Vjen si dhembshuri për fatkeqësinë që njerëzit kanë përjetuar e si akuzë ndaj nismave të reja për centrale bërthamore. Imazhet kryqëzohen me pamjet e fytyrave dhe trupave që këmbëngulin të qëndrojnë të vetëm në gjithë hapësirën e rrezatimit radioaktiv. Ata jetojnë krejtësisht të vetëm për 30-40 vjet me radhë në zonat e Fukushimës në Japoni dhe në Çernobil të Ukrainës. Dokumentari vjen si rrëfim nëpërmjet gjuhës poetike të regjisorit dhe artisti kinez Zhao Liang
“I am so sorry” është film që vë në dyshim zgjedhjen e prodhimit të energjisë nëpërmjet centraleve bërthamore dhe vjen si paralajmërim për të. Përmes kamerës paraqiten gjërat që mund të duken të pabesueshme. Imazhet kryqëzohen me pamjet e fytyrave dhe të trupave që këmbëngulin të qëndrojnë të vetëm në gjithë hapësirën e rrezatimit radioaktiv. Ata jetojnë krejtësisht të vetëm për 30-40 vjet me radhë në zonat e Fukushimës në Japoni dhe në Çernobil të Ukrainës.
Dokumentari vjen si rrëfim nëpërmjet gjuhës poetike nga regjisori dhe artisti kinez Zhao Liang. Shfaqen dekontaminuesit që mbjellin pemë e bar, heqin shtresën e tokës së kontaminuar me mbetje radioaktive, paraqiten punëtorë që çmontojnë pjesë-pjesë centralet në Gjermani, derisa në Japoni luftohet për një gjë të tillë, “para se vendi të shkojë drejt një katastrofe të mëparshme”. Mbetjet nga centrali groposen për 100 mijë vjet.
Regjisori dënon pasojat e çmendurisë së njeriut që çojnë në vetëshkatërrim. Paraqiten protestuesit antibërthamorë që kërkojnë drejtësi ndaj natyrës e jetëve të tyre. Ata shpejt shpërndahen dhe nuk lejohen të shprehin pakënaqësitë e tyre. Filmi “I am so sorry” ishte dhënë premierë në Festivalin e Cannes në vitin e kaluar. Hapet me pamjet e shpërthimeve katastrofave të centraleve bërthamore në Çernobil të Ukrainës e në Fukoshima të Japonisë. Arsyeja ka qenë rrjedhja e materialit radioaktiv.
“Së pari ndodhi një tërmet, pastaj një cunami, pastaj pamë se kishte ndodhur një shpërthim bërthamor”, vijon rrëfimi i një burri japonez në dokumentar. Ai jeton krejt i vetëm për vite të tëra në zonën e përjashtuar për banim në Fukushima. Punon tokën e kontaminuar në të cilën nuk rritet asgjë. Për të, që nga shpërthimi është varrosur toka në tokë, janë varrosur edhe gjallesat, insektet e lodrat e fëmijëve. Në shtëpitë e hapësirat publike ka mbetur gjithçka e paprekur. Gjithçka është e freskët që nga shpërthimi, pasi aty nuk është kthyer më askush.
Njëzet centimetra sipërfaqe e tokës në Fukushima të Japonisë është hequr dhe është deponuar në njërin mal në rrethinë. Pemët, shkurret e barishtet priten rregullisht. Pamjet jepen nga deponitë e metaleve të kontaminuara, nga toka e kontaminuar, liqeni nuklear në Kazakistan, nga protesta antinukleare në Japoni. Ata bëjnë thirrje për nisjen e protestës kundër Qeverisë që synon rifillimin e centralit bërthamor. Pamjet e fëmijëve me pasoja që vazhdojnë të lindin të tillë nga prindërit që jetojnë në zonat e rrezatuara, flasin për trashëgiminë ndër breza të sëmundjeve që bartin. Ata janë viktimat më të mëdha të të dy katastrofave. Gjendja e tyre e rëndë mund të ngjajë vetëm në filmat fiktivë. E fatkeqësisht kjo ka ngjarë në jetën e tyre reale.
Maria Shavkura është gruaja ukrainase që jeton në zonën e përjashtuar të Çernobilit. Ka jetuar për 30 vjet krejtësisht vetëm, në shtëpi e në fshatin e saj. Ka mësuar të flasë me vetveten, e frikë e madhe e saj është vdekja. Thotë se vdekjes nuk ka kush t’i ikë, por se nuk ka një prift ku ajo t’ia rrëfej mëkatet, e as nuk ka kush t’ia kryejnë funeralin e as varrimin. I kishin thënë se duhej të largohej nga aty, përndryshe do të vdiste. Nganjëherë ajo kontrollon telefonin e saj, nga i cili nuk merr kurrë një thirrje. Ditët janë shumë të gjata për të. Ajo është rreth të 90-ave dhe është krejt pa përkujdesje. Rrobat e saj dhe vendi ku fle nuk janë pastruar prej kohësh. I gjithë fshati i saj ka vetëm një banore, që është vetë ajo.
Ndërkohë në Gjermani organizohen protestat kundër ndotjes nga termocentralet e kundër energjisë përmes centraleve bërthamore. Ata bllokojnë hekurudhat e shtrihen në to e në tokën shkretëtirë të mbuluar nga hiri. Turma shpërndahet me forcë, ndërsa ata nuk ndalojnë thirrjen për “drejtësi klimatike”. Shenja të radioaktivitetit ka gjithkund. Pamjet vijnë edhe nga gëzimi e festa e njerëzve gjatë Festivalit të Lulëzimit të Qershisë në Fukushima. Të dhënat shkencore në film thonë se deri në vitin 2020 ka pasur 442 reaktorë bërthamorë.
Shenjat e rrezikut të rrezatimit janë të zakonshme në këto zona. Por pyetja kryesore që ngrihet është nëse kjo gjendje është e kaluara apo e ardhmja. Në Japoni popullata beson se historia do të përsëritet pasi energjia bërthamore do të rishfaqet si alternativë ndaj lëndëve djegëse.
Filmi jep pamje për peizazhet e shkreta dhe rrënojat rreth Fukushimës dhe Çernobilit, shtëpitë e braktisura me fotot që lanë pas banorët e mëparshëm, çmontimin e një termocentrali bërthamor në Gjermani, demonstruesit dhe tunelet nëntokësore fantazmë në Finlandë, ku gjenden shumë mbetje radioaktive që do të ruhen për mijëra shekujt e ardhshëm. Pavarësisht nga rrezatimi, dy banorë në dy cepat e botës në zonat e rrezikshme janë kthyer në fshatrat e tyre të braktisura në zonën e përjashtimit rreth Çernobilit dhe Fukushimës. Kjo shfaq një lloj kundërpeshe njerëzore ndaj kërcënimit të heshtur.
“I Am So Sorry” është dhënën premierë në “Cannes” në vitin 2021 në kategorinë “Climate Cinema”.
Vjen si dhembshuri për fatkeqësinë që njerëzit kanë përjetuar e si akuzë ndaj termocentraleve bërthamore. Shkatërrimi që mund të shkaktojë fatkeqësi të tilla si këto dy vende, varet nga filmi si një hije mbi pasojat e lëna.
Regjisori Liang Zhao krijon lidhje me ngjarje dhe tendenca të tjera përmes zërave. Ndikimin negativ të kapitalizmit dhe komercializmit e konsideron si: “Sa më shumë të kemi, aq më shumë duam”. Ai gjithashtu shtron pyetjen: “A është kjo e shkuara apo e ardhmja”. Deklarata të tilla i japin dokumentarit diçka poetike. Për shkak se imazhet formojnë kontekstin, narracioni jepet më ndryshe. Kontrasti me imazhet e heshtura është jashtëzakonisht i madh. Fytyrat e njerëzve të moshuar, plagosjet e tyre që u ka shkaktuar rrezatimi, janë paralajmërime të vazhdueshme që flasin më shumë se fjalët. Ato shfaqen me minuta të tëra, herë duke folur e herë të heshtur.
Përveç faktit se energjia bërthamore dhe kapitalizmi janë të këqija, përçohet dhe mbetet eksperiencë e bukur filmi. Ai ka potencialin të të hyjë në lëkurë që në momentin që fillon ta shikosh.