“Gorillat që s’i pamë” është herezia e re e Veton Surroit që vazhdon luftën e tij kundër përpjekjes së pushtetit kosovar për të imponuar abstenimin nga përdorimi i arsyes. Është refuzim i nënshtrimit ndaj diktatit dhe rezistencë ndaj dhunës së ushtruar prej gënjeshtrës dhe manipulimit
Kemi para vetes edhe një libër të Veton Surroit, një seri shënimesh heretike, kësaj radhe të përmbledhura nën titullin “Gorillat që s’i pamë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNatyrisht, prej vetë nëntitullit të librit – “Si po e prishin shtetin… dhe shënime të tjera heretike” – është e qartë se “Gorillat që s’i pamë” është vazhdim i shënimeve të nisura me “Këmbët e Gjarprit” (KOHA, 2014) dhe “Ambasadori i Mekizedekut” (KOHA, 2015).
Madje, zanafilla e herezive të Vetonit është shumë më e hershme se kaq. Në formën e shkruar, sistematikisht, ajo nis natyrshëm me kolumnet e tij, fillimisht në “Kohën Javore” e më pas edhe në “Kohë Ditore”, ndërsa në formë libri i kemi parë së pari në librin “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në Kështjellë” (KOHA, 2005), ndërsa pjesë e tij është edhe “Emri i Autonomisë” (KOHA, 2015).
Por “Gorillat që s’i pamë” nuk është përsëritje e së njëjtës së vërtetë. Nuk është riciklim i një herezie tashmë të thënë. Nuk është i parashikueshëm siç do mund të besonin, gabimisht, të gjithë që tashmë i kanë lexuar librat e Vetonit. As ata që mezi presin ta lexojnë këtë, as ata që – në traditën më të mirë të barbarizmit – i djegin librat e tij.
Sigurisht, është i njëjti stil i shkrimit: në një anë, përplot informata e vrojtime analitike, të mbështetura në fakte të pakontestueshme dhe distancë kritike, dhe, në anën tjetër, me sensin e sofistikuar letrar e artistik, që një të vërtetë të pakëndshme, shpeshherë të trishtueshme e të tmerrshme, na e servon ashtu që të mund ta shijojmë si vepër arti.
Leximi i çdo shkrimi të ri të Vetonit, për mua së paku, jep të njëjtën përvojë si shikimi, për herë të parë, i një pikture të Caravaggios: portretizim i bukur artistik i një pamjeje të tmerrshme!
* * *
Tani, të flasim, shkurt, për herezinë.
Historikisht, herezia ka domethënien e avokimit të një mendimi ndryshe, mendimi kritik, brenda një religjioni. Nënkupton interpretimin e një realiteti – apo besimi – pavarësisht nga autoriteti suprem teologjik. Është kërkimi i së vërtetës duke u mbështetur në faktet e jetës edhe kur ato nuk përputhen me dogmën e etabluar nga autoriteti. Kontestim i versionit zyrtar që tenton ta legjitimojë gënjeshtrën si të ishte e vërtetë. Luftë kundër përpjekjes për të imponuar abstenim nga përdorimi i arsyes, refuzim i nënshtrimit ndaj diktatit. Rezistencë ndaj dhunës së ushtruar prej gënjeshtrës dhe manipulimit. Insistim në liri. Liri për të menduar. Liri për të folur. Liri për të shkruar. Liri për të jetuar i lirë nga autoriteti i ndërtuar mbi gënjeshtra e krime dhe i mbrojtur me dhunë dhe forcë.
Dhe, Vetoni i bën këto në libër.
Kësaj radhe, jo vetëm duke demaskuar atë që ai e quan “sundimi i bullshitit”, sistemin e klanit “Pronto” dhe njerëzit e tij, që Kosovën e bënë të jetë kështu si është – një shtet të cilin, siç e thotë në libër, po e prishin – por edhe duke shkuar përtej në adresimin e faktorëve që të ardhmen më të mirë e bëjnë të pamundur për t’u arritur, nëse gjërat nuk ndryshojnë.
Mes tyre janë krimet e mëdha të së kaluarës të kryera në Kosovë, të cilat shpesh, tepër shpesh, mbahen në harresë dhe mbesin të pandëshkuara. Dhe është një Serbi e pandryshuar, të cilën Kosova e legjitimon përmes dialogut me të.
Derisa nuk dua të flas për përmbajtjen e librit – meqë nuk dua t’ia prish askujt kënaqësinë e leximit të parë – po them vetëm se në këto faqe të shkruara mjeshtërisht do të gjeni edhe shumëçka tjetër, prej problemeve aktuale tonat, siç janë lajmet e rrejshme, deri te ofrimi i zgjidhjeve për problemet tona lokale, bazuar në përvojat e ndryshme globale.
Dhe, në fund, lexuesi do të kuptojë edhe kush janë, saktësisht, gorillat nga libri i Vetonit. Dhe jam i bindur se do mbetet i uritur për më shumë herezi.
Siç kam mbetur edhe unë.
Fjala e Agron Bajramit, e mbajtur në promovimin e librit “Gorillat që s’i pamë”, të Veton Surroit