Kulturë

Institucionet e kulturës presin vit pa borxhe e me pavarësi financiare

Një vit pa borxhe e pavarësi financiare janë pritjet kryesore të shumicës së institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore për 2020-n. Që të dyja janë “dëshira” të kahershme. E para, borxhet, janë telashe që u përkeqësuan edhe më dy vjet më parë kur 2018-n institucionet e kulturës e kishin mbyllur me bllokadë financiare, shkruan sot Koha Ditore.

Obligimet qenë bartur për vitin pasues. E në fillim të 2019-s planeve të bëra është dashur t’ua shtojnë edhe kapitullin e borxheve. Pothuajse të gjitha institucionet kishin kërkuar dyfishin e buxhetit nga ai që ua ka ndarë Ministria e Kulturës. Rritja e buxhetit në raport me vitin 2019 ishte simbolike, përderisa shfrytëzimi i tij është një dramë më vete. Në konferencën e fundvitit në dhjetor të 2018-s, ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, kishte qenë i prerë sa i përket pavarësisë financiare.

“Institucionet do të kenë nënkodet e veta buxhetore”, kishte thënë ai. Por as një vit pas kësaj deklarate gjërat nuk janë përmirësuar. Të gjitha pagesat e detyrimeve të institucioneve të kulturës dhe atyre të trashëgimisë bëhen direkt nga thesari i shtetit. Për dallim nga ato të kulturës, të trashëgimisë kanë ndërprerë aktivitetet shkaku i vonesës së pagesave. Ky problem zë fill nga qershori i vitit të kaluar, kur Zyra Kombëtare e Auditorit konstatoi se institucionet nuk mund të kenë llogari në bankat komerciale. Për vitin që shkoi, Ministria e Kulturës s’ka mbajtur konferencën e zakonshme ku bën bilancet bashkë me premtimet.

Filarmonia e Kosovës ka realizuar 20 koncerte përfshirë edhe atë në Paris në fund të muajit maj të 2019-s. Trashëgimi i borxheve dhe koncerti i mbajtur në Paris në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës kanë bërë që Filarmonia të ketë hallë financiare.

“Viti 2019 ishte shumë dinamik. Kemi hyrë me buxhet më të vogël se vitet e kaluara. Obligimet e vitit 2018 kanë ngelur në buxhetin jo të rritur të vitit 2019 që na ka shkaktuar shumë telashe. Ka qenë vendim i yni që për shkak të financave të participojmë në koncertin e Parisit. Kjo na ka marrë gati 40 mijë euro buxhet që nuk kanë qenë të planifikuara. Fundi i vitit na gjeti relativisht me probleme”, ka thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Por, sipas tij, në fund të dhjetorit janë njoftuar se Ministria e Kulturës do t’u dalë në ndihmë. Jashari ka thënë se nëse ndodh kjo atëherë situata do të përmirësohej.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)