“Ishte koha kur unë dëgjoja një pjesë muzikore dhe gjithmonë fokusohesha më shumë te frekuencat e ulëta dhe isha kureshtar se si po vijojnë dhe po zhvillohen elementet muzikore në atë sferë frekuencore”, thotë Enver Muhamedi, ndër të vetmit jazz-kontrabasistë në rajon, i shkolluar në institucione me nam në Stamboll ku po bën karrierë. Tek zbërthen kujtimet, duket sikur përkufizon edhe lojën e kompozimet e tij. Mjafton një eksperiencë a emocion për t’ia ndezur idenë. Por, energjia pozitive për të është kryefjala e muzikës
Si fëmijë, i rregullonte flokët dhe këndonte para televizorit. E natyrshme, si çdo tjetër në atë moshë, edhe performanca e Enver Muhamedit ishte imitim i artistëve të ndryshëm të njohur të asaj kohe. Jo pak prej tyre i incizonte në kasetë kur i dëgjonte në valët e radios. Madje, edhe sot e kësaj dite, ruan kaseta të tilla.
Në njërën anë, janë disa këngë të Michael Jacksonit, e në anën tjetër, këngë të këngëtares së njohur amerikane Toni Braxton e rock grupit “Incubus”.
Këto janë veç dy nga kujtimet e tij shumta të fëmijërisë, që sipas tij, ndikuan t’u hynte ujërave të muzikës. 26-vjeçari tani është njëri ndër kontrabasistët me të mirë në vend. Muhamedi i cili jeton në Turqi, është aktiv në skenën ndërkombëtare të jazzit duke performuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare përkrah emrave më të njohur të jazz-skenës së sotme botërore. Njihet edhe për lojën e tij të shkëlqyer në kitarë. Por çdo gjë ka një fillim. Kujtimet, qyteti ndikimet, lidhin rrëfimin e tij.
Përzgjedhja e determinuar e instrumentit
Enver Muhamedi është nga Mitrovica, qytet i cili gjatë fëmijërisë së tij ishte i njohur për skenën e rockut e të jazzit. Në shkollën fillore “Tefta Tashko” mori mësime për kitarë klasike e në të mesmen zotëroi kontrabasin. Për këtë të fundit i vazhdoi edhe studimet në “Bahcesehir University Jazz Academy” në Stamboll e më pas edhe në “Istanbul Bilgi University” në departamentin e Kompozimit dhe për Audioproduksion për të vazhduar sivjet në “Istanbul State Conservatory” në Departamentin e Jazzit.
“Edhe pse orientimin profesional e kam në kontrabas, këto dy instrumente, e sidomos edhe pianoja kanë një ndikim të madh në fushën e të menduarit, diapazonin kreativ dhe interpretimin e muzikës”, thotë Muhamedi në intervistë për KOHËN. Dëshira për të luajtur në kontrabas e kishte shoqëruar gjithherë prandaj ishte çështje kohë që ajo të dilte në pah.
“Ishte koha kur unë dëgjoja një pjesë muzikore dhe gjithmonë fokusohesha më shumë te frekuencat e ulëta dhe isha kureshtar se si po vijojnë dhe po zhvillohen elementet muzikore në atë sferë frekuencore”, ka thënë ai.
E veçanta e kitarës mbetet te fakti se rrugëtimin e tij artistik Muhamedi e nisi pikërisht me këtë instrument. Por kontrabasi u bë instrumenti i tij i pjekurisë.
“Unë isha në dijeni të plotë se ky është instrumenti në të cilin duhet të fokusohem pasi ndieja edhe një raport tjetër me të, për shkak se jam ndër të vetmit kontrabasistë të jazzit në rajon”, thekson ai.
Shkrirja e kulturave të ndryshme
Shumica e kompozimeve të Enver Muhamedit “nisin si një mini-ide”. “Ato vijnë në rrugëtime, në metro, anije kur jam vetëm në dhomën e punës. Dhe në ato momente filloj incizimin me mjetet që kam në atë moment, apo e shkruaj. Më pas, fillon analiza melodike”, thotë ai
Jazz-kontrabasisti albumin e tij debutues “Letter to K.” më 2020, ia dedikoi Kosovës. Albumi ka tetë kompozime. Nis me “Letter to K”, për të kaluar të “K.T.A”, “Inner Song”, “Journey”, “Beyond the Bridge”, “Same but Different”, “Once Upon a Time in Balkans”, për të përfunduar me “Somehow”.
Për Muhamedin, për t’i shkruar këto kompozime por jo vetëm, çdo gjë shërben si inspirim. Ai është i lidhur ngushtë me gjendjen shpirtërore. E ngacmon ambienti, shoqëria, “apo qoftë edhe një konverzacion që të lë përshtypje ose të ndez një ampule ideje”, thotë ai.
Shkruan dhe prodhon muzikë të zhanreve të ndryshme. Mirëpo, albumi i tij i parë është një gërshetim i kulturave të ndryshme të cilat nuk vërehen shumë gjatë interpretimit.
“Si kompozime nuk tingëllojnë shumë etnike. Melodi të thjeshta me një progresion harmonik jo shumë të komplikuara”, thotë ai. Sidoqoftë këto melodi lirike janë më shumë emocione dhe përcjellje intensive me improvizime grupore. Shumica e kompozimeve të tij “nisin si një mini-ide”.
“Ato vijnë në rrugëtime, në metro, anije kur jam vetëm në dhomën e punës. Dhe në ato momente filloj incizimin me mjetet që kam në atë moment apo e shkruaj. Më pas fillon analiza melodike”, thotë ai. Gdhendjet e fundit ia jep para se të fillojë punën me ekipin. Muhamedi është gjithmonë i hapur për ndryshime të vogla në formë apo në harmoni, të cilat paraqiten në prova nga kolegët e tjerë. Njerëzit me të cilët punon, padyshim që ndikojnë edhe në tingullin e muzikës që ka në mendje.
I lindur më 15 shtator të vitit 1994, Muhamedi ka arritur që të vendosë emrin e tij në piedestalin e artistëve të botës së jazzit, por jo vetëm. Deri tani ishte pjesë e disa projekteve si në incizimin e albumit të parë të grupit “Gipsy Groove”, albumit “Përtej” (2014) të Sinan Kajtazit, “Mirazh” (2014) të Agron Penit, “Nu book (2020) të kitaristit turk Onder Focan, “The Way”(2021) të saksofonistit Batu Salliel, “Madtime Stories” (2021) të këngëtares turke Ceyda Ozbasarel, “Beraber Yuzelim” (2021) të artistes Deniz Tasar e projekte të tjera.
Muhamedi po ashtu është pjesë e “Visar Kuçi Trio” me Visar Kuçin në kitarë dhe Enes Bajramliqin në bateri. Më të njëjtit lansoi albumin e parë “Modern Wawes” (2015) dhe më pas “Departures” më 2020.
Tingujt e energjisë pozitive
Sa herë që krijon muzikë, Muhamedi dëshiron të shpërndajë edhe energji pozitive. Këtë, sipas tij, duhet ta kenë në mendje muzikantët. Sidoqoftë, kur flet për industrinë e muzikës thotë se do të kishte dashur që të ketë vetëdijesim dhe mirënjohje nga njerëzit rreth artit në përgjithësi e sidomos muzikës, për vendin e rolin e saj në shoqëri.
Për të, të qenit muzikant e sidomos artist brenda botës së jazzit nënkupton që të njohësh shumë kultura dhe t’i jetosh ato nga afër. Të jesh një muzikant për të do të thotë të ndash eksperiencat, emocionet me botën vetëm nëpërmjet gjuhës e muzikës. Muhamedi këtë e bën më së miri. Komunikimi vjen natyrshëm kur dëgjohen kompozimet e tij, por edhe ato të realizuara nga të tjerët, por të interpretuara me mjeshtri nga ai. Përmes interpretimit të tij, ai ia mundëson dëgjuesit që t’i afrohet dhe të hyjë brenda botës së tij. Ndan me ta universin e njëjtë. Si publiku, ashtu edhe Muhamedi janë brenda të njëjtës flluskë. Performancën e fundit në Prishtinë e pati në “Kino Armata” në dhjetor të vitit të kaluar për promovimin e albumit “Departures”. Albumi qe cilësuar si gur i çmuar në jazz-skenën vendore. “Departures” është një udhëtim muzikor përmes jazzit modern. Albumi i nisur si dedikim për nisjet e reja, gjeti një kontekst të ri për shkak të koronavirusit. Kur gjithçka u ndal, muzika u kthye në një ekspeditë për të kërkuar forma të reja të udhëtimit. Të gjitha kompozimet ishin bërë nga Visar Kuçi, përveç këngës emrin e së cilës e mban ky album, që është kompozuar nga Enver Muhamedi dhe Visar Kuçi.
“Departures” e ktheu Muhamedin në skenën e Prishtinës, pas një mungese prej dy vjetësh, prejse kishte performuar në Prizren dhe pikërisht aty ishte krijuar edhe kompozimi për veprën “Departures” dhe ishte ngjizur ideja për një album. Këtë album e veçojnë disa elemente që gjenden edhe te vepra e tij “Letter to K”.
Ani pse albumi është një gërshetim në mes të jazzit “mainstrem” në skenën e Amerikës dhe asaj të Evropës me detaje etnike, ato nuk vërehen brenda si ngjyrë. Po ashtu, të dyja albumet janë të lehta për t’u dëgjuar, por që përcjellin shumë emocione.
“Më i rëndësishmi është shkëmbimi i energjisë pozitive me njerëz të ndryshëm, në rrethana të ndryshme. Të kuptosh dhe të jetosh në disa vlera me specifike jetësore”, thotë Muhamedi.
Për ata që e përcjellin dhe e dëgjojnë muzikën e tij, thotë se mund të ndihen dëgjues specialë jo vetëm nëse dëgjojnë muzikën e tij, por edhe të të gjithë atyre që janë duke u munduar, duke u sakrifikuar apo me një fjalë janë duke e jetuar muzikën e vërtetë.
Por, rrugëtimi artistik sidomos tani në këtë kohë pandemie, nuk është pa sfida. Sidoqoftë, koronavirusi ka ndikuar që Muhamedi të shpejtojë rrugën drejt profesionit si kompozitor dhe producent. Ai është duke u marrë me kompozime për muzikë të filmave, dokumentarëve dhe duke bërë aranzhime për artistë të ndryshëm. Së fundi, ishte edhe pjesë e festivalit “A to Z Jazz Festival” në Sofje të Bullgarisë me artistë të njohur që janë edhe të nominuar e fitues të çmimeve “Grammy”.
Jazz-kontrabasisti i është përveshur punës për të realizuar muzikë të re për EP-në që do ta bëjë publike së shpejti. Edhe aty, me siguri nuk do të mungojë shkrirja e kulturave dhe përshkrimi i emocioneve.