Është momenti i duhur që të thuhet se “It Must Have Been Love” e “Roxette” – kënduar nga Marie Fredriksson, e cila vdiq të hënën pas një beteje shtatëmbëdhjetëvjeçare me sëmundjen – është balada më e fuqishme e krejt viteve ‘80, dhe mbase edhe kënga më e madhe e ndarjeve.
Padyshim se është një prej më të mëdhave. Refreni epik – “It must have been love, but it’s over now” – është asi lloj kënge që mund ta këndojë kushdo, në sallë koncertesh ose në kabinë dushi. Kur e pashë “Roxetten” në Manchester më 2012, kjo këngë ishte kulmi i asaj nate, përderisa këndohej nga krejt masa.
Fredriksson shihej tashmë – dhe në këtë rast edhe më fort – se ishte ligsht nga shëndeti. Por dukej qartazi se kishte mbledhur krejt forcën, pasionin dhe frymën, që i jepte shpirt hitit më të madh botëror të bendit suedez.
Për ironi, për një këngë që ia kishte dalë të dëgjohej e pëlqehej për tridhjetë vjet me radhë në radiostacione e klube, “It Must Have Been Love” kishte fillin në vitin 1987 si një single suedez të Krishtlindjes, shkruan “The Guardian”, transmeton Koha Ditore. “EMI Germany” i kishte kërkuar tekstshkruesit të “Roxette”, Per Gessle një “single të zgjuar krishtlindjesh”, por nuk kishte lejuar që të emetohej ndërkombëtarisht.
Në Suedi ia kishte dalë të prekte vendin e katërt, por përfshirja në komedinë romantike të vitit 1990, “Pretty Woman” – me aktorët Richard Gere e Julia Roberts – bëri që kënga të eksplodonte në botën mbarë, duke i kaluar katërmbëdhjetë javë në top-listat britanike (mbërriti edhe vendin e tretë) dhe bëri që albumi i pastajmë të rrëmbente statusin e trefishtë platinum në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kohën kur Gessle dorëzoi këngën për ta shqyrtuar në film, dyshja tashmë kishte rrokur vendet e para të dy top-listave amerikane. Njëherësh, që mbase ishte edhe qenësore, “It Must Have Been Love”, ndryshimi i vargut “It’s a hard Christmas day” në “It’s a hard winter day”, ia shtuan këngës vlerën duke rrëmbyer zemrat e njerëzve anembanë botës. Dhe pastaj do të emetohej mbi pesë milionë herë në radiostacione dhe do të fitonte rreth gjysmë miliard dollarë. Një arritje mahnitëse.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)