si parking i institucionit, veçse ishte veshur me shumë ngjyra prej reflektorëve të skenës.

Entuziazmi i publikut ka shpërthyer kur në skenë u ngjit bendi “Jericho”. Me liderin Petrit Çarkaxhiu - vokalist, Visar Rexhën në bateri, Leonard Canhasin në kitarë kryesore dhe Edi Gjinollin në bas kitarë, bendi ka elektrizuar krejt hapësirën me repertorin që përfshin mbi dy dekada krijimtari.

“Në garë për qeveri”, “Kanga jonë”, “Kanga e ashikëve”, “Kur do t’pushojë kjo kangë” e “Zgjohu” janë prej atyre që ngërthejnë rrëfime të veçanta dhe publikut i janë sjellë në koncertin e mbajtur në kryeqytet. Me ngjyrat e rockut e energjinë në skenë, bendi u ka dhënë shpirt edhe këngëve “Albanian Rhapsody” e “Ali Pasha i Janinës”, e cila u lansua veç disa ditë më parë në platformën “YouTube”. Në Prishtinë u interpretua për publikun për herë të parë drejtpërdrejt.

Kantautori Petrit Çarkaxhiu është shprehur se koncerti ka simbolika të shumëfishta për të. “Koncerti ka simbolikë pasi është në qytetin e lindjes; e dyta, për shkak se duke performuar në lagjen ku jam lindur e jam rritur; dhe e treta e dy korrikut është jo veç për shpalljen e Deklaratës së famshme, por edhe kur më 2 korrik 1999 i rrëzuam bustet e regjimit të vjetër, kur u tërhoqëm zvarrë nëpër Prishtinë dhe e paralajmëruam përfundimin e një periudhe të gjatë dhe të rëndë për shqiptarët”, ka kujtuar Çarkaxhiu.

Derisa i është drejtuar publikut, nga skena i ka bërë me dije se “ditët si kjo e 2 Korrikut janë prej arsyeve kryesore pse ‘Jericho’ ka bërë këngë çfarë ka bërë”. Koncertin e kanë përmbyllur me këngën “Tomlin e nonës”, ku pos interpretimit tejet energjik kanë qenë surlet e tupanët ata që kanë dhënë shenjat më dinjitoze të kremtes së përvjetorit të Deklaratës.

Një ditë më parë, kur edicioni i dytë i “Festave të Korrikut” kishte nisur, për publikun kishte bërë muzikë Ndriçim Gazija me bend. Pas “Jerichos” ngjarjen e ndërtojnë edhe bendi “Offchestra” të hënën e “La Fazani” të martën.

Organizatori i aktiviteteve, Pëllumb Bajqinovci, ka thënë se sivjet programi është zgjeruar më shumë sesa ai i vitit të kaluar. Sipas tij, koncertet janë edhe njëfarë kujtese e ngjarjeve historike.

“Sot është nata e dytë, nata e 2 korrikut, e Kushtetutës, e një historie të lavdishme e fillimit të kësaj gjenerate të re të Republikës së Kosovës. Kjo qeverisje përmes organizimeve kulturore tenton të ruajë kujtesën tonë për festa të rëndësishme, posaçërisht për gjeneratën e re që përmes argëtimit të kujtojnë dhe të mbajnë gjallë shpresën e mundin e krejt atyre njerëzve që na kanë mundësuar të jemi këtu sot”, është shprehur Bajqinovci, anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ngjarjen e ka organizuar Komuna e Prishtinës e shkurt të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i saj, Përparim Rama.

Deklarata Kushtetuese e Kosovës ishte miratuar në ambientet e jashtme të Kuvendit, pasi deputetët nuk u lejuan të mblidheshin në sallën e objektit. Aty ishte lexuar teksti i Deklaratës, para turmës së pranishme që kishte votuar duke ngritur dorën. Dokumentin e kishin nënshkruar 114 delegatë shqiptarë, boshnjakë e turq.

Nëpërmjet dokumentit Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave dhe njësi e barabartë.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë, që i ishte bërë asokohe nga Serbia. Veprimi është pasuar dy muaj më vonë edhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.