Veprimtaria letrare e biografia e shkrimtares së njohur Ilse Aichinger shpërfaqen në ekspozitën “Es begann mit Ilse Aichinger 1921-2021” (Filloi me Ilse Aichinger 1921-2021), që është hapur të hënën në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Nëpërmjet posterëve ku paraqiten fotografi e përshkrime, vizitorët shëtisin nëpër jetën e vështirë të krijueses, që nuk ishte e barabartë me të tjerët në rini shkaku i prejardhjes së saj
Në rini do ta kishte fatin që të mos gëzonte të drejta vetëm shkaku se të ëmën e kishte hebraike. Ilse Aichinger do të detyrohej që t’i ndërpriste studimet pasi pushteti nazist kishte vendosur që ajo të jetë një sllave në një prej fabrikave austriake. E kur nazistët nisën që të ushtronin terror ndaj hebrenjve, motra e saj Helga, falë organizimit që u quajt “Kindertransport”, ia doli të shkonte në Britani të Madhe. Rreth 10 mijë fëmijë hebrenj u shpëtuan në Gjermani e Austri nga ky organizim. Aichinger do t’ia dilte të mbijetonte. E krejt përvoja e saj e rinisë do t’i hynte në punë për të rrëfyer përvoja si shkrimtare e zonja.
Kjo pjesë e historisë së saj bashkë me pjesën tjetër të jetës e veprimtarisë letrare shpërfaqen në ekspozitën “Es begann mit Ilse Aichinger 1921-2021” (Filloi me Ilse Aichinger 1921-2021), që është hapur të hënën në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.
Nëpërmjet posterëve ku paraqiten fotografi e përshkrime, vizitorët shëtisin nëpër jetën dhe krijimtarinë e pasur të shkrimtares austriake.
Ilse Aichinger (1921-2016) gëzon reputacion të madh si krijuese. Sipas shkrimtarit të njohur Hans Weigel, pikërisht me Aichinger filloi letërsia austriake pas vitit 1945.
Romani i saj “Die größere Hoffnung“ (Shpresa më e madhe), i përkthyer në gjuhën shqipe nga Ana Kove, është një nga veprat e para të letërsisë në gjuhën gjermane për përvojën e të mbijetuarve të Holokaustit në Vjenë. Tregimet e saj: “Der Gefesselte“, 1953; “Wo ich wohne”, 1963; “Meine Sprache und ich”, 1978; radiodramat “Knöpfe”, 1953, e disa vepra të tjera janë pjesë thelbësore e letërsisë së asaj epoke. Në posterë sqarohet se në vitet ‘90 Aichinger ka shkruar rregullisht kolumne në gazetën “Der Standard”, ku ndërlidhte kritikën e filmit me skena nga përditshmëria vjeneze dhe aspekte nga fëmijëria dhe rinia e saj nën nacionalsocialistët.
Në hapje të ekspozitës përfaqësues të Universitetit të Prishtinës dhe të Ambasadës së Austrisë në Kosovë kanë thënë se është tejet e rëndësishme që organizimet e tilla të jenë pjesë e Departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane.
E lektorja e gjuhës gjermane në këtë departament, Verena Walzl, ka thënë se në vitin 1939 tezja e Aichinger arriti të udhëtonte për në Londër, por ajo ishte në gjendje të organizonte vetëm një vend në transportin e organizuar për fëmijë në Britaninë e Madhe, kur edhe udhëtoi motra e shkrimtares. “Përpjekjet e familjes për të marrë më shumë viza dështuan. Gjyshja e saj, Erna, dhe xhaxhai Feliks u vendosën në një lagje në Vjenë, nga ku u dërguan në kampin e shfarosjes ‘Maly Trostinez’ në Minsk, ku u vranë 40 mijë deri në 60 mijë hebrenj dhe robër lufte sovjetikë. Ilse dhe nëna e saj i mbijetuan luftës në Vjenë”, ka thënë ajo.
Ka treguar për të pranishmit se menjëherë pas luftës u botua romani i saj i parë dhe i vetëm, ku trajtonte ndarjen e motrës dhe vitet e luftës. Pas luftës shkrimtares do t’i hapeshin shumë rrugë.
Walzl ka treguar se pasi shkrimtarja u transferua në Frankfurt, u takua me Inge Scholl, Otl Aicher dhe Hans Werner Richter nga “Grupi 47”, i cili ishte i rëndësishëm në zhvillimin e letërsisë gjermane të pasluftës.
“Burri i saj Günter Eich, gjithashtu një shkrimtar, vdiq në vitet '70. Në këtë kohë Aichinger arriti kulmin e punës së saj dhe mori disa çmime për aftësitë e saj në të shkruarit. Djali i saj, Clemens Eich, gjithashtu vdiq shumë i ri në moshën 47-vjeçare në një aksident tragjik”, ka treguar lektorja. Këto informacione të shoqëruara edhe nga shumë fotografi janë pjesë e ekspozitës të cilat janë siguruar nga Arkivi i Letërsisë Gjermane, Biblioteka Kombëtare e Austrisë e institucione të tjera kulturore.
“Ekspozita tregon momente personale dhe profesionale në jetën e Ilse Aichinger, shoqëruar dhe plotësuar me vepra arti të motrës së saj binjake Helga, si dhe letra, foto dhe disa dokumente të tjera përkatëse”, ka thënë lektorja. Shkrimtarja vdiq më 11 nëntor të vitit 2016, duke lënë një krijimtari e trashëgimi intelektuale të njohur botërisht.