Muzeu i njohur kombëtar i artit bashkëkohor në Itali, MAXXI, është nikoqir i ekspozitës madhore “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia”, që ka bërë tok 54 artistë nga vendet e ish-Jugosllavisë, në zbërthimin e politikave komplekse të regjionit. Në mesin e tyre janë edhe Alban Muja, Driton Selmani, Doruntina Kastrati, Somer Shpat e Fatmir Mustafa-Karllo
“Më shumë se 50 artistë të cilët e lexojnë historinë e vendit nëpërmjet gjesteve të heronjve bashkëkohorë, duke reflektuar, midis tjerash, për mikpritjen, pranueshmerinë dhe bashkëjetesën”, do të ishte përshkrimi më i thjeshtë i ekspozitës madhore “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia”, që është hapur në “MAXXI” të Romës, muzeun kombëtar dedikuar artit të shekullit XXI. Në mesin e artistëve, veprat e të cilëve rrumbullakojnë ekspozitën që ka në vëmendje ish-Jugosllavinë, nuk mungojnë as artistët nga Kosova. Alban Muja, Driton Selmani, Doruntina Kastrati, Somer Shpat e Fatmir Mustafa-Karllo, nëpërmjet veprave të tyre bëhen pjesë e ekspozitës që përshkruhet si një takim i jashtëzakonshëm i artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë nga Ish-Jugosllavia, të cilët me krijimtarinë e tyre adresojnë politikat komplekse të regjionit.
Ekspozita e hapur të martën mbrëma në atë që njihet si Instituti i parë kombëtar italian i artit bashkëkohor, sipas përshkrimit në ueb-faqen e muzeut të ndërtuar në vitin 2009 nga Ministria e Kulturës, Trashëgimisë dhe Aktiviteteve të Italisë, sjell një interpretim të veçantë artistik të vendeve që përbënin ish-Jugosllavinë.
“A mund të ndihmojë trashëgimia socialiste për ta rimarrë konceptin e ‘së mirës së përbashkët’ në një territor kompleks që ka përjetuar dramën e luftës civile dhe ngritjen e nacionalizmit në kundërshtim me multi-etninë që e dallon atë dhe krizën ekonomike që ka ndikuar në të gjithë Evropën?”, shkruhet në përshkrimin e ekspozitës. E ndarë në seksione tematike – si: “Liria”, “Barazia”, “Vëllazëria”, “Shpresa”, “Rreziku”, “Individualiteti”, “Pangjashmëria” e “Metamorfoza” – ekspozita është kuruar nga Zdenka Badovinac dhe Giulia Ferracci.
Zdenka Badovinac është kuratore dhe shkrimtare, drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Lubjanë që nga viti 1993, e që nga viti 2011 edhe e Muzeut të Artit Bashkëkohor “Metelkova”.
Giulia Ferracci ka bashkëpunuar më parë me “MACRO” – Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Romë – dhe është kuratore në “MAXXI”, ku punon prej vitit 2010.

Artisti Driton Slemani në këtë ekspozitë paraqitet me veprën “Red Tape”, me të cilën në janarin e vitit 2018 flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës e zëvendësoi me atë të “offside” të futbollit. Është një vepër që dy herë kishte tentuar ta konkretizonte. Ia kishte dalë me të tretën, e për këtë punë pati edhe me Policinë e Kosovës. Ai u dënua me gjobë prej 200 eurosh, ndërkohë që kompania e cila i asistoi me 400.
“’Red tape’ 2018 ofsajd – mbiemër, ndajfolje/në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar; përpara topit në fillim të/ose gjatë lojës. Flamujt gjithmonë janë përdorur nga njerëzit dhe shoqëritë që të formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, sjellin shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe u besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, ishte përshkrimi që i bëhet veprës. Vepra nuk ofron një opinion e as nuk fton për veprim, thjesht reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth nesh.
“’Red Tape’ qëndron më shumë si refleksion dyshues i narratives mbi ‘të mirën e përbashkët’, e cila për një artist të brezit tim më shumë ngjan në utopi sesa si një gjysmë e vërtetë, gjysmë e jetuar një herë e një kohë këtu në ish-Jugosllavi”, ka thënë Selmani, duke biseduar për ekspozitën “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia”.
Sipas tij, lidhshmëria e veprës me titullin është sa e largët po aq edhe e afërt në leximin e tij të konceptit kuratorial.
“Fillimisht intervenimi në Rrethin e Flamurit ka qenë menduar më shumë si Verfremdungseffekt (v.j. efekti i distancimit), ku ajo që projektohej drejt meje nuk përputhej me simulimin e atij realiteti që ne jetonim. Fatkeqësisht, grimca të mëdha të të njëjtave formulime vazhdojnë të vallëzojnë në përditshmërinë tonë edhe sot”, ka thënë ai. Në shtresimin kohor dhe leximin nga e tashmja, vepra si e tillë, sipas Selmanit, “ka qenë një akt ‘Bigger than Myself’ (Më i madh se unë)”.
“Dhe që besoj se kontribuon në hartimin e hartave për navigim, jo vetëm në të kaluarën tonë të përbashkët në një territor shumë kompleks, por edhe si një reflektim mbi ko-ekzistencën dhe pyetjen se ‘Quo vadis?’ (v.j. Kah po shkojmë?)”.

E artisti Alban Muja në këtë ekspozitë paraqitet me veprën “Albumi Familjar”, me të cilën më 2019 përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias.
Ekspozita ndërtohet rreth imazheve të realizuara para dy dekadash të nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnje, të babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë dhe fotografisë së djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shala, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën. Personazhet e këtyre fotografive sot janë të gjithë të rritur dhe Muja i rikthen në vëmendjen e opinionit publik nëpërmjet videove. Besa, Besimi e Jehona dhe Agimi tregojnë çfarë dinë për fotografitë dhe luftën.
Sipas artistit Muja, “Albumi Familjar” gërshetohet mjaft mirë brenda ekspozitës, pasi hap një diskutim më të gjerë për marrëdhënien midis estetikës dhe politikës, midis subjektit dhe narratorit.
“Përmes kësaj vepre hulumtohet me thellë në memoriet personale dhe kolektive për luftën e fundit në Kosovë dhe vihet në pyetje roli që kanë mediat dhe imazhet në ndërtimin dhe formësimin e narratives, identitetit e historisë, veçanërisht në kohë konfliktesh”, ka thënë Muja.

E artistja Doruntina Kastrati paraqitet me veprën “Heronjtë publikë dhe sekretet”, e cila vjen si evokim i historive të pathëna të punëtorëve të ndërtimtarisë në Kosovë, e po kaq edhe si aludim në politikat neoliberale të privatizimit. Për herë të parë, artistja me këtë ekspozitë u paraqit në korrik të vitit të kaluar në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Aty shpalosi fillimisht në mënyrë artistike hulumtimin e saj, i cili vë në pah gjendjen e klasës punëtore, aksidentet dhe përditshmërinë e tyre, madje edhe vdekjet.
“Duke synuar zbardhjen e rrjedhës organike mes hulumtimit dhe procesit krijues të veprës si skulpturë, projekti thellohet në hetimin e mëtutjeshëm të kohës së nevojshme për materializimin e saj si dhe jetësimin e relacionit mes një tradite artistike revolucionare dhe heroike, e cila sot vihet në pyetje dhe shtyhet tej harresës edhe më shumë si shkas i aktualitetit neoliberal që pamëshirshëm viktimizon dhe poshtëron ‘heronjtë e punës’”, ka thënë Kastrati. Sipas saj, me “heroin” e të sotmes manipulimi është brutal.
“Ata shfrytëzohen pamëshirshëm dhe pandërprerë, duke u fshehur nën arsyetimin e një dëmi kolateral drejt zhvillimit dhe progresit të shoqërisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, edhe vetë titulli i veprës së saj shpalos këndvështrimet e tërthorta mbi gjendjen njerëzore sot, mbi atë se kujt i themi hero.
“Atij që vdes në fushëbetejën e luftës, apo atij që vdes nga lufta e përditshme për ekzistencë? Pra, kush është heroi i të sotmes, që është thelbi kyç i ekspozitës në Romë”, ka theksuar Kastrati.

Artisti Somer Shpat në këtë ekspozitë është paraqitur me veprën “We build railways, railways build us”, me të cilën u zgjodh fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes në vitin 2019, organizuar nga qendra për art bashkëkohor “Stacion”. Këtë projekt ai e nisi në vitin 2016, në tentativë për t’i dokumentuar ndërtimet e paplanfikuara të banesave, të cilat po shkatërronin linjat hekurudhore jofunksionale të Prizrenit. Por, edhe sot, këto mbetje të hekurudhave për artistin ishin shumë monumentale. Për këtë arsye ai nisi një hulumtim për të parë prej së afërmi mënyrën se si ato u ndërtuan dhe çfarë kuptimi kishin për qytetarët. Kështu, ai nisi t’i shikojë publikimet e vjetra të “Rilindjes” dhe aty kuptoi se ndërtimi i hekurudhave ishte realizuar krejt ndryshe prej ndërtimeve të sotme. Ndërtimet hekurudhore kishin mobilizuar njerëzit, të cilët edhe u bënë subjekte të kohës. Portretet e punëtorëve mund t’i gjeje në ballinat e gazetës. Pikërisht ky detaj krijon njëfarë kontrasti të fortë me kushtet e sotme, gjë që është edhe boshti kryesor i punës së artisti.
Sipas Shpat, prej leximit të titullit të ekspozitës “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia” dhe projektit, shihet qartë se të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe u japin kuptim koncepteve mbi të cilat ndërtohet kjo vepër arti.
“’We build railways, railways build us’ ishte slogani i punëtorëve vullnetarë. Në atë kohë, jo vetëm ndërtimi i hekurudhave, por edhe i shumë ndërtimeve të tjera të kohës, ishin kryer nga punëtorët vullnetarë dhe ata qëndronin prapa shumë aspekteve të tjera ndërtuese të modernizmit, jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, ka thënë Shpat. Sipas tij, bashkëdyzimi i imazheve të punëtorëve dhe rrethanave të tyre me gjendjen e tanishme të hekurudhave, përmes ekspozimit në këtë vepër, u bënë jehonë këtyre zërave heroikë të kohës.

“Punë e rëndë” e Fatmir Mustafës – Karllos, (majtas në dysheme) në MAXXI
E artisti e Fatmir Mustafa-Karllo vjen me instalacionin e një “kufome”. Ajo është e shtrirë në tokë dhe është e mbuluar tërësisht, përveç dorës së djathtë. “Punë e rëndë”, sado që të jep trishtim kur e sheh nga larg, ka një dozë sarkazmi dhe humori që e përcjellin. “Kufoma”, në këtë rast, në gishtin tregues mban atë që ka nxjerrë nga hunda, që lë të kuptohet se sa pak është punuar për vendin. Mustafa-Karllo me këtë vepër ishte paraqitur fillimisht në ekspozitën “Mjegull” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në maj të vitit 2018.
Ekspozita “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia” do të jetë e qasshme për vizitorët deri më 12 shtator të këtij viti.