Kulturë

Ilire Vinca në Akademinë Evropiane të Filmit synon ta fuqizojë zërin e Kosovës

Aktorja Ilire Vinca është anëtarja më e re e Kosovës me të drejtë vote në Akademinë Evropiane të Filmit e cila, ndër të tjera, ndan edhe një nga çmimet më të rëndësishme kinematografike, e që konsiderohet “Oscari” evropian. Përzgjedhja e saj si anëtare do të bëjë që edhe një zë më shumë nga kinematografia e Kosovës të dëgjohet në Akademinë e njohur e që bën bashkë më shumë se 3 mijë e 800 profesionistë të kinematografisë. Deri tani Akademia Evropiane e Filmit ka emëruar 25 anëtarë nga Kosova ani pse, bashkë me Vincën, vetëm 17 janë aktivë.

Sipas Vincës, anëtarësimi në Akademi është rezultat jo vetëm i punës së saj, por e të gjithë aktorëve dhe profesionistëve të kinematografisë që Kosovës ia dhanë të drejtën e pamohueshme të lëvizjes së lirë, të rrëfimeve dhe imazheve të vërteta të gjithsecilit.

“Përderisa kufijtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta”, ka thënë Vinca.

Ajo u bë e njohur edhe si aktorja e parë nga Kosova që mori pjesë në Festivalin e Filmit në Berlin – “Berlinale” me filmin “Falja e gjakut’” më 2011.

“Ndihem mirë edhe për faktin se kinematografia jonë ka kaluar nëpër faza shumë të vështira të punës. Duke qenë edhe të izoluar dhe duke marrë parasysh kushtet në të cilat kemi punuar, nuk ka qenë e lehtë që të depërtojmë me punën tonë”, ka thënë Vinca për KOHËN.

Vinca ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës. Njihet edhe për lojën e saj në filma të ndryshëm, si: “Burrneshat” (2015) nën regji të Laura Bispurit, “Zana” (2019) nën regji të Antoneta Kastratit, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”(2019) nën regji të Kushtrim Bekteshit, “Gardhi” (2018) nën regji të Lendita Zeqirajt e “Martesa” (2017) nën regji të Blerta Zeqirit.

“Ky anëtarësim të bën që të shohësh se ti je i barabartë me të gjitha vendet e botës dhe praktikisht je pjesë e familjes evropiane, atë që po e synojmë edhe si vend. Vlerësimi ndërkombëtar i punës sonë është një lloj barometri që na tregon se jemi duke punuar mirë e që zëri ynë do të dëgjohet edhe në kinematografi”, ka thënë ajo. Sipas saj, artistët fillimisht synim e kanë që të bëjnë punën e tyre mirë dhe pastaj kur vlerësohen për të njëjtën edhe që të prezantojnë kulturën, historinë dhe vendin e tyre.

“Jemi aty ku duhet. Edhe me filma, por edhe me vlerësimin tonë si anëtarë të Akademisë”, ka thënë ajo, duke iu referuar faktit se edhe produksioni kosovar “Në mes”, nën regjit të Samir Karahodës, është në garë zyrtare. Filmi i shkurtër dokumentar pati triumfuar në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Qipro (International Short Film Festival of Cyprus) dhe rrjedhimisht ishte nominuar për çmimin prestigjioz të Akademisë Evropiane të Filmit për këtë vit, për të cilin ceremonia mbahet më 12 dhjetor në Reykjavík të Islandës. Data e edicionit të 33-të e “European Film Awards” ende mbetet valide, ani pse në faqen zyrtare është shkruar se mund të ndryshojë për shkak të pandemisë. Në dokumentarin “Në mes” të Samir Karahodës vëllezërit dhe bijtë që jetojnë jashtë ndërtojnë shtëpi identike për të shprehur barazinë dhe unitetin në familje.