Megjithëse procesi nuk ka lëvizur ende prej projektit ideor, Komuna bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë janë marrë vesh për disa gjëra: financimin e projektit të detajuar, funksionin e edhe emrin. “Kemi arritur marrëveshje edhe për emrin. Do të jetë qendra multikulturore ‘Evropa’”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I pari i kryeqytetit ka thënë se janë pajtuar me Zyrën e BE-së që hapësira të jetë qendër multikulturore, ku pos sallës, të jetë edhe galeria dhe të mbrohet fasada e ndërtesës aktuale
Komuna e Prishtinës është e vendosur që ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” të jetë sallë koncertale. Por hapësira e ndërtesës që mbrohet nga shteti si monument, sipas Komunës, mund të shndërrohet në një objekt multikulturor. Pos sallës koncertale, synohet të ketë edhe një galeri.
Megjithëse procesi nuk ka lëvizur ende prej projektit ideor, Komuna bashkë Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovës janë marrë vesh për disa gjëra: financimin e projektit të detajuar, funksionin e edhe emrin.
“Kemi arritur marrëveshje edhe për emrin. Do të jetë Qendra Multikulturore ‘Evropa’”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
I pari i kryeqytetit ka thënë se janë pajtuar me Zyrën e BE-së që hapësira të jetë qendër multikulturore, ku pos sallës, të jetë edhe galeria dhe të mbrohet fasada e ndërtesës aktuale.
“Tash të shohim kur ta fillojmë procesin për fazën tjetër. Kjo është në dorë të komunitetit evropian pasi është në kuadër të Fondeve IPA”, ka thënë kryetari Përparim Rama.
E arkitekti Bekim Ramku, i cili së bashku me japonezin Kengo Kuma janë hartuesit e projektit ideor, ka thënë se para disa javësh është kontaktuar nga Zyra e BE-së dhe i është thënë se shumë shpejt do të kontaktohet prapë për të nisur negociatat sa i përket projektit të detajuar.
“Tash jemi duke pritur të na kontaktojnë zyrtarët e BE-së në Kosovë”, ka thënë Ramku. Historia e shndërrimit të “Gërmisë” në sallë koncertale nuk është e re.
Para se të dilte nga zyrat, kabineti i ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, KOHA kishte kërkuar informacione se deri ku ka shkuar procesi me sallë koncertale. Ahmeti kishte përfunduar mandatin e dytë më 7 dhjetor të vitit të kaluar.
Ish-drejtori i Kulturës, Adrian Berisha, kishte thënë se kanë përfunduar proceset administrative dhe pagesat për tri projektet që ishin renditur të parat.
“Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA 2, ka ndarë buxhetin prej 1 milion eurosh për hartimin e projektit kryesor tek ‘One roof’ dhe shumë shpejt pritet të fillojë procedura e negocimit në mes të BE-së dhe konsorciumit fitues të projektit për sallën koncertale të udhëhequr nga ‘Kengo Kuma Architects’”, kishte treguar ai nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Kishte thënë se kanë dërguar kërkesën për aplikim për fondet IPA3 për mbështetje potenciale përmes skemave të granteve për realizimin e projektit.
“Shuma e projektit final pritet të jetë diku rreth 15 milionë euro dhe ne si Komunë e Prishtinës dhe MKRS-ja kemi shprehur gatishmëri që të bashkëfinancojmë projektin në fjalë, ku kemi potencuar që jemi të gatshëm të kontribuojmë deri në vlerën prej 5 milionë eurosh”, kishte thënë ai.
Por shpresonte që i gjithë projekti të mbulohej nga mjetet e Bashkimit Evropian.
“Por, mbetet të shihet në fund se sa është shuma e cila do të ndahet për këtë projekt nga IPA3 dhe ka gjase që i gjithë projekti me vlerë prej 15 milionë eurosh të financohet nga BE-ja përmes fondeve IPA3”, kishte thënë Berisha.
Komuna synonte që ta realizonte projektin që ka marrë më së shumti pikë – “One Roof – Germia for Concert Hall” – i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me kolegun e tij në Kosovë, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik. Shpërblimi për këtë projekt qe 50 mijë euro.
Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiku B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimi financiar prej 20 mijë eurosh. Pos Sadikut, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi. Sadiku në shkurt është emëruar drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Ministria e Kulturës e përkrah projektin që e shndërron ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në sallë koncertale. Këtë e ka thënë ministri Çeku në konferencën e fundvitit në dhjetor, por edhe në emisionin “Desku” në KTV më 21 janar.
“Salla koncertale, sipas të gjitha gjasave, vazhdon në objektin e ish-Gërmisë”, kishte thënë ai. Projekti duhet të miratohet edhe nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi ish-shtëpia e mallrave është monument nën mbrojtje të përkohshme. “Na duhet ta bëjmë një kompromis”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës, i pyetur në lidhje me mundësinë që të miratohet projekti.
Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.
Në nëntor të vitit të kaluar, Ahmeti kishte thënë se në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.
“Nëse donatorët e tjerë bashkëngjiten – mirë, nëse jo, vazhdojmë vetë”, kishte thënë ai.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ndërtesën e ish-“Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.
“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të atij viti, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbasë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion. Prej vitit 2006, është dhënë ideja që objekti i ish-“Gërmisë” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor.
Në anën tjetër, më 28 prill Komuna e Prishtinës ka vendosur për lokacion të ri sa i përket teatrit të operës dhe baletit. Do të jetë te parkingu prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Asamblistët kanë votuar për ndarjen e parcelës, siç kishte kërkuar Ministria e Kulturës. Projekti nis nga e para, duke lënë prapa 13 vjet dështime, themelet te Fakulteti Teknik, ku u vendos guri themeltar në fund të 2009-s, e për të cilin u dogjën mbi 1 milion euro. Tash, së paku me letra bashkë me teatrin, në po atë vend, vijnë në propozim edhe “objektet e platformës multifunksionale”