Muzikanti Ilir Bajri, kohëve të fundit i ka hyrë punës së programimit. Ka mësuar goxha. I njeh kode e gjëra thelbësore brenda gjuhëve programuese. Është autodidakt në këtë drejtim. Nisi që t’ia marrë dorën këtij zanati për të sjellë një projekt që nuk e largon nga muzika.
Në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM”, bëri promovimin e “Orchestools Sections” apo “Orkestra Publike e Lirë”, siç i referohet Bajri. Projekti ka për qëllimin krijimin e një serie prej instrumentesh virtuale – harqet, frymorët, instrumentet e tunxhit dhe perkusionet – me të cilat mundohet që t’i stimulojnë tingujt e orkestrave simfonike në mënyrë sa ma besnike.
Programin e njëjtë, vetëm me harqe, e demonstroi edhe vetë. Me një kompjuter që bënte naze – si dëshmi që nuk ka nevojë për diçka të fjalës së fundit të teknologjisë – duke luajtur në taste, ka improvizuar aty për aty. Interpretimi jep përshtypje se kompozimi ekzekutohet nga instrumentistë të shumtë. Por, prapa lojës që bëhej ishte vetëm Bajri. Kësisoj ka dëshmuar se programi është i lehtë për t’u përdorur dhe njëkohësisht një mundësi për modelime të shumta tingëllore. Poenta kryesore e tij është që ky program të shërbejë në sa më shumë aspekte edukativo-kreative.
Për këtë arsye, jazz-muzikanti i njohur i hyri gjithë kësaj punë. E nisi si një eksperiment para më shumë se tre vjetëve dhe tani është bërë preokupim i tij.
“Po më pëlqen ajo që po do me dalë prej gjithë kësaj. Përveç që projekti mund të përdoret në edukim dhe krijimtari, mendoj se pas një kohë mundet me shërbye edhe si vegël për bashkëpunim pak me të madh, jo vetëm mes muzikantëve, por edhe programerëve e profesionistëve të fushave të ndryshme”, ka thënë ai. Ka thënë se shpreson që përmes krijimit të këtyre veglave virtuale e që janë gratis të krijojë edhe rrjete dhe produkte që dikujt mund t’i sjellin e përfitime financiare.
“Në një plan kisha pasur dëshirë shumë që këto vegla të bëhen edhe pjesë e kurrikulës, mirëpo ajo që më intereson e që po e vërej edhe të vetja, por edhe të gjeneratat e reja, është se përmes kompjuterit edhe veglave elektronike, edhe mësimi edhe puna janë relativisht me të lehta dhe po të ofrojnë mundësi kreative e po e bëjnë punën shumë më interesante”, ka thënë ai. Sipas tij, e gjitha që duhet është vullneti dhe dëshira për të bërë diçka. Ka shtuar se i gjithë projekti është i bazuar në materiale që janë të qasshme gratis dhe për të mirën e komunitetit.
“Shpresoj që projekti të ndikojë edhe në krijimin e një ideje me të shëndoshë të autoktones. Ne nuk kemi nevojë që të jemi autoktonë domosdoshmërisht përmes traditës. Mund të jemi të tillë edhe përmes teknologjisë bashkëkohore”, ka shtuar ai. Deri në fund të vitit, synon që ta finalizojë komplet këtë program dhe të njëjtin ta bëjë të qasshëm. Projekti është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës në kuadër të thirrjes publike “#Rri n’shpi me neve”.
Mbrëmjen e së premtes, “DAM”-i nuk u largua nga kompozimet.
Pas prezantimit të projektit nga Ilir Bajri u dha premiera kosovare e dokumentarit “Komponistinnen” (2018) nga Kyra Steckeweh dhe Tim van Beveren. Pianistja Steckeweh kupton se repertori i saj ndërtohej nga vepra të kompozuara nga burrat dhe vihet në kërkim të kompozimeve të grave. Hulumtimi i saj e dërgon nëpër arkiva, biblioteka dhe shtëpi botuese duke nxjerrë në dritë një larmi pjesësh të shquara të kompozuara për piano, por që kishin vënë pluhur pasi që ishin interpretuar tepër rrallë. Steckeweh e tërhequr nga këto kompozime fokusohet te muzika e realizuar nga gratë. Nëpërmjet dokumentarit “Komponistinnen” vijnë rrëfimet për jetën dhe krijimtarinë e kompozitoreve Mel Bonis, Lili Boulanger, Fanny Hensel dhe Emilie Mayer . Këtë e bën duke luajtur njëkohësisht edhe veprat e tyre. Në piano Steckeweh ringjall me aftësi muzikën e Mel Bonis, Lili Boulanger, Fanny Hensel dhe Emilie Mayer, duke e bërë shikuesin të ndihet gati personalisht i njohur me këta kompozitorë të shquar.
Dokumentari vë në pah se si regjisorët gjetën një thesar të kompozitores franceze të romantizmit të vonshëm, Mélanie Hélène Bonis, e njohur ndryshe si Mel Bonis. Në mesin e tyre, dorëshkrimet origjinale të veprave që ajo i la pas. I veçantë është edhe momenti kur në Librarinë Shtetërore të Berlinit gjendet “Sonata në D minor” e Emilie Mayer. Por kjo nuk është e vetmja që dokumentari shpalos për kompozitoren gjermane të periudhës së romantizmit varri i së cilës mendohej i humbur. Ekipi i filmit, shpërfaq insistimin për të hulumtuar më shumë për këtë çështje e që rezultoi me rigjetjen e varrit gjatë xhirimeve.
Por përtej thesareve, “Komponistinnen” thekson vështirësitë që këto kompozitore kishin kaluar duke veçuar Fanny Hensel, së cilës i ishte dashur goxha mund për të bindur vëllanë e saj që t’ia lejonte publikimin e kompozimeve. Për regjisorët ishin kërkimet për Lili Boulanger, pasi që Akademia Franceze nuk u lejoi qasjen në dokumentet brenda muzeut “The Villa Medic”.
Drejtoresha e Festivalit, Rreze Breznica, ka thënë se filmi “Komponistinnen” apo “Gratë kompozitore" është një udhëtim në të kaluarën evropiane, një zbulim i thesareve muzikore të grave të përfshira në të. Ishte mahnitur kur këtë film e kishte parë gjatë muajit mars online. Menjëherë e kishte ditur se të njëjtin duhet sjellë edhe për publikun kosovar.
“Aktualisht në gjithë botë, sidomos në muzikën profesionale sytë janë kthyer nga gratë dhe nga krijimtaria e tyre dhe roli që kompozitorët kanë pasur nëpër epoka të ndryshme dhe te mënyra e tyre e jetesës dhe shoqëria e atëhershme. Fatkeqësisht, kompozitoret në të kaluarën asnjëherë nuk kanë arritur që të fitojnë popullaritet, pasi që kanë mbetur nën hijen e burrave”, ka thënë ajo. Breznica, e cila njëherësh është edhe muzikologe, ka shtuar se filmi është një reflektim edhe ndaj gjendjes së kompozitorëve në Kosovë.
“Është edhe një përpjekje për të kthyer edhe vëmendjen nga kompozitoret tona. Kjo lidhet edhe më një fjalorth biografik të cilin jam duke e realizuar pikërisht me kompozitoret tona, pasi që edhe ne kemi probleme të tilla të dokumentimit të veprimtarive”, ka thënë ajo.
Në fund të dokumentarit shpalosen intervista me menaxherë e programerë të programeve të muzikës klasike të cilët përgjigjen në pyetjen se përse nuk fusin ne program kompozitore femra. Përgjigjet vetëm njëri i cili mendon se nuk ka ndonjë arsye të veçantë dhe kur bën program nuk është se mendon nëse duhet pasur vepra kompozitoresh. Në anën tjetër, ekspertë të tjerë japin mendime se kjo mund të ndodhë në sallat e koncerteve zakonisht ndoshta e bëjnë këtë sepse kanë më të lehtë të shesin bileta me emra tash të njohur dhe është risk, që të futen emra të panjohur pavarësisht nivelit. Përmbyllja zbërthen mesazhin: pianistja del në skenë, interpreton vetëm vepra kompozitoresh. Sado i vogël mund të jetë ndikimi i saj, për të ky është një kontribut ta ndryshuar këtë praktike, qoftë edhe në mbetet e vetmja instrumentiste që e bën një hap të tillë.
“DAM” do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të këtij viti, dhe do të sjellë ngjarje të ndryshme kulturore që shënojnë edicionin e sivjetmë, “Tektonik”.