Kulturë

“Hidden Gems of Prishtina” me pasuritë kulturore të kryeqytetit

Hiden Gems of Prishtina

Një ofertë kulturore me përfshirjen e trashëgimisë kulturore, zejeve, gastronomisë e adresave ideale të Prishtinës tashmë është gati për turistë. Me “Hidden Gems” të Bekim Xhemilit dhe Muamer Sivrikoz po synohet që edhe kryeqyteti kosovar të jetë në hap me përfaqësimin dinjitoz të turizmit sikur vendet e tjera të botës

Një klikim i shpejtë në rrjete sociale me “Hidden Gems” të sjellë pa kufi opsione për të shpalosur pasuritë kulturore të vendeve të ndryshme. Lista është e gjatë dhe me mundësi të njohjes e përjetimit të hapësirave në kryeqytetet e botës. Së fundmi kësaj iniciative i është bashkuar edhe Prishtina nëpërmjet nismës së dy pasionantëve të trashëgimisë kulturore, Muamer Sivrikoz dhe Bekim Xhemili.

Platforma e krijuar së fundmi, “Hidden Gems of Prishtina” tashmë është shndërruar në adresë të turistëve për njohje të kryeqytetit kosovar përtej asaj çka ju është ofruar online deri më tani. Nuk ka vetëm përfshirje të ndërtesave të trashëgimisë kulturore dhe është më atraktive se prezantimet klasike. Në atë që përkthehet si “Thesaret kulturore të Prishtinës” përfshihen edhe vendet rekreative, adresat për shujta, kafenetë, zejtaria e ajo që njihet si “street art”.

Parku i Qytetit është një nga destinacionet fillestare me të cilin kanë vendosur t’i njoftojnë ata që mund të shkelin për herë të parë në kryeqytet. Në platformë jepen të dhëna për lokacionin e saktë, përmasat dhe aktivitetet të cilat mund të zhvillohen aty.

Një pikë tjetër që ua ka marrë dyshes vëmendjen nga 40 lokacionet e përzgjedhura fillimisht – e që deri më tani janë plasuar 10 prej tyre – është edhe byrektorja “Picadilly” si adresë e ushqimit qe 30 vjet. Varrezat e Dëshmorëve të Luftës së dytë Botërore në Velani, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Xhamia e Jashar Pashës, ish-objekti i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” , muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”, tuneli i Stacionit të Trenit si pikë e “pushtuar” nga krijimet e artistëve e vullnetarëve në kuadër të festivalit “Meeting of Styles Kosovo” e puna e zejtares Krenare Rakovica si gruaja e vetme që merret me filigran në Prishtinë përbëjnë mozaikun e ekspozimit të vendeve të natyrave e periudhave të ndryshme kohore. Objektet nuk mbesin në hallkat e prezantimit, por edhe pasqyrohet gjendja e tyre.

“Ato që na janë servuar për Prishtinën kanë qenë të mangëta”, ka treguar Muamer Sivrikoz. “Pjesa më e vështirë ka qenë mënyra e selektimit se çka po duam të fusim brenda ‘Hidden Gemsit’ tonë”, ka thënë ai.

Prania e një platforme të njëjtë te çdo vend, që ka potencial për turizëm, ka qenë shtysë e kësaj iniciative për ciceronin e Tyrbes së Sulltan Muratit, Sivrikoz, i cili ka treguar se kjo nismë “është alternativë jo veç për vizitorët, por edhe për vetë banorët e Kosovës”.

“Qëllimi parësor është me tregu që Prishtina është më e pasur, më e gjerë se ajo që ofrohet”, ka thënë ai, duke përmendur se pritet shumë shpejt zgjerimi i nismës.

“Fillimisht e kemi bërë një listë nga 30-40 pika, ku kanë përfshirë prej pjesës së trashëgimisë kulturore, fetare, komuniste, por edhe shpirtërore ku hynë zeja dhe zejtaria, pastaj ushqimet e pijet. Nga 40 kemi vendosur në fazën e parë t’i fusim veç 10 pika”, ka thënë etnologu në Muzeun Etnologjik të Kosovës, Bekim Xhemili.

Për Xhemilin kjo nismë është tentativë për ikje nga turizmi industrial duke ua dhënë publikut “ofertën kulturore të Prishtinës”.

“Prej Katedrales deri te Muzeu Etnologjik një turist vizitën mund ta kryejë për një orë e gjysmë maksimalisht. Kemi dashur ta pasurojmë edhe turizmin, ta shtojmë atraksionin, t’i bëjmë turistët të qëndrojnë më gjatë në Prishtinë, jo veç gjysmë dite, por dy-tri ditë”, ka thënë ai derisa ka folur për qëllimin e “Hidden Gems of Prishtina”.

“Në fazën e parë e kemi përfshirë edhe muzeun ‘Shtëpia e Pavarësisë dr. Ibrahim Rugova’. Është shumë interesant që Prishtina i ka veç tre muze, ajo tregon dhe historinë e Kosovës. Po mundohemi t’i përfshijmë edhe disa galeri që frekuentohen dhe ka aktivitete kulturore”, ka treguar Xhemili.

Tashmë të shtrirë edhe në rrjete sociale, ata vendosën që të mos e përkthejnë emërtimin e platformës, por ta lënë në origjinal ashtu siç e kanë shumë vende në botë.

“Kemi qenë në dilemë fillimisht për ta përkthyer, pastaj kemi vendosur ta lëmë emërtimin origjinal. Arsyeja pse e kemi vetëm në gjuhën angleze është ekskluzivisht për turistët”, ka treguar Xhemili derisa ka shtuar se pritet edhe përkthimi në gjuhën gjermane, frënge e italiane, nëse ekziston mbështetja.

Sipas tij, kjo do të jetë një “lloj përzierje e shijeve të ndryshme të turistëve”. Këtë do ta mundësojnë përmes paraqitjes së objekteve të periudhave të ndryshme historike dhe kulturore, por edhe pjesës tjetër.

“Do të zgjerohet pjesa e ushqimit, zejtarisë, të mos mbetet veç me filigrane, por edhe artizanate të ndryshme, edhe me artin e jetën urbane, me të cilën është e njohur Prishtina”, ka thënë Xhemili.

Gastronomia pritet të zgjerohet përtej ushqimeve tradicionale, por të sjellë edhe adresa moderne të të ushqyerit, si dhe lokalet që operojnë me çmime solide. Ndërkaq pikërisht “Hidden Gems” s’do të jetë piketim veç për urbanen, por do të shtrihet edhe te pasuritë rurale të Komunës.

“Do të kemi edhe pjesën e trashëgimisë natyrore, ku njerëzit mund ta shfrytëzojnë për hikking, piknik”, ka thënë Xhemili.