Së paku për një orë, sa zgjat shfaqja, publiku njashtu sikurse edhe shfaqja, qesh me realitetin e ashpër që ka përthekuar vendin përderisa dalja prej teatrit mund ta ngrijë buzëqeshjen në përballje të përnjëmendtë me të. Dhe ky lloj katarsisi është roli i teatrit që në zanafillë, e “Inspektor Limi” si komedi e zezë vjen pikërisht në këtë frymë. Sharjet, vulgariteti e çka jo tjetër mund të jenë të ekzagjeruara, por një qasje e tillë është e qëllimshme për ta goditur sa më fort atë skenë të përditshmërisë
Këngët patriotike jehojnë brenda pijetores. Arbeni dhe shkencëtari Xhelali kanë ngecur në një provincë. Nuk kursejnë fjalët banale pa marrë parasysh temat që diskutojnë. Të gjithë e njohin shoqi-shoqin. Ardhja e një të riu, Lirim Berisha – Limi, ngjall dyshime tek të gjithë. Inspektori është në mision për të gjetur një makinë që prodhon lëndë narkotike e që mund ta kthejë Kosovën në një vend të lumtur. Këto janë disa detaje të komedisë së zezë “Inspektor Limi”, që u dha premierë të hënën mbrëma në teatrin “Oda”.
Inspektori nis hulumtimin e tij për të gjetur drogën. Të gjithë janë të dyshuar për të. Veçanërisht specat e Arbenit (Adrian Morina) mund të mos jenë vetëm speca. E droga e Fisit (Lirak Çelaj) mund të jetë ajo që ai kërkon. E gjersa ai kërkon drogën, personazhet e tij vënë në pah se në provincën ku ata jetojnë gjërat nuk po ecin mbarë. Shkencëtarët tallen për zbulimet e tyre e krimi kryhet haptas. Mashtrimi është diçka e zakonshme. E deputetët e vizitojnë këtë pjesë vetëm kur ka zgjedhje. Inspektor Limi (Kastrio Grajqevci) nis t’i bëjë të gjithë shokë e vendasit teksa të gjithë vrasin mendjen se shoku i kujt mund të jetë ai. Në momentin që askush nuk e njeh atë nis konfrontimi në mes të tij dhe Fisit. Shpejt ajo që nis me pyetjen “Kush je ti?” përfundon me vrasje. Vetëm baristja Monika (Daniela Markaj) nuk është e përfshirë në këtë grindje. Ajo ia del që të mashtrojë të tjerat, por makina e Xhelalit (Nëntor Fetiu) është e vetmja që ia prish planet. Skena është si një kafehane mëhalle, pronë e Fidaimit, rolin e të cilit e luan Kushtrim Sheremeti, i cili transformohet edhe në rolin e nënës së Arbenit.
Teksti i kësaj shfaqjeje e nxori autorin Lirak Çelaj nga gjuha standarde, por nuk munguan elemente surrealiste që janë specifike për shkrimet e tij. Sidoqoftë, përdorimi i fjalëve banale nuk e ul cilësinë e as profesionalizmin e aktorëve a të regjisorit Florent Mehmeti.
Sipas aktorit Adrian Morina – që portretizoi Arbenin, një shitës të specave që gënjen si i kultivon ata vetë – teksti është i ngjashëm me shkrimet e dramaturgut, skenaristit e regjisorit Martin McDonagh. I lindur në Londër por me prindër irlandezë, McDonagh la shenjë në teatër me komeditë e tij të zeza e u bë fitues i çmimit “Grammy” në vitin 2006, në kategorinë “Best Live Action Short Film”, me filmin e tij të parë të shkurtër “Six Shooter”, si dhe është fitues i tri çmimeve BAFTA në vitin 2018 dhe dy “Golden Globe Awards” për filmin e tij “Three Billboards Outside Ebbing Missouri”.
Morina e nis këtë krahasim duke u bazuar në atë se personazhet flasin me gjuhën e vendit ku janë rritur.
“Është një tekst që i flet vendit, komunikon mirë me publikun dhe, mbi të gjitha, pavarësisht se është komedi, është një tekst serioz, sepse e dimë se komedia është një biznes serioz dhe nuk ka asgjë më të vështirë sesa të zgjohesh një mëngjes dhe të thuash: e kam një shfaqje në mbrëmje dhe më duhet t’i bëj njerëzit që të qeshin”, ka thënë ai. Ka shtuar se veçanërisht në këtë situatë politike e pandemike, komeditë janë një strehë për publikun. Regjisori përmes shfaqjes krijon një linjë në mes të personazheve dhe situatës në vend. Lehtësisht pijetorja mund të zërë vend në secilin fshat të Kosovës. Fryma e shfaqjes sjell një pesimizëm se gjërat do të përmirësohen. Personazhet kërkojnë të largohen nga vendi. Brenda tyre frymon ndenja se vetëm kriminelët arrijnë të kenë një jetë më luksoze. Përmes shkollimit ata nuk do arrijnë ta bëjnë këtë e do të mbesin njëlloj si Xhelali.
Rikthimi në teatrin “Oda” nuk ishte i lehtë për stafin e këtij teatri përfshirë edhe aktorin Morina, pasi pa u bërë një vit humbën dy miq që i kishin shumë për zemër: Etrit Mehmeti, një nga shtyllat e teatrit “Oda” njëherësh edhe shef i montazhit në “Kohavision”, i cili vdiq më 21 qershor të 2020-s, në moshën 37-vjeçare, sikurse edhe kryetekniku Ukshin Krasniqi, i cili vdiq më 10 dhjetor të atij viti, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti në vendin e punës.
“Pas dy humbjeve të mëdha që i kemi përjetuar si komunitet dhe si teatër ‘Oda’ natyrisht që ka qenë shumë e vështirë të rikthemi këtu, por kjo na ka motivuar edhe më shumë që me ia kthye buzëqeshjen teatrit ‘ODA’ edhe një herë dhe këtë shfaqje e këtë projekt personalisht ua dedikoj këtyre dy njerëzve të jashtëzakonshëm pa të cilët ky teatër nuk do të ishte ai që është sot”, ka thënë ai. Ka treguar se kontributi i Mehmetit dhe Krasniqit ishte i madh që nga koha kur teatri “Oda” ishte diskotekë, pastaj kur nuk ka pasur mure.
“Kur nuk kemi pasur asgjë, ani pse as sot nuk kemi shumë”, ka thënë Morina, i cili pas shfaqjes kishte veshur një fanellë me portretet e Mehmetit e të Krasniqit.
Qasja kritike ndaj shoqërisë, e gërshetuar me komedi, dhe afërsia që karakteret krijuan me publikun për gati një orë sa zgjati shfaqja, u la mbresa të pranishmëve.
Aktori e producenti Blerim Gjoci, i cili ka kohë që jeton dhe vepron në ShBA, është kthyer në vendlindje. Këtë kohë pushimi ka vendosur që ta kalojë në teatër dhe rastisi që “Inspektor Limi” ta ketë premierën. Shfaqja ka thënë se i ngjalli kujtime kur Lirakun e kishte shok studimesh dhe realizonin bashkë shfaqje.
“Kam ardhur rishtazi dhe m’u largua një mall i madh edhe për teatrin, për humorin tonë me të cilin dimë në mënyrë shumë perfide me i cyt shumë dukuri shoqërore, të karaktereve e të tjera”, ka thënë ai. Ka shtuar se Lirak Çelaj si zakonisht përmes teksteve të tij mbetet kritik ndaj shoqërisë.
“Më pëlqeu më së shumti që edhe aktorët ishin në skenë me ne. Nuk ishte ai muri i katërt që të mban shumë strikt. Luanin së bashku me ne dhe ne luanim së bashku me ta dhe u ndjemë si pjesë e rrëfimit”, ka thënë ai.
E autori i tekstit, Lirak Çelaj, ka thënë se me qëllim kanë theksuar sharjet, fjalorin vulgar, por edhe “atmosferën e ndyrë që kemi dashur ta krijojmë”.
“Është krijuar te ne një disponim i tillë, një atmosferë ku secili e shan tjetrin, qoftë në rrjete sociale, qoftë kudo. Në përgjithësi është krijuar një klimë pesimiste, e pashpresë, që vazhdimisht na sillet rrotull këtyre viteve të fundit”, ka thënë Çelaj, i njohur veçanërisht nga shfaqja “3 gjermanët e trashë” që më pas u kthye në serial televiziv. Sipas tij, shfaqja është reflektim i situatës në vend, por e ekzagjeruar dhe e sjellë në dimension të komedisë së zezë.
“Sidomos tani që ka kaluar një vit që jemi mbyllur, e shoh që njerëzit janë deprimuar dhe kemi dashur që të sjellim një atmosferë më pozitive dhe t’i bëjmë njerëzit që të qeshin pasi që është më e shëndetshme natyrisht pa ikur nga atmosfera e përgjithshme që kemi”, ka thënë ai.
Shkencëtari Xhelali ka zbuluar një makinë për kthim në kohë. Askush nuk i beson që ajo është e vërtetë derisa personazhet mbesin duke rijetuar momentet e njëjta të cilat i arsyetojnë me atë se po përjetojnë një “déjà vu”.
Aktorja Lena Kryeziu ka thënë se loja atraktive e gjithë ekipit është ajo që i la mbresa krahas regjisë.
“E të mos flasim për tekstin e Lirakut që gjithmonë sjell tekste shumë të këndshme e që na japin edhe nga një mesazh pas vetes ani pse komedi”, ka thënë ajo.
Drejtori i teatrit “Oda”, njëherësh edhe regjisor i kësaj shfaqjeje, Florent Mehmeti, ka thënë se mbetet veçanti e “Odës” që të sjellë stile të veçanta të komedisë.
“Për këtë kohë të vështirë që po kalojmë është e rëndësishme që të sjellim një komedi pasi që teatri duhet që të luajë edhe rolin e ventilit shfryrës dhe t’i ofrojë publikut një relaksim duke kultivuar një stil me të veçantë të stilit të komedisë që e sjellim në ‘Oda’, me specifikat të tjera stilistike”, ka thënë ai. Sipas tij, koncepti i repertorit të teatrit “Oda” mundohet t’i mbushë boshllëqet dhe t’i ofrojë publikut zhanre, stile e qasje të ndryshme.
“Meqenëse kemi pak teatro, nuk mund të specializohemi shumë në një lloj të teatrit pasi që kishte me qenë jo e bollshme për skenën teatrore dhe kulturore në veçanti”, ka thënë ai. “Inspektor Limi” është shfaqur edhe të martën, duke filluar nga ora 19:00, në teatrin “Oda”, konform masave në fuqi dhe pritet që ta ketë reprizën tjetër edhe të mërkurën.