Kulturë

“Heritage Space...” në pritje të ideve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

“Arkivimi i shkëputjeve”, “Trashëgimia e krizave” dhe “Rrëfim dhe interpretim”

“Arkivimi i shkëputjeve”, “Trashëgimia e krizave” dhe “Rrëfim dhe interpretim”, janë tri temat e edicionit të tetë në “Heritage Space Felloowship”, platformë që ka për qëllim krijimin e hapësirës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit

Deri në ditën e 20-të të këtij muaji, artistë, studiues e profesionistë nga fusha e kulturës, industrive kreative dhe humanistikës digjitale, kanë kohë që të aplikojnë për “Heritage Space Felloowship”, programi i “Trashëgimisë kulturore pa kufij” (CHwB), një platformë që ka për qëllim krijimin e hapësirës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit. Sivjet shënohet edicioni i tetë i “Heritage Space...”. 

“Heritage Space fokusohet shpesh në tema të ndjeshme dhe komplekse që lidhen me identitetin, kujtesën kolektive dhe narrativat historike. Në këtë frymë, programi inkurajon përdorimin e metodologjive eksperimentale dhe qasjeve jokonvencionale për të artikuluar këto përvoja dhe për të transformuar mënyrën se si e perceptojmë trashëgiminë kulturore”, shkruhet në thirrjen për aplikime të ChwB-së. 

“Arkivimi i shkëputjeve”, “Trashëgimia e krizave” dhe “Rrëfim dhe interpretim”, janë tri temat e këtij edicioni.

“Heritage Space Fellowship, siç përshkruhet, “është platformë që synon të krijojë hapësira për reflektim kritik dhe kreativ mbi trashëgiminë jomateriale, duke ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve dhe profesionistëve të kulturës”. 

“Përmes një programi të strukturuar mentorimi dhe mbështetjeje teknike dhe financiare, pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kenë mundësinë të zhvillojnë projekte që eksplorojnë dhe dokumentojnë histori lokale duke krijuar kështu punë që paraqesin aspekte të reja të trashëgimisë, të cilat ndërlidhen me perspektiva bashkëkohore”, është përshkrimi për platformën e nisur më 2016, e që deri më tash ka mbështetur 52 projekte në mediume të ndryshme, duke përfshirë artin bashkëkohor, prodhimin e filmave, shkrimin, rrëfimin digjital dhe projekte hulumtuese rreth arkivave alternative. Programi tashmë ka dalë me format të ri me qëllim që të rrisë kohën për realizimin e projekteve. 

“Me kalimin në një edicion dyvjeçar, programi po zgjeron mundësitë për zhvillimin e projekteve, duke ofruar një periudhë më të gjatë për hulumtim, eksperimentim dhe prodhim të veprave. Përmes sistemit më të strukturuar të mentorimit dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor, ky format i ri synon të mundësojë një angazhim më të thelluar, ku pjesëmarrësit të kenë hapësirën e nevojshme për të eksploruar idetë e tyre në forma më substanciale dhe për të ndërtuar qasje më të qëndrueshme”, shkruhet në njoftim.