Në 12 kapituj “Historia e muzikës” dokumenton rrugëtimin muzikor nëpër etapa të ndryshme në Shqipëri përderisa sjell edhe portrete ikonash muzikore dhe analizë veprash të tyre. Vetë autori Nestor Kraja e ka cilësuar këtë libër veç një hap në rrugëtimin e eksplorimit dhe shpalosjes së pasurive të muzikës shqipe
Studimi mbi rrugëtimin e muzikës profesionale në Shqipëri që prej filleve e deri pas viteve ’90 u shpalos pikërisht përpara destinacionit primar të librit: muzikantëve të rinj. “Historia e muzikës shqiptare” pas stacionimit në Tiranë e në Pejë, kësaj radhe gjeti lexuesin e vet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Në gjithsej 12 kapituj, libri shtjellon rrugëtimin e muzikës shqiptare nga antikiteti e mesjeta, Rilindja Kombëtare, periudha e Pavarësisë e më tej deri në kohët moderne. Nuk lë anash as zhanret e ndryshme, si këngën patriotike, qytetare e revolucionare, muzikën korale për të vazhduar me atë vokale, muzikën e baletit në Shqipëri, instrumentalen, muzikën e dhomës, ansamblet instrumentale, koncertet instrumentale e zhvillimin e muzikës simfonike shqiptare.
Libri hyn edhe në sfera më të thella përfaqësuese. Niketë Dardani, Jan Kukzeli, Harallamb Kristo Koço janë disa nga emrat që përmes pasqyrimit të veprimtarisë së tyre zbërthejnë identifikime kohore. Por autori s’mbetet veç me prezantim të personazheve. Sjell edhe laramani muzikore të trojeve shqiptare duke kapur dimensione të muzikës së Shkodrës, Korçës, Elbasanit e në periudhën e Mbretit Zog.
Pasuria e muzikës shqipe shpaloset edhe me analiza veprash. Në lista janë “Gjithmonë” e Tonin Harapit, “O ju male” e Çesk Zadesë, “Nënë Shqipëri” e Avni Mulës, opera “Mrika”, “Fjalët e Qiririt” e Hajg Zacharianitit e shumë copëza të tjera krijuese. Vepra shtrihet edhe tek analizimi i koncerteve instrumentale, duke përfshirë dromcat muzikore që kanë lënë gjurmë në skenë nga Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Isak Shehu, Lejla Agolli e shumë emra të tjerë.
Nga të gjitha këto periudha kohore, autori Nestor Kraja e cilëson si më të veçantën përgjatë periudhës së studimit e përpilimit të veprës, që janë vitet e ‘90 e më tutje. Kjo për shkak të mungesës së dokumentimit e rrjedhimisht edhe njohjes së vlerave muzikore.
“Sigurisht ka monografi që flasin për fytyrat, ka ndonjë shkrim kritik, por edhe përshkrues për koncertet që ndodhnin, por një kësi të figurave të Shqipërisë pas ’90-s dhe se çfarë u bë me muzikën, si u organizua ishin një dije që lundronte vetëm në mendjet e pak njerëzve, profesorëve apo organizuesve, studentëve jo”, ka thënë ai.
Destinacioni primar i librit janë vetë studentët, për të cilët autori ka thënë se duhet më shumë se kurrë të njoftohen me historinë e muzikës shqiptare.
“Për muzikantët e rinj historia është pjesë integrale jo veç si pjesë e kulturës, por edhe e orientimit njësoj si busulla për detarin”, ka thënë ai.
Veç me njohjen e historisë, sipas tij, mund të parafytyrohet trajektorja e gjendjes së ardhshme. Ka qenë modest gjatë promovimit të veprës, teksa ka kërkuar sugjerime e përmirësime nga kolegët e nga studentët. Ka pranuar edhe defektet e veprës.
“Një nga problemet e këtij libri është që flet veç për kulturën muzikore të shqiptarëve në Shqipëri sipas standardeve të arsimimit atje”, ka thënë ai.
Por pikërisht promovimin në Kosovë e ka parë si mundësi bashkëpunimi për të krijuar një vepër që s’ka ndarje të trajtimit muzikor. Ka thënë se ardhja e tij konsiston me tentativën për mbledhje të një grupi autorësh dhe gjurmimit të mëtutjeshëm në historinë e muzikës kombëtare.
“Shumë pika kanë mbetur të pasqaruara deri në fund, sepse studimet tona muzikologjike janë të këtij niveli. Klasa e muzikologjisë duhet të projektojë një plan të së nesërmes e të së pasnesërmes që të mbush këto boshllëqe”, ka thënë ai.
Sipas tij, vepra “Historia e muzikës shqiptare” është veç një hap në rrugëtimin e eksplorimit dhe shpalosjes së pasurive të muzikës shqipe. Kur krahason gjendjen e muzikës kombëtare të shtrirë në Kosovë e në Shqipëri, ka kritika për të dyja anët, mirëpo pranon që kjo e para ka gjendje më të mirë.
“Ka disa përfundime kapitujsh (në libër) që unë jam i pezmatuar për shkak që aktualisht në Shqipëri ka vite e dekada që s’ka operë, po ashtu edhe baleti, muzika korale edhe disa gjini të tjera. Unë jam pesimist për gjendjen në të cilën ka ardhur muzika në Shqipëri”, ka thënë ai.
Në Kosovë ka përmendur kushtet infrastrukturore dhe mungesën e objekteve të institucioneve kulturore. Mirëpo, sipas tij, muzikantët kosovarë sërish s’ndalen.
“Në Kosovë shikoj me adhurim se ka përpjekje të jashtëzakonshme për t’i shtrirë të gjitha gjinitë muzikore, pavarësisht që këtu akoma nuk është ngritur teatri i operës, godina e teatrit dhe baletit, por ka përpjekje edhe për krijime operistike, baleti. Muzika korale është jashtëzakonisht e zhvilluar, gjë që tregon inteligjencën e një populli”, ka thënë Kraja.
Sipas tij, muzika kosovare ka bërë hapa të rëndësishëm në ngritjen e nivelit dhe përfaqësimit, teksa ka thënë se u referohet punimeve të Valton Beqirit, Rafet Rudit dhe shumë krijuesve të tjerë vendorë.
Për profesorin universitar Valton Beqiri, ky libër vjen pas një periudhe 40- vjeçare të botimeve të fundit me tematikë të tillë.
“Historia e muzikës shqiptare” i Nestor Krajës rrugëton nga antikiteti e mesjeta, Rilindja Kombëtare, periudha e Pavarësisë e më tej, deri në kohët moderne
“Vetë fakti se në këtë botim nuk janë listuar vetëm emrat e autorëve sipas periudhave kohore, por ato janë ndarë edhe sipas gjinive të ndryshme muzikore, e bën këtë libër jokonvencional dhe të çliruar nga modelet standarde të librave të kësaj natyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, pjesa faktike në këtë vepër s’është e mbushur veç me data, autorë e vepra, por edhe me shkaqet e rrjedhojat bashkë me dukuritë shoqërore e politike.
“Libri po ashtu përmban edhe portretet e kompozitorëve shqiptarë, si dhe është i plotësuar me rubrika mbi etnomuzikologjinë, muzikologjinë dhe historinë e institucioneve kryesore në Shqipëri”, ka thënë kompozitori.
E ka quajtur ridefinues të dijeve rreth historisë muzikore dhe hapës të rrugës për pasurimin e mëtutjeshëm të literaturës muzikore.
“Rëndësia e veçantë e këtij libri është se tani kemi të përfshirë edhe periudhën muzikore të dekadave të demokracisë”, ka thënë ai.
Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka thënë se njëri nga problemet me të cilat përballen muzikantët është mungesa e dokumentimeve përmes publikimeve të literaturës muzikore.
“Hulumtimi aktual muzikologjik në trojet shqiptare zakonisht nuk përqendrohet në shfaqjen dhe zhvillimin e muzikës artistike qoftë ajo botërore apo në vend. Përkundrazi, tërë përqendrimi i saj është vendosur në zhvillimin dhe menaxhimin e mëtutjeshëm të muzikës artistike vendore, krijimit të kushteve të përshtatshme nga buxheti deri te sallat koncertale”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore, teksa kjo vepër është dëshmi e ekzistencës së muzikës profesionale.
“Ky botim u jetësua përmes studimeve të realizuara mbi kulturën muzikore, mbi faktorët kyç për ekzistencën e saj, siç janë kompozitorët, duke analizuar historikun e jetës dhe paraqitjes së tyre profesionale, por edhe aspektin formal e stilistik të opusit të tyre krijues e deri te njohja e institucioneve dhe performuesve të saj”, ka thënë profesoresha universitare.
Ndërkaq sipas Drinor Zymberit, prodekan i Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve, promovimi i veprës së Krajës në Kosovë është dëshmi e bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Shpresoj që në mënyrë të tillë do të plotësohen nevojat e të dyja palëve, sepse kemi nevojë për literaturë të vlefshme”, ka thënë ai.
“Historia e muzikës shqiptare” e Krajës ishte promovuar në ditën e dytë të tryezës “Këngë artistike shqipe” në Pejë, në prill.
Nestor Kraja nisi me muzikën që në moshën 6-vjeçare si entuziast i pianos. Talentin e zhvilloi edhe me studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku edhe punon si profesor. Rrugëtimin akademik e vazhdoi në Romë në drejtimin e kompozicionit dhe analizës në Akademinë “Aida”. Është autor i librave “Muzika instrumentale shqiptare”, “Histori e muzikës botërore”, “Shënime mbi muzikën”.