Kulturë

Harrohet restaurimi i Xhamisë ku u investuan mbi gjysmë milioni euro

Pas dënimeve të personave zyrtarë për keqpërdorime, mosmarrëveshjeve midis Komunës së Prishtinës e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe një memorandumi trepalësh, Xhamia më e vjetër e Prishtinës mbetet monument i braktisur. Edhe pse u investuan gjysmë milioni euro në Xhaminë e Gurit, ajo është duke u dëmtuar çdo ditë. Restaurimi i nisur më 2011 nuk ka përfunduar. Historia e asaj që njihet edhe si Xhamia e Çarshisë është një prej dëshmive konkrete të qasjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjendet në qendër të kryeqytetit.

Dokumenti i fundit i nënshkruar për restaurimin e këtij aseti të trashëgimisë Kulturore është Memorandumi i bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Por prej korrikut të vitit 2018, kur u firmos ky dokument, krejt çfarë është bërë, është një hap procedural. TIKA-s i është miratuar projekti nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Punimet e mbetura pezull

“Komisioni brenda IKMM-së e ka miratuar projektin. Tutje, sipas informatës nga organizata TIKA, projekti është përcjellë në Turqi gjatë muajit qershor për procedura të mëtutjeshme të tenderimit”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Ajo ka rekomanduar që për detaje të tjera të merren informacione nga agjencia turke. Por TIKA asnjëherë nuk është përgjigjur sa i përket këtij projekti. Memorandumi i nënshkruar midis tri palëve nuk mban ndonjë afat se kur do të nisin a kur do të përfundojnë punimet. Aty ceket se TIKA ka për obligim që të hartojë projektin, ta dërgojë atë në IKMM për miratim dhe t’i kryejë punimet. Roli i Ministrisë së Kulturës dhe i BIK-ut është krejt koordinues. Në memorandum nuk ka kurrfarë të dhënash as për shumën që do të investohet në këtë xhami.

Përgjigje nuk ka pasur as Komuna e Prishtinës. Madje as kryetari, Shpend Ahmeti. Më 11 gusht ai ka pasur një takim me drejtorin e kësaj organizate, Cihan Dinçer.

“Me ndihmën e TIKA-s realizuam shumë projekte të rëndësishme për qytetarët e Prishtinës. Bashkëpunimin do ta vazhdojmë në implementimin e tri projekteve të mëdha: ndërtimi i Qendrës për Autizëm e Down Syndrome, e restaurimi i Xhamisë së Çarshisë dhe Hamamit të Qytetit do të realizohen me mbështetjen e vazhdueshme të TIKA-s”, ka shkruar Ahmeti në Facebook pas takimit. Por disa herë nuk u është përgjigjur pyetjeve se kur do të fillojnë punimet në Xhaminë e Çarshisë.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pyetjeve lidhur me këtë Xhami u ka dhënë një tjetër adresë.

“Drejtohuni Zyrës së informimit të MKRS-së”, është përgjigjja e drejtorit të IKMM-së, Ismet Hajrullahu, sa i përket çështjes së këtij monumenti.

Dekada me zvarritje e keqpërdorime

Historia e nisjes së restaurimit të Xhamisë së Gurit zë fill në vitin 2011. Atë vit ishin bërë tri versione të projektit dhe IKMM-ja së bashku me Komunën, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës kishin bërë përzgjedhjen e projektit. Vetë implementimi i tij kushtonte 562 mijë euro, pa 80 mijë që janë dhënë për projekt. Pikërisht 80 mijë eurot ishin bërë mollë sherri për ndërprerjen e punimeve. Mjetet ishin ndarë nga Komuna e Prishtinës. E për keqpërdorime gjatë punimeve janë shqiptuar dënime nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri, dhe arkitekti i këtij institucioni, Gani Gashi, në vitin 2017 janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Por dënimi me burgim, me pajtimin e të akuzuarve, u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3 mijë e 600 eurosh për secilin. Sipas aktakuzës, derisa Komuna e Prishtinës kishte lidhur memorandum të mirëkuptimit me IKMM, ku kishte ndarë shumën prej 562 mijë eurosh për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, Gashi kishte gjetur personat që do të angazhoheshin në kryerjen e punëve dhe Gërguri i kishte angazhuar ata pa procedura. Përfitues në këtë rast ishte kompania “Arch Code” me pronare bashkëshorten e Gashit, Luljeta Gashi. Kontrata për punime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e Agim Gërgurit dhe Ard Gashin, djalin e Gani Gashit.

Shembulli i qasjes ndaj trashëgimisë kulturore

Për Sali Shoshin, i cili udhëheq organizatën “Trashëgimi Kulturore pa Kufij”, kjo gjendje tregon joseriozitet ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore.

“U bënë kaq vjet që dy monumente në qendër të Prishtinës vazhdojnë të vuajnë nga joserioziteti, neglizhenca dhe korrupsioni. Për Xhaminë e Çarshisë kemi pasur edhe proces gjyqësor dhe vendim gjykate, që dëshmon për keqpërdorim të parasë publike. Dhe kjo nuk ka mjaftuar që institucionet të reagojnë për ta kthyer vëmendjen më seriozisht ndaj monumenteve”, ka thënë Shoshi. I është referuar vendimit të Gjykatës, ku dy punonjës të IKMM-së janë gjetur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Shoshi ka thënë se u bë një vit qëkur u nënshkrua marrëveshja dhe monumenti vazhdon të jetë në gjendje të njëjtë.

“Institucionet e kanë obligim ligjor përkujdesjen ndaj trashëgimisë kulturore, prandaj ato duhet të jenë transparente me publikun në lidhje me këtë proces. Nëse ka vonesa në zbatim të marrëveshjes, institucionet duhet të gjejnë mënyra të tjera dhe fonde të tjera për ta restauruar dhe për ta rikthyer te publiku këtë monument”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, ka ardhur momenti që institucionet të jenë me serioze, ndryshe ata duhet t'i vuajnë pasojat e kësaj gjendjeje.

Në vitin 2014 organizata “Ec Ma Ndryshe” pas studimit që ia kishte bërë ndërprerjes së restaurimit të Xhamisë kishte dalë me një reagim. Sipas kësaj organizate, në momentin kur është bërë marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe IKMM-së, është dashur që të llogaritej në detaje e gjithë kostoja e projektit.

“Në radhë të parë, kostoja e projektimit e cila në këtë rast nuk është llogaritur fare. Kjo ishte edhe mosmarrëveshja që shkaktoi vonesa e ndërprerje të punimeve në rastin e Xhamisë së Çarshisë”, ishte konstatimi i “Ec Ma Ndryshe”. Sipas kësaj organizate, meqë pagesa nga ana e Komunës është bërë në disa faza, pas pranimit të secilës fazë është dashur të shikoheshin raportet para se të bëhej pranimi i asaj faze, në mënyrë që punët të rridhnin me rregull.

“Në këtë rast ka pasur mungesë komunikimi të mirëfilltë mes institucioneve, me ç’rast do të evitoheshin problemet. E në këtë mes, përveç Komunës së Prishtinës, punimet është dashur të përcilleshin edhe nga MKRS-ja, e në rastin e vonesave e problemeve të mundshme MKRS-ja të reagonte për të evituar këto probleme”, shkruan në përgjigjet e organizatës. Sipas “Ec Ma Ndryshe”, prej vitit 2013, kur edhe janë ndërprerë punimet në Xhaminë e Çarshisë, ajo u është ekspozuar kushteve të ndryshme klimatike, të cilat e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë Xhaminë.

Xhaminë e Çarshisë vetëm rruga e ndan me Kuvendin e Kosovës dhe Kryeministrinë. Jo fort larg nuk është as objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës.

Xhamia e Çarshisë, sipas disa shënimeve, mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1393 me urdhër të Sulltan Bajazitit. Veçori e saj është minarja e gurit, e cila është e vetmja që i ka mbijetuar kohës për më shumë se 500 vjet. Ishte ndërtuar për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe të Sulltan Muratit në betejën e vitit 1389. Xhamia fillimisht gjendej përballë Çarshisë së Vjetër, e cila u demolua në vitet ‘60, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Sipas databazës së Ministrisë së Kulturës trashëgimia.org, Xhaminë e karakterizon edhe maja poligonale prej guri e minares.

“Gjatë kohës Xhamia në brendi, jashtë dhe në rrethinën e saj pësoi ndërhyrje riparuese dhe transformime, të cilat ndikuan në integritetin pamor të saj, ndërsa minarja e saj mbeti e patransformuar nga forma origjinale”, shkruan në databazë. Sipas asaj që shkruhet aty, në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, ndërtesa ka strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës dhe i ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.

Për këtë xhami kanë shkruar edhe historianë me nam. Fillimi i shekulli XV mbetet si datë kur mendohet se u ndërtua xhamia e parë në Prishtinë. Sulltan Bajaziti, që kishte marrë pushtetin pas vdekjes së të atit, Sulltan Murati, pak kilometra larg vendit ku u ngrit xhamia, e bëri këtë për të nderuar fitoren e pushtimit në këtë pjesë të Ballkanit. Gjithë këtë histori e përshkruan mirë në librin e tij historiani Noel Malcolm te “Kosova: Një histori e shkurtër”, që në shqip e ka sjellë më parë “Botimet KOHA”.

Argumente ka edhe te libri “Qytetet e Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI”, të Muhamet Tërnavës. Teksa citon K. Jireçekun, që u mor me të dhënat nga librat e dokumentet e arkivit të Raguzës, thotë se në Prishtinë në vigjilje të Betejës së Kosovës së vitit 1389 sundonte familja e Brankoviqëve.

“Pas kësaj beteje ekzistonte sundim i dyfishtë: serb dhe turk. Në Prishtinë, fjala vjen, në vitin 1421 përmenden turqit me kaditë e tyre... Në Prishtinë, përveç nëpunësve të despotit (serb M. T.), rrinin edhe nëpunësit turq: gjykatësi dhe doganieri”, shkruan Tërnava. Teksa citon sërish K. Jireçekun, thotë se “Bazar xhaminë e sotme në qytet e ka themeluar qysh Murati II”.

“Nga kjo del se ndikimi turk filloi të përhapet që në gjysmën e parë të shekullit XV, kur përgatitej terreni apo shkonte në të mirë të përpjekjeve të gjithmbarshme për të pushtuar definitivisht jo vetëm këtë qendër, por edhe qendrat e tjera të territorit të sotëm të Kosovës”, shkruan më tej Tërnava.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Shaban Maxharrajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK- së).