Kulturë

“Ilegalja shqiptare...” në dy vëllime zbardh të dhënat e inteligjencës jugosllave mbi shqiptarët

Vepra voluminoze është produkt i analizës së materialeve të shërbimeve sekrete jugosllave. Ato përfshinin organizimin dhe organizatorët, shtrirjen, synimet dhe veprimet konkrete të organizatave dhe grupeve ilegale që vepruan gjatë viteve ’80. Një retrospektivë e shkurtër përfshihet edhe për vitet ’50, ’60 e ’70. Në libër paraqitet këndvështrimi analitik i materialeve të siguruara prej Arkivit Shtetëror të Kroacisë. “Ilegalja shqiptare – Pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë I – II” është prezantuar para studiuesve e hulumtuesve në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Studiues e veprimtarë janë mbledhur të hënën në njërën prej sallave të Institutit Albanologjik ku është promovuar libri dyvëllimësh “Ilegalja shqiptare – Pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë I – II” i Skender Asanit. Vepra voluminoze është produkt i analizës së materialeve të shërbimeve sekrete jugosllave. Ato përfshinin organizimin dhe organizatorët, shtrirjen, synimet dhe veprimet konkrete të organizatave dhe grupeve ilegale që vepruan gjatë viteve ’80. Një retrospektivë e shkurtër përfshihet edhe për vitet ’50, ’60 e ’70.

Në libër paraqitet këndvështrimi analitik i materialeve të siguruara prej Arkivit Shtetëror të Kroacisë.

“Ilegalja shqiptare – Pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë I – II” është prezantuar para studiuesve e hulumtuesve për të cilët është konsideruar se në promovim se mund t’u hyjë në punë. Ngjarja ka korresponduar me 42 vjetorin e demonstratave të 2 prillit të vitit 1981. Dhe jo krejt rastësisht, libri i përgjigjet datës së shënuar dhe përfshin pikërisht këtë periudhë (1980-1986). Fotografitë që ilustron librin janë projektuar në mur për të mbledhurit në sallë. Me himnin kombëtar është hapur ngjarja kushtuar botimit i cili sjell lëndën burimore ku është ruajtur autenticiteti i materialit dhe nuk është bërë ndërhyrje plotësuese.

Në të kurorëzohet puna disamujore e një ekipi hulumtuesish të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore e Shqiptarëve në Shkup me në krye profesorin Skënder Asani. Në fokus ka kryesisht veprimtarinë atdhetare të shqiptarëve të organizuar ilegalisht në periudha të ndryshme kohore. Është i përqendruar në vitet ’80, para dhe pas demonstratave të 1981-s në Kosovë, parë prej shërbimeve sekrete jugosllave. Paraprakisht, libri dyvëllimësh “Ilegalja shqiptare – Pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë I – II” ishte promovuar në Shkup.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, profesor Skënder Asani, ka thënë se vëllimet ndërlidhen edhe me Prishtinën dhe mbarë Kosovën. Sipas tij, ka ngjarje të lavdishme të para 42 viteve.

“Deri më tani, ne si Institut kemi botuar vepra nga më të ndryshmet të cilat për nga rëndësia dhe karakteri kanë paraqitur vlera të pamohueshme shkencore e kulturore, por kësaj radhe, me këtë botim po shënoj një hap paksa më ambicioz në mbylljen e një teme që atë kohë, ka qenë objekt debatesh e qëllimesh konstruktive e dekonstruktive, të sinqerta, djallëzore”, është shprehur Asani.

Ai ka treguar se dosjet ende ruhen në Shkup, Beograd dhe Lubjanë duke vlerësuar se punën e tyre hulumtuese e bën të veçantë institucioni prej nga janë siguruar. “Ajo çfarë e bën të veçantë punën tonë hulumtuese gjatë përgatitjes për shtyp të këtyre dosjeve është fakti se ky material voluminoz është siguruar nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë, një favor ky i jashtëzakonshëm, i dobishëm për vërtetësinë dhe autenticitetin e lëndëve arkivore të cilat morën formën e këtij botimi dyvëllimësh. Me intencë që në javët dhe muajt në vazhdim të përgatisim edhe dhjetëra vëllime të tjera nga materia e njëjtë”, ka thënë ai më tej.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka konsideruar se “është përgjithësisht e njohur se shqiptarët përgjatë historisë së tyre nën sundime të huaja kanë përjetuar tragjedi të dyfishtë: së pari trajtohen si trup i huaj dhe i padëshirueshëm në katrahurat e shteteve pushtuese dhe së dyti se jo më pak pësoi e vërteta për historitë e tyre”.

Sipas tij, fushatat për shfarosjen e shqiptarëve janë trajtuar shumë herë si akte legjitime ndërsa e vërteta u ndërrua me një të paqenë që arsyetonte mjetet dhe qëllimet e pushtuesve në trojet shqiptare.

“Pushtuesit e shqiptarëve, duke ruajtur të drejtën e posedimit të së vërtetës, të monopolit të saj mbi të, jo rrallë e kanë deformuar rëndë atë, qoftë duke e tjetërsuar me qëllim të justifikimit të akteve makabre mbi shqiptarët, qoftë duke ofruar plot ndërhyrje me qëllim të baltosjes së figurave qendrore të lëvizjes atdhetare shqiptare e madje edhe duke futur mollën e sherrit në përçarjen brenda shqiptare me qëllim të dobësimit të kapaciteteve të saj vepruese’, ka thënë Matoshi më tej.

E zëvendësuesja e drejtorit të institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Teuta Shala-Peli, e ka konsideruar moment të veçantë dhe ngjarje me rëndësi. Për IKTKSh-në ka konsideruar se synim kryesor është të sillet e vërteta nëpërmjet dokumenteve që lidhen me veprimtarinë e organizatave të fshehta me karakter nacional-çlirimtar.

“Nëpërmjet këtyre dy botimeve me dokumente po konfirmohet gjithnjë më shumë puna e palodhshme dhe me shumë përkushtim e kolegëve tanë të cilët i përgëzoj për këtë nismë. Botimi i këtyre dy vëllimeve shënon një hap të rëndësishëm në rrafshin kombëtar e në fushën e dijes dhe shkencës në përgjithësi”, është shprehur historiania Shala-Peli.

E veprimtari Mehmet Hajrizi ka konsideruar se Instituti ka bërë punë të vlefshme në mbledhjen e materialeve. Ai i është referuar shpjegimit të Asanit për librin.

“Një pjesë e materialeve janë përmbledhur në dy vëllime. Në parathënie, drejtori Skënder Asani shkruan: Drejtoria e Informatikës së Sekretariatit të Punëve të Brendshme, duke e cilësuar si top sekret këtë material, kishte vendosur në vitin 1986 të bëjë një shqyrtim ‘analitik’ të veprimtarisë ilegale nga viti 1980-1986, e cila konsiderohej armiqësore nga pozitat e nacionalizmit shqiptar”, ka thënë ai.