Të shumta e me peshë për historinë e shqiptarëve të Kosovës janë dëshmitë e ish-Burgut të Prishtinës. Por në dy vjetët e fundit, ka edhe kapituj hapjesh të përkohshme e ceremonish inauguruese. Ish-Burgu i Prishtinës i hapi dyert për disa ditë në qershorin e 2020-s, e të martën mbrëma po me ceremoni u inaugurua “Burgu i idealit”, ekspozitë e përkohshme që shfleton rrëfime ish-të burgosurish dhe jo vetëm
Shtatë muaj u janë dashur që ngadalë, me një sharrë të hekurit, të prisnin grilat e dritareve për t’ia mësyrë arratisjes nga hapësira që ishte Qendër e paraburgimit në Prishtinë. Martin Çuni e Muhamer Shabani duhej të prisnin të reshurat e shiut për t’i prerë grilat, në mënyrë që zhurma e ulluqeve ta mbulonte ato të sharrës. Epilogu: Muhamer Shabani iku e Martin Çuni nuk ia doli.
Kjo është historia e vetme e një tentim-arratisjeje nga ish-Burgu i Prishtinës që u hap më 1955 dhe funksionoi deri më 2016. Historiku i ndërtesës bashkë me të dhëna për numrin e të burgosurve e rrëfime të tjera gjenden në muret e objektit në qendër të qytetit. Ofrohen edhe nëpërmjet ekraneve.
Ministria e Kulturës të martën mbrëma ka mbajtur ceremoninë që e ka quajtur “Hapje e Muzeut të Burgut të Prishtinës”. Por realisht kjo ndërtesë ishte hapur përkohësisht për vizitorë në qershor të vitit 2020.
Prej atëherë synohej një konceptim i ekspozitës së përhershme. “Burgu i idealit” titullohet ekspozita e përkohshme që është hapur të martën. Është folur edhe për një të përhershme, duke bërë me dije se shteti edhe njëherë do të ketë ceremoni “hapëse” për këtë muze.

Përtej egos politike, ndërtesa e rrëfimeve njerëzore
Ekspozita aktuale në raport me hapjen e parë duket më e realizuar. Në ndërtesën që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, ngjitur me Stacionin e Policisë së Kosovës, vizitorët mund të përjetojnë një ambient burgu. Jo bash sikurse ka qenë gjatë sistemit socialist, shkaku i ndërhyrjeve të pasluftës, por të paktën në strukturë është i njëjti. E stafi, siç rëndom MKRS-ja improvizon, deri në hapjen e ekspozitës së përhershme do të huazohet nga institucionet tjera të trashëgimisë kulturore.
Hapja e parë, ajo e 12 qershorit 2020 në kuadër të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës nuk është përmendur fare, duke e stimuluar idenë se ndërtesa po hapet për herë të parë. Bile pak ditë më pas qe emëruar një grup punues për të çuar përpara procesin e krijimit të muzeut. Me përbërjen e re qeveritare hesapet kishin ndërruar. Por përtej egos politike, ndërtesa bart shumë rrëfime njerëzore.
Nga pjesa e brendshme ka formë harkore. Për 20 mijë shqiptarë, burra e gra, kjo ngrehinë qe vend i torturave. Duke ecur përmes kthinave të ngushta të objektit dykatësh, fare pranë qendrës së Prishtinës, në qelitë e shumta nuk ka më të burgosur. Dyert metalike qëndrojnë të hapura, ashtu sikundër e hapur është edhe shëtitorja e vogël. Dikur brenda tij u torturuan Fazli Graiçevci, Adem Demaçi, Rexhep Mala, Ukshin Hoti e pafund të rinj e të reja.
Bash në shëtitoren ku telat me gjemba ndajnë qiellin nga dyshemeja është mbajtur edhe ceremonia për hapen e ekspozitës së “Burgu i idealit”. Është punuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë.

Hap drejt shndërrimit në qendër dokumentimi
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ekspozita e përkohshme shënon hapin e parë drejt shndërrimit të kësaj ndërtese në qendër dokumentimi dhe ekspozimi të krimit të regjimit jugosllav dhe serb kundër shqiptarëve. Ka thënë se kjo ndërtesë tashmë është muze dhe nga e marrta edhe aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
“Ky institucion muzeal do të rrëfejë historinë e ish-të burgosurve politikë të cilët përjetuan tortura të paimagjinueshme nga regjimet gjenocidale të Jugosllavisë e të Serbisë vetëm përse ishin shqiptarë dhe u angazhuan politikisht për përmbushjen e të drejtave politike të popullit të tyre”, ka thënë Çeku që në ceremoni është shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Më vonë dyshes i është bashkuar edhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Sipas Çekut, këtë histori duhet rrëfyer botës për të dokumentuar krimet e ish-Jugosllavisë e të Serbisë karshi shqiptarëve me kërkesën legjitime për drejtësi dhe dëmshpërblim. Ka sqaruar se ekspozita e përkohshme është minimaliste pasi koncepti kuratorial synon t’i ofrojë secilit vizitor një përvojë duke ruajtur hapësirën e brendshme të Burgut në formën sa më origjinale. Pasi ka falënderuar grupin punues në përbërje të Emin Sallahut, Arlinda Hajrullahut, Merita Gorani-Bajrit, Alisa Gojani-Berishës e Rozafa Imamit, ka treguar se puna do të vazhdojë.
“Do të vazhdojmë projektin e restaurimit dhe në momentin e duhur do të nisin punimet. Mbase përmes një konkursi ndërkombëtar do të zgjedhim projektin për ekspozitën e përhershme të këtij Muzeu. Do ta bëjmë planin e menaxhimit, do ta angazhojmë stafin e rregullt”, ka thënë ai pa përmendur ndonjë afat.
Pas tij të pranishmëve u është drejtuar Hydajet Hyseni, ish i burgosuri politik, njëherësh anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje sikurse ministri Çeku. Hyseni ka mbajtur një fjalim të gjatë duke cituar prej Dante Aligerit e deri te shkrimtarët e filozofët e kohëve më të reja.
“Të flasësh për burgun muze do të thotë të flasësh për të burgosurit në radhë të parë. Jo pa arsye të burgosurit ose flasin gjatë e me emocione ose nuk flasin fare. Urojmë që duke e kthyer burgun në muze edhe Prishtina jonë të ketë një në vijimësi një objekt monumental edhe shkollor edukativ por edhe memorial përkujtues”, ka thënë midis të tjerash ai.
Pas ceremonisë nga Greqia nëpërmjet një postimi në Facebook, është lajmëruar edhe kryeministri, Albin Kurti.
Ka bërë një përshkrim me mjaft detaje.
“Një mur me thënie, vargje e ilustrime nga ish-të burgosurit. Poshtë korridorit, në fund të katit të parë, brenda rrojtores së dikurshme, është një ekran. Janë më shumë se 9 mijë emra dhe mbiemra të të burgosurve shqiptarë në të gjitha burgjet politike në Kosovë dhe Serbi”, ka shkruar ai. Ka shtuar se brenda 17 qelive të ish-Burgut të Prishtinës rrojnë histori të shumta të dhunës së regjimit serb mbi patriotët shqiptarë, që nga ndërtimi i tij në vitet e 50-ta, e deri në vitin 1999.
“Kujtime e dëshmi të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë e idealit për liri. ‘Burgu i idealit’. Kështu titullohet ekspozita që u hap sot, e që mëton të tregoj realitetin e shumë të burgosurve dhe burgjeve, jo vetëm në Prishtinë. E punuar në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, kjo ekspozitë është faza e parë e hapjes së burgut”, ka shkruar ai.

Tentimi i parë dhe i fundit i ikjes nga Burgu
Në shëtitore qëndrojnë të varura disa fotografi që njësiti i forenzikës i kishte bërë më 1983. Janë imazhet e dokumentimit të ikjes nga burgu.
Ish-gazetari Martin Çuni nga fshati Ujz i Gjakovës do të arrestohej në Ditën e pranverës më 1982. Çuni tash 75-vjeçar akuzohej për veprimtari armiqësore. Realisht bashkëpunonte me grupe që ishin kundër sistemit të atëhershëm. Por akuzën kryesore e kishte një replikë që kishte shkruar kundër një teksti të gazetës “Borba”.
“’Borba’ shkruante me intriga dhe unë kam replikuar me të vërteta për shqiptarët”, ka sqaruar ai të martën. Pas tij në burg do të shkonte edhe një student i artit. Qe Muhamer Shabani nga Përlepnica.
“Pasi u njohëm më tha: ‘A ta merr mendja se mund të thyhen hekurat e dritares. Shtatë muaj kemi bërë duke i prerë hekurat. Motra ia ka futur sharrën e hekurit në majonez”, ka treguar ai. Kishin bërë gati një litar duke përdorur batanijet. E kishin lidhur atë për oxhak. Shabani do të niste lëshimin poshtë nga ana e rrugës i pari. Por litari do të këputej.
“Kur ai ra poshtë roja doli shkaku i zhurmës së rënies. Muhameri e mori konopin poshtë dhe deshi të ma gjuajë lart. I kam thënë ec. Ngadalë me qëllim i jam afruar gardianit, në mënyrë që t’i jap afat atij që të ikë. Ky ishte rasti i parë dhe i fundit që dikush ka ikur nga Burgu i Prishtinës. Për veprën e parë jam dënuar 8 vjet kurse për të dytën një vit”, ka thënë ai.
Rrëfimet për këtë ndërtesë janë të shumta. Se si do të sistemohen ato, e si do të duket hapësira, mbetet të shihet në hapjen e radhës së ish-Burgut.
{gallery}