Veprat e Jakup Ferrit janë plot jetë. Brenda një punimi zhvillohen aktivitete të ndryshme. Dikush është në pishinë, tjetri shet akullore, një tjetër person luan me kafshë e dikush tjetër dëgjon muzikë, duke mos i interesuar fare se çfarë po ndodh. Kësisoj, Ferri ia del që edhe vizatimet bardhezi t’i bëjë të duken shumëngjyrëshe. Në shikim të parë disa vepra mund të duken si vizatime të thjeshta. Por nëse nuk ua ndan sytë për një kohë, vijnë e bëhen më komplekse. Aty gjen gjithçka. Mund të krahasohen edhe me jetën dinamike e zallamahinë e popujve ballkanikë ku në pak metra katrorë zhvillohen shumë aktivitete.
Vizatimet, tapiceritë, pikturat e gjithçka tjetër që është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës rrumbullakojnë krijimtarinë e Ferrit. Qëllimshëm u ka ikur kuratorëve, kritikëve të artit, katalogëve konvencionalë e gjithçkaje promovuese. Madje edhe mediave. Është prej atyre artistëve që punon deri në gjashtë muaj në një vepër, por nuk flet as gjashtë sekonda për të. Për këtë jep arsye me bollëk.
Shtegtimi nëpër krijimtari
I lindur më 1981 në Prishtinë, veprat e Jakup Ferrit kanë shëtitur goxha. Vetë ai, pak është parë. E ka zakon të “fshihet” prapa veprave. Në njëfarë forme ngjan me murgjit që i përkushtohen fesë e krejt pak duken. Ferri mund të shihet si murg i artit. Ekspozita në Galerinë Kombëtare të Kosovës, që do të jetë e hapur deri në fund të këtij muaji, është një lloj shtegtimi nëpër krijimtarinë e Ferrit. Midis veprave ka edhe të mesit të viteve ’90. Të tillat, kur krahasohen me ato që artisti i ka realizuar gjatë viteve të fundit, duket sikur i ka punuar krejt dikush tjetër. Në vitet ’90 i kishte përvjelë mëngët me seriozitet të lartë për t’iu mveshur pikturës. Bëhet fjalë për portrete e figura njerëzore. Ata që e njohin krijimtarinë e babait të Jakup Ferrit, akademik Rexhep Ferri, mund ta shohin ndikimin e stilit të tij te i biri. Por vetëm në fillet e karrierës.
“I kam lënë shokët e gjithçka dhe nisa të pikturoj. Bajagi e kam njohur zanatin e pikturës teknikisht. Punoja portrete pak si Picasso, fytyra, njerëz... Shikoja katalogë. Kishte ndikim baba. Nja dy a tri vjet pikturoja e i fshihja. Asnjëri prind nuk kishte dëshirë që të merresha me pikturë. Sidomos nëna”, kujton Ferri derisa ecën nëpër Galeri. Shpejt e reflekton njëfarë mosdurimi përballë veprave të tij. Nuk vonon propozimi që të dilet jashtë ndërtesës për ta vazhduar muhabetin. Për veprat e deritashme përton të flasë. Për të ardhmen thotë se nuk e ka idenë se çfarë do të bëjë. Duket modest deri në pikën e fundit. Sikur dikush tjetër të ishte autor i krijimtarisë së tij, vetes do t’i bënte alamet marketingu. Ferri nuk e bën këtë. Për sjelljen e tij ka arsye të forta... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)