Në nëntor, ish-kampioni i diskredituar i çiklizmit, Lance Armstrong, do të dalë para drejtësisë për t’iu përgjigjur një padie civile për mashtrim lidhur me rastin e përdorimit të medikamenteve të ndaluara që e rrisin performancën dhe qëndrueshmërinë trupore.
Një raport i kohëve të fundit i “USA Today” sugjeron se Armstrong mund ta mbrohet me pretendimin “të gjithë e bëjnë” ndërsa më pas vazhdon me përshkrimin e strategjisë së Departamentit të Drejtësisë për ta bllokuar një plan të tillë, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
Cilido qoftë fati i Armstrongut, duket sikur fakti i hidhur i argumentit “të gjithë e bëjnë” ka këmbë dhe po ashtu mund të flasë. Producenti Bryan Fogel ma kujtoi së fundmi se praktika e përdorimit të dopingut daton qysh prej kohës së grekëve të lashtë, të cilët gjatë Lojërave Olimpike konsumonin narkotikë dhe një lloj përzierjeje barishtesh për eliminimin e dhembjeve.
Disa vjet më parë Fogelit, një producent filmash dhe çiklist i përkushtuar amator i cili, sikurse shumë të tjerë, e kishte idhull Lance Armstrongun në vitet kur ai e kundërshtonte fuqishëm dopingun, i lindi ideja për ta bërë një film lidhur me këtë temë. Kësisoj ai do ta krijonte për vete një regjim dopingu të padetektueshëm dhe t’i regjistronte rezultatet e eksperimentit.
“Fillimisht e konceptova filmin si ‘Super Size Me’, në të cilin unë do të isha subjekt i eksperimentit që e nxjerr në pah dështimin e sistemeve antidoping”, tha Fogel gjatë një interviste telefonike. “Në fund do të shtrohej pyetja se cila është e mira e këtij sistemi që supozohet ta frenojë dopingun, kur mund të vihet në sprovë në një mënyrë të tillë?”
Sikur gjërat të shkonin sipas planit, filmi i tij me titull “Icarus”, që është vënë në transmetim në “Netflix” që nga 4 gushti, do të mundë të përfundonte si një pasqyrim bindës i asaj sesa lehtë të maskohet shfrytëzimi i substancave që rrisin performancën. Por ndodhi një skandal sportiv botëror, duke e bërë rrëfimin e Fogelit edhe më interesant, por edhe më shqetësues... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.