Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Instant” vjen si udhëtim nëpër univers me tinguj jazzi

Prishtinë, 6 mars – “Instant” mund të përkthehet si “çast” a “moment”, por është më shumë sesa kaq, kur kësisoj pagëzohet një projekt muzikor. Aq më tepër një jazz-album. Çağrı Sertel në piano, bashkë me shokët e tij Volkan Öktem në bateri, Volkan Hürsever në bas, Sarp Maden në jazz-kitarë dhe Engin Recepoğulları në saksofon, kanë sjellë kompozimet e këtij albumi të hënën mbrëma në “Kino Armata” në natën e hapjes së edicionit të dytë të “Prishtina Jazz Week”.

Në skenën që ndriçohej prej reflektorëve kuq e kaltër, pesëshja ka sjellë edhe më shumë ngjyra të universit të tingujve. “Kino Armata” ka qenë e ngushtë për publikun e shumtë. Ani pse zhanri që kanë luajtur i lejon improvizimet, instrumentistët turq janë dëshmuar të zotë e në një koordinim perfekt. Ajo që kanë zbërthyer nëpërmjet albumit që përthekon kompozimet si – “Juno” që kujton hyjneshën romake, “Saturation”, “Burden” a “Horizon” – i ka ngjarë edhe një rrëfimi midis të kundërtave. Në album janë edhe instrumentalet me titujt “Agony” apo “Black Days”.

Përveç instrumentistëve e lojës së tyre, vëmendjen nganjëherë e ka marrë edhe spektri i dritave që projektoheshin nëpër tavan, shoqëruar nga duartrokitjet e brohoritjet e kohëpaskohshme të publikut adhurues të jazzit.

Duke filluar me melodi të qeta, më të ngadalta mes lojës së ngjyrave dhe dritave, pianisti Çağrı Sertel e ka njoftuar se pjesët që interpretojnë i përkasin albumit të tij të dytë “Instant”, realizuar më 2017. Sertel ka dëshmuar mjeshtërinë e tij në interpretim në piano, që herë-herë është në qendër, por ka vend edhe për instrumentistët e tjerë që jo rrallë shpërthejnë në solo. Në fund të mbrëmjes është kuptuar që “Instant” s’ka qenë veç një çast, por pikënisje rrugëtimi në magjinë e tingujve.

Pa u nisur në after party, për gazetën kanë folur dy anëtarë të bendit dhe njëri nga bashkorganizatorët e “Prishtina Jazz Week”, Adrian Berisha, njëherësh këshilltar në Asamblenë e Komunës së Prishtinës. I pranishëm në koncert ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nën patronazhin e të cilit është organizuar ngjarja.

Edhe “Prishtina Jazz Festival” – magjia e tingujve në formulën e harmonisë, sonte në “Express” EXPRESS “Prishtina Jazz Festival” – magjia e tingujve në formulën e harmonisë, sonte në “Express”

Berisha ka thënë se organizimi ka qenë i mundimshëm dhe stresues, por ia ka vlejtur.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")