“Java e frankofonisë” u hap me këngë frankofone nga një këngëtare shqiptare që kaherë ka përqafuar kulturën franceze. Pjesë të atmosferës së hapjes pati edhe në mbyllje, por përcjellë me rrëfimet prapa çdo kënge. Prapa çdo perle të ikonës së muzikës franceze – Charles Aznavour. Drama biografike që mban emrin e tij sjell gjithë historinë prapa ritmeve e vargjeve ikonike që kanë kapërcyer kufij
Një javë kulturë frankofone frymon çdo vit në kryeqytet në periudhën midis muajve mars-prill. “Java e frankofonisë” u hap me këngë frankofone nga një këngëtare shqiptare që kaherë ka përqafuar kulturën franceze. Pjesë të atmosferës së hapjes pati edhe në mbyllje, por përcjellë me rrëfimet prapa çdo kënge. Prapa çdo perle të ikonës së muzikës franceze – Charles Aznavour. Drama biografike që mban emrin e tij sjell gjithë historinë prapa ritmeve e vargjeve ikonike që kanë kapërcyer kufij.
Filmi i gjatë artistik “Charles Aznavour” me skenar dhe nën regji të francezit Mehdi Idir është portret i këngëtarit, kompozitorit, aktorit e shkrimtarit franko-armen i cili karrierën muzikore e filloi në vitet ’40 dhe që atëherë regjistroi afër një mijë e 300 këngë. Përshkruan rikthimin në të kaluarën e rininë ne tij.
Ngjarja përqendrohet në rrugëtimin e tij nga një djalë i varfër emigrant në Paris deri në një nga artistët më të mëdhenj të muzikës franceze dhe botërore. Filmi i vitit 2024 paraqet sfidat që ai hasi në fillimet e karrierës së tij refuzimet, vështirësitë ekonomike dhe dyshimet për zërin dhe pamjen e tij, por edhe këmbënguljen dhe pasionin e tij për muzikën.
Si një kronikë, filmi hapet me vështirësitë në integrim dhe përshtatje në një vend ku ishin të huaj. Familja e tij kishte provuar të akomodohej në Francë duke hapur një restorant. Vështirësitë financiare ishin paraqitur shpejt. E paraqitja e parë e suksesshme në skenë e Charles ishte aksidentale. Kur mikut të tij pianist e këngëtar përcjellës, në momentet e fundit i bëhet me dije se këngëtari që do të kishte në duet nuk mund të ishte në koncert. Charles e zëvendësoi dhe fundi rezultoi me brohoritje, duartrokitje e edhe ftesa për koncerte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMiku i tij, duke qenë fillimisht në dyshime për aftësitë e atij që njihet si Frank Sinatra i Francës, shpejt u bë partner i pandarë i tij. Në film paraqiten edhe sfidat me të cilat përballeshin kur përndiqeshin nga pushteti nazist. Ndonëse filmi nuk hyn shumë në detaje, familja Aznavour kishin rrezikuar jetën e tyre për të strehuar hebrenj dhe refugjatë armenë në Parisin e asaj kohe të pushuar nga nazistët.
Charles vijon me koncerte të pafundta dhe në njërin prej tyre aty janë edhe emra të shquar të skenës muzikore. Një prej tyre edhe Édith Piaf. Derisa filmi dy orë e katërmbëdhjetë minutash zhvillohet, aty shfaqen marrëdhëniet e tij personale, ndikimet artistike e bashkëpunimet që e ndihmuan të arrinte sukses.
Një pjesë e rëndësishme është edhe lidhja e tij me kulturën armene dhe identitetin e tij si emigrant, që reflektohet në këngët dhe jetën e tij. Filmi gjithashtu tregon momentet kulmore të famës së tij, koncertet e mëdha dhe ndikimin që pati në muzikën franceze. Në thelb, është një histori frymëzuese për këmbënguljen, talentin dhe besimin në vetvete.
Aznavour ka interpretuar në shumë gjuhë, midis tyre edhe në anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, armenisht, rusisht dhe jo vetëm. Ai është një nga këngëtarët francezë më të njohur jashtë botës frankofone. Krahas karrierës së tij muzikore, Charles Aznavour ndoqi një karrierë aktrimi duke u shfaqur në 63 filma artistikë, si dhe filma televizivë. Ai përfaqësoi Armeninë në disa organe diplomatike ndërkombëtare nga viti 1995 dhe mori shtetësinë armene në vitin 2008. Në vitin 1994, ai u emërua ambasador dhe delegat i përhershëm i Armenisë në UNESCO deri në vdekjen e tij në vitin 2018 në moshën 94-vjeçare.
Me lajmin për ndarjen e tij nga jeta edhe është mbyllur filmi.
Aktorja Irena Aliu është parë e përlotur në fund të shfaqjes.
“Ishte një film shumë i mirë. Më preku shumë jeta e Charles Aznavourit. Janë sakrificat por ky sakrifikoi më shumë ndoshta. Ishte një film shumë i mirë dhe nuk e di pse nuk organizohet të shihet më gjatë, jo veç në ‘Javën e Frankofonisë’, por që të vinte edhe një tjetër publik t’i shihte”, është shprehur ajo.
Ka theksuar historinë në film prapa secilës kënge.
“E kishte një prapavijë të këngëve për mënyrën se si ka ardhur deri te suksesi i tij, se si e kishte gjetur mënyrën e tij për të ardhur tek suksesi. Secila këngë e kishte historinë e vet që ndoshta fatkeqësisht sot kemi deficit të këtyre këngëve që kanë histori të jetës së dikujt apo të jetës së vet këngëtarit”, ka thënë Aliu.
Mbrëmja në kinemanë “ABC” është hapur me retrospektivën e një jave të ngjeshur me aktivitete.
Edouard Mayoral, këshilltar i ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se të paktën janë zhvilluar nga katër aktivitete për çdo ditë.
“Siç e do tradita, mbrëmja hyrëse dhe përmbyllëse zhvillohen në Prsintinë ndërsa gjatë javës ishim edhe në Gjilan e Viti. Kjo është një mënyrë për të treguar se Franca thekson veprimtarinë e saj rreth kulturës së saj. Aktivitetet tona përqendrohen rreth gjuhës dhe këtë vit gjuha frënge ka marrë statusin e gjuhës së katërt më të folur në botë. Edhe filmi ka simptoma franceze”, ka thënë ai derisa kantautorin Aznavour e ka quajtur simbol të këngës franceze.
Edhe Valon Ibraj, atashe për kulturë në Ambasadën e Francës në Kosovë, ka thënë se edicioni i 26-të i “Javës së Frankofonisë” ka qenë i pasur me aktivitete.
“Sonte jemi këtu në mbyllje të edicionit të 26-të të ‘Javës së Frankofonisë’ në Kosovë. E kemi pasur përmbylljen me një film mjaft të mirë, mjaft të suksesshëm të një ikone të muzikës franceze, pra Charles Aznavour. Po mbyllet pas një jave përplot ngjarje në Prishtinë, por edhe në Gjilan e Viti”, ka thënë Ibraj.
E ka konsideruar të suksesshëm edicionin e sivjetmë.
“Duke pasur parasysh se ishte edicioni i 26-të dhe tashmë e kemi publikun tonë, i kemi dashamirët e gjuhës dhe letërsisë frankofone, kemi një publik fantastik që vjen dhe është afër nesh. Ishte një javë e mbushur plot me aktivitete, muzikë, filma, ekspozitë, koncerte të ndryshme dhe me të vërtetë jemi të kënaqur me këtë edicion”, ka thënë Valon Ibraj.
“Java…” nisi më 24 mars me muzikën e Linda Rukajt e shoqëruar nga pianisti Antonio Fjerca, të cilët sillnin një program që lëvizte natyrshëm midis muzikës franceze dhe traditës shqiptare.
Për një javë në kryeqytet, sivjet u shtri edhe në Gjilan e Viti, si hapësirë e dialogut kulturor ku arti, letërsia, muzika e kinemaja shërbejnë si ura lidhëse midis vendeve frankofone me Kosovën.