Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Heroi i pashmangshëm i artit të Ilir Shaqirit

Artisti i mirënjohur, Ilir Shaqiri, në artin e tij po vazhdon ta ketë subjekt të pashmangshëm Kryeheroin e Kosovës - Adem Jashari.

Në përvjetorin e 20-të të rënies heroike të komandantit legjendar, si dhe të flijimit të madh të Jasharëve të tjerë, ai i është rikthyer Kryeheroit të Kosovës - jo si rëndom në muzikë, por kësaj radhe përmes letërsisë, duke e shndërruar heroin real e historik në hero letrar.

Ilir Shaqiri sjell një vepër shumë të rrallë për heroin e pashmangshëm, me titull po ashtu të pashmangshëm: “Adem Jashari”, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo vepër, në fakt, është një poemë - nga të rrallat (në mos e vetmja gjerë më tani) që trajton temën e heroit nacional të Kosovës në letërsi dhe e njëjta provon të jetë një vazhdimësi e poemave të mëdha të letërsisë shqipe, që i krijuan autorët e traditës që nga De Rada, Naimi, e Fishta etj.

Në bisedat e gjata për letërsinë, bashkë me Ilirin jemi pajtuar sa e sa herë se, heroi nacional i Kosovës - Adem Jashari ende nuk është shkrirë sa duhet në piedestalin e artit kombëtar, sidomos brenda letërsisë - pra jemi pajtuar se heroi i Kosovës brenda letërsisë shqipe ende po e kërkonte autorin e vet.

Tema e heroit kombëtar në letërsi është trajtuar qysh herët, që prej Marin Barletit (1508) me “Historia e jetës dhe të bëmave të Skënderbeut”, e sidomos ka lulëzuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. E nisi Jeronim de Rada me “Skënderbegu i pafan”, më 1837 dhe e mbaroi Fan Noli me “Histori e Skënderbeut”, më 1921. Tani kur veprave të mëdha epike të shqipes ua kanë zënë hapësirën publike surrogatet e pop-kulturës, poema e Ilir Shaqirit “Adem Jashari” na grish për një tjetër lexim dhe na shpie në një rrugëtim epik mes-përmes etosit shqiptar.

Poema e Ilir Shaqirit “Adem Jashari” shkrin brenda saj përvojat më të mira të kryeveprave epike të shqipes, si dhe atë të eposit popullor, të cilën përvojë më mirë se sa Ilir Shaqiri kush mund ta njohë e ta zotërojë?

Poema “Adem Jashari” si në strukturën tematike, po ashtu edhe në konstruksionin versifikativ, sintaksor, semiologjik e leksikografik, bart shenjat e padiskutueshme të një vepre epike të shkruar me talent dhe virtuozitet të rrallë.

Të lexuarit e këtij teksti na bën të shndërrohemi për një çast në protagonistë të një ngjarjeje të madhe historike e heroike, brenda një skene ku njerëzit e tallin vdekjen e ku lufta për liri bëhet vlera më lartësuar e botës së qytetëruar dhe qëllimi më i lartë njerëzor... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm