Kulturë

Grevistët në pushim edhe me aksione, Teatri synon program vjetor

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë

Foto: Driton Paçarada

Pushimet dimërore kanë zbutur aksionet e grevistëve që kishin paralajmëruar edhe një “dhuratë” për Vit të Ri për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. “Tash do ta kemi një të radhës”, ka thënë aktori Adrian Morina i pyetur për ndonjë aksion simbolik siç kanë vepruar më herët. Menaxhmenti i TKK-së është duke punuar në programin e këtij viti. Udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se është gati në finalizim të programit. “Idenë e kam pasur që të jetë viti i grave regjisore pasi më 2024 pa dëshirë ka qenë vit i burrave. Shkaku i grevës tashmë janë shtyrë tri projekte ku regjisorët tashmë janë të zgjedhur”, ka thënë ai

Teatri Kombëtar i Kosovës është institucion i paralizuar sa i përket funksionit kryesor: prodhimit dhe dhënies së shfaqjeve. Prej gjysmës së nëntorit, greva e aktorëve të ansamblit rezident ka bërë që skenës – edhe ashtu të gjymtë – të mos i ngrihen perden. Përderisa Shoqata Sindikale e TKK-së e vazhdon grevën, menaxhmenti synon të miratojë programin për këtë vit.

Pushimet dimërore kanë zbutur aksionet e grevistëve. Më 5 dhjetor, imazhi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, qe paraqitur si model në shkallët e institucionit që ai udhëheq. I qe “instaluar” një monolog, në mënyrë që në këtë performancë të Këshillit Grevist të Teatrit Kombëtar të Kosovës të dukej sikur ministri Çeku po fliste. Grevistët patën paralajmëruar se ministrit Çeku “do t’ia bëjnë një dhuratë të mirë për Vit të Ri”. Por mungesa edhe e kësaj “shfaqjeje” është arsyetuar me pushime dimërore.

“Tash do ta kemi një të radhës”, ka thënë aktori Adrian Morina i pyetur për ndonjë aksion simbolik siç kanë vepruar më herët.

Ministria e Kulturës ka zgjedhur të heshtë për këtë temë. Nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Menaxhmenti i TKK-së është duke punuar në programin e këtij viti. Udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti ka thënë se është gati në finalizim të programit. Sipas tij, deri në fund të janarit asnjëherë nuk është miratuar programi vjetor. Vitin e kaluar kjo ishte bërë në shkurt.

“Idenë e kam pasur që të jetë viti i grave regjisore pasi më 2024 pa dëshirë ka qenë vit i burrave. Shkaku i grevës tashmë janë shtyrë tri projekte ku regjisorët tashmë janë të zgjedhur. Tash jam duke menduar si ta prezantoj programin. Brenda dhjetë ditësh do ta prezantoj planin e punës, repertorin e politikën artistike”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, për këtë vit janë rezervuar emra të jashtëzakonshëm të regjisë.

“Janë regjisore me nam. Gjithsesi do të jenë pesë shfaqje, por duhet të shohim se a mund të realizohen bashkë me këto të tria që janë në proces. Besoj që me mundësitë që i kemi dhe bashkëpunimet që kemi me teatro të tjerë do të realizojmë krejt programin”, ka thënë udhëheqësi artistik Mehmeti. Sipas tij, në programin e këtij viti nuk do të ketë vetëm shfaqje të mëdha, por edhe më të vogla, por që kanë tematikë shumë të rëndësishme.

Sa i përket grevës, Mehmeti ka thënë se ajo e pengon repertorin.

“Greva e pengon publikun. TKK-ja është njëfarë lokomotive e vagonët janë teatrot e qyteteve. TKK-ja është më shumë se të prodhojë shfaqje, që është pjesa më e rëndësishme, por ka edhe pjesë të tjera. Jemi duke punuar në monografi, në laboratorin e dramës shqipe që do të lansohet vitin tjetër, e kemi nisur edhe bashkëprodhime me teatro të qyteteve. Ka produksione që duhet filluar deri në fund të janarit”, ka thënë ai. I pyetur se si mund të fillojë puna për bashkëproduksione kur aktorët janë në grevë, ai ka thënë veç 15 aktorë janë në grevë. Ansambli ka gjithsej 22.

Dy herë përgjatë grevës “shfaqjet” qenë zhvendosur para Ministrisë së Kulturës.

Në fund të nëntorit, aktorët grevistë, në një tjetër aksion simbolik, shpërndanë portretet e tyre në shkallët para objektit të Ministrisë së Kulturës. Ishte si thirrje për t’i shkelur ashtu siç konsiderojnë se janë në realitet.

Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, greva ka bërë që edicioni i tretë i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” të anulohet. Do të niste në ditën e 20-të të muajit të kaluar.

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 21 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.

Para 21 muajsh kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.

Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.

Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtohen.

E në fund të dhjetorit, moskomunikimin fare me Ministrinë e Kulturës, prej fillimit të grevës, aktori Adrian Morina e kishte përshkruar si diçka që tregon se çështja për të cilën janë në grevë nuk është adresuar asnjëherë.

“Të gjitha fjalët e mëdha se po punohet shumë për të adresuar e zgjidhur problemet kanë qenë mashtrime të pacipa, siç edhe po shihen. Ne e kemi ditur, sepse i kemi adresuar kërkesat tona prej para miratimit të Ligjit të Pagave, por është mirë të shpërfaqet fytyra e vërtetë mashtruese edhe para opinionit”, kishte thënë Adrian Morina, anëtar i Këshillit Grevist të TKK-së.

Sipas tij, ky ministër do të mbahet në mend si ministri që degradoi Teatrin Kombëtar të Kosovës duke e zhvendosur në një hapësirë të improvizuar ku as ajër të mjaftueshëm nuk ka.

“Një ministër që e mbyll Teatrin për dy vjet e gjysmë pa lëvizur asgjë në renovimin e hapësirës së vjetër, ku me sa kemi kuptuar kanë dalë edhe telashe të tjera, të cilat do ta shtyjnë për një kohë të gjatë renovimin. Ministër i cili i ndan miliona në tendera e nuk gjen zgjidhje për aktorët për buxhete që nuk kalojnë as dreka e darka festivalesh. A thua pse? Besoj se e dimë. Ministër i cili mashtron se ka rritur pagat e të gjithë aktorëve të qyteteve, ndërkohë që asnjë teatër të qytetit s’e ka në obligim”, kishte thënë Morina.