Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

James Levine – maestroja dirigjent i Hemisferës Perëndimore

Në zenitin e karrierës së vet, Levine ishte emri kryesor i operës më shkëlqimplotë të Hemisferës Perëndimore, Metropolitan Opera në New York. Me flokët e tij të shpupurishura e të zbardhura, si dhe lëvizjet e shpejta, ai ishte një figurë që njihej sakaq prej secilit që shihte performanca operistike në televizione publike

James Levine, maestroja prijatar i Operës Metropolitane për më shumë se dyzet vjet dhe një prej dirigjentëve më me ndikim e i admiruar kudo derisa mëtimet për abuzime dhe ngacmime seksuale i sollën fundin e karrierës, ka vdekur më 9 mars në shtëpinë e tij në Palm Springs, Califf. Ai ishte 77 vjeç.

Vdekja e tij është konfirmuar të mërkurën në mëngjes nga mjeku i tij, Dr. Len Horovitz. Ai nuk ka zënë n’gojesh shkakun dhe nuk është mësuar pse vdekja e tij nuk është njoftuar më parë. Megjithatë, BBC-ja ka konfirmuar nga mjeku i tij se bëhet fjalë për vdekje nga shkaqe natyrore.

Pas hetimeve të mëtimeve mbi sjellje të pahijshme seksuale me të rinj, Met Opera fillimisht e suspendoi dhe më pas e largoi më 2018, një rënie e thiktë në moshën 76-vjeçare.

Ai u përçap t’i kundërvihej me ligjin kundër shpifjes. Por në një deklaratë për media, Met i ka bërë homazh “arritjeve të pamohueshme artistike” përfshirë “bërjen e orkestrës dhe korit të Met në më të mirin në botë”, por ka qartësuar se lidhja e tij me kompaninë u plasarit në dritën e akuzave dhe hetimit tremujor që i pasoi ato.

Para se skandali të merrte dhenë, Levine ishte kudo maestroja i dashur i skenës që për dekada kontribuoi të lartësohej Opera Metropolitane, organizata më e madhe e arteve performative në SHBA, duke e zgjeruar repertorin e saj dhe duke e shndërruar në një orkestër sqimatare të klasit botëror.

Fama në maje, shëndeti në rënie

Dhe puna e tij tejkalonte atë në kompani: për shtatë vjet, duke filluar nga viti 2004, ai ishte drejtor i muzikës në Orkestrën Simfonike të Bostonit, duke përftuar vlerësime gjatë sezoneve të parë për rivitalizimin e ansamblit me nam, promovimin e muzikës bashkëkohore dhe porositjen e veprave madhore nga kompozitorë të gjallë.

Levine u përnjoh si dirigjenti kryesor amerikan pas vdekjes së Leonard Bernsteinit në vitin 1990. Bashkë me ngjitjen drejt sukseseve të kompanisë që prej 1883-s, karriera e tij u përball me probleme shëndetësore për më shumë se një dekadë.

Levine shërbeu si drejtor muzike edhe për Filharmoninë e Munichut për pesë vjet rresht (1999-2004). Ai mbante lidhje prej kohësh me Filharmoninë e Berlinit, Filharmoninë e Vjenës dhe Orkestrën Simfonike të Chicagos.

Vitet e fundme të jetës si maestro u rënduan nga kriza shëndetësore, përfshirë rritjen kanceroze të veshkës së tij dhe operacionin për ta ndrequr shpatullën.

Probleme si këto bënin që Levine të mungonte për javë, madje edhe muaj, në performanca të ndryshme. Në mars të 2011-s, duke u përballur me realitetin, ai dha dorëheqje nga posti në Boston.

“Ai i ngriti standardet në lartësi të reja”

Pavarësisht ndarjes së hidhur me Met Opera, është ky institucion ku trashëgimia muzikore e Levines do të përcaktohet. Ai pati një lidhje 47-vjeçare me këtë shtëpi dhe shërbeu në funksione të ndryshme të udhëheqjes artistike të saj.

“Asnjë artist në historinë 137-vjeçare të Met Operas nuk ka kaq ndikim të thellë sa James Levine”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, Peter Gelb. “Ai i ngriti standardet muzikore në lartësi të reja gjatë qëndrimit të tij që përfshiu rreth pesë dekada”.

Shumica e dirigjentëve të brezit të Levines vijonin karriera ndërkombëtare, duke kaluar nga njëra shfaqje në tjetrën pa u lidhur shumë gjatë me ndonjë post. Përkushtimi i Levines në Met Opera ishte përkujtesë e kohës së dirigjentëve si mentori i tij, George Szell, që ishte drejtor muzikor i Orkestrës së Clevelandit për 24 vjet.

Mijëra performanca

Që prej fillimit, lidhja e tij me Metin dukej si një përshtatje ideale e muzikantit, formës artistike dhe institucionit. Pak javë para se të mbushte 29-vjeç, ai bëri një debutim në veprën “Tosca” të Puccinit më 5 qershor 1971.

Maestroja Levine dirigjoi më shumë se 2500 performanca të 85 operave të ndryshme në Met.

Ai solli për herë të parë në Met performanca të Mozartit (“Idomeneo dhe La Clemenza di Tito”), Gershwinit (“Porgy and Bess”), Stravinskyt (“Oedipus Rex”), Verdit (“I Vespri Siciliani”, “I Lombardi” dhe “Stiffelio”), Weillit (“Rise and Fall of the City of Mahagonny”), Schoenbergut (“Erwartung” dhe “Moses und Aron”), Bergut (“Lulu”), Rossini (“La Cenerentola”) e të Berliozit (“Benvenuto Cellini”), ashtu sikundër edhe premiera botërore të John Coriglianos (“The Ghosts of Versailles”) dhe John Harbisonit (“The Great Gatsby”).

Shoqëroi edhe performues të tillë si Luciano Pavarotti, Plácido Domingo, Jessye Norman, Cecilia Bartoli dhe Kiri Te Kanawa; ai fitoi reputacionin e një prej dirigjentëve dhe shoqëruesve më mbështetës në këtë fushë.

Fundi i palavdishëm

Por, gjithçka do të merrte një kthesë të papritur kur në dhjetor të vitit 2017-s Metropolitan Opera suspendoi të gjitha lidhjet me Levinen, pasi tre burra dolën me akuza se ai i kishte abuzuar seksualisht dekada më parë, kur ata ishin vetëm tinejxherë.

Akuzat për sjellje të pahijshme kthehen prapa në kohë në vitin 1968 dhe kanë qenë subjekt pëshpërimash në qarqet muzikore që prej mesit të viteve ’70.

Media të ndryshme janë rropatur ndër vite të hetojnë këto thashetheme, por nuk qe e mundur të konfirmohej gjë. Por në momentin kur filloi një valë indinjate mbi atë sesi njerëzit e fuqishëm në shumë fusha – përfshirë artin, politikën e biznesin – kishin abuzuar me meshkuj të rinj dhe gra, Levine u vu në shënjestër të vëmendjes.

Në një deklarim të asokohshëm, ai i kishte quajtur akuzat “të pathemelta” dhe kishte thënë: “Ashtu siç do të dëshmojë secili që më njeh, unë nuk e kam jetuar jetën time si shtypës apo agresor”.

Met Opera do ta largonte Levinen në mars të 2018-s pas një hetimi të brendshëm, duke thënë që kompania ka “zbuluar dëshmi të besueshme që zoti Levine është përfshirë në sjellje seksualisht abuzive dhe ngacmime kundrejt artistëve të brishtë në fillim të karrierave të tyre, mbi të cilët Levine kishte autoritet”.

Pas kësaj, Levine paditi Metin me 5.8 milionë dollarë, përderisa ky i fundit iu përgjigj me kundërpadi. Një marrëveshje u arrit verën e kaluar ku të dyja palët u pajtuan për një marrëveshje në konfidencë. Në shtator, “New York Times” zbuloi se Levine kishte marrë 3.5 milionë dollarë për t’u tërhequr nga padia.

Vëllai i tij, Tom Levine, po ashtu artist, vdiq në prill të vitit të kaluar në moshën 71-vjeçare prej leukemisë. Levine ka lënë pas vetes gruan, Suzanne Thomson, me të cilën u martua vitin e kaluar si dhe motrën Janet Levine.

Marrë nga: “New York Times”, “Washington Post”, “Metopera”, “Guardian”, “BBC”. Përktheu: Salih Mehmeti

Artikuj të ngjashëm