Kulturë

“Gratë e luftës” si homazh për plagët që s’shuhen

Regjisorja Giota Koundouraki (majtas), Ferdonije Qerkezi dhe shkrimtari Ag Apolloni

Regjisorja Giota Koundouraki (majtas), Ferdonije Qerkezi dhe shkrimtari Ag Apolloni

“Gratë e luftës” përball të gjallët dhe të vdekurit në shfaqjen si luftë që nuk mbaron. Me tragjedinë e Pashkë Markut dhe Ferdonije Qerkezit, regjisorja Koundouraki e universalizon konceptin e saj. U bën homazh gjithë grave të luftës në botë. Shfaqja e bazuar në romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit, shpërfaq pasojat e luftës në këto anë. Pashkë Marku u vetëflijua kur pas katër vjetësh iu kthyen në arkivole dy bijtë e zhdukur, Ferdonije Qerkezi varrosi dy djem të vrarë dhe ende pret, 26 vjet pas, dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortin. “Gratë…” do ta ketë premierën në teatrin “Eler” në Athinë më 6 qershor

Me një shfaqje, teatri grek vë në skenë luftën e Kosovës. Gratë e luftës. Dhe kësisoj titullohet shfaqja: Rrëfen jetën e dy grave me të cilat dramaturgia e regjisorja Giota Koundouraki, bazuar në romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit, shpërfaq pasojat e luftës në këto anë. Njëra u vetëflijua kur pas katër vitesh iu kthyen në arkivole dy bijtë e zhdukur, tjetra varrosi dy djem të vrarë dhe ende pret, 26 vjet pas, dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortin. 

“Gratë e luftës” përball të gjallët dhe të vdekurit në shfaqjen si luftë që nuk mbaron. Me tragjedinë e Pashkë Markut dhe Ferdonije Qerkezit, regjisorja Koundouraki e universalizon konceptin e saj. U bën homazh gjithë grave të luftës në botë. 

E prekur thellësisht nga rrëfimi i familjes së Markut dhe Ferdonije Qerkezit, të cilat i ka takuar një ditë para se KOHA të zhvillojë një bisedë me regjisoren, aktoren e dramaturgen greke, ajo këmbëngul se “poenta kryesore është se gratë nuk janë pyetur kurrë për luftën”. Por se pasojat i kanë vuajtur sidoqoftë. Dhe se ato nuk kanë kërkuar luftë. 

“Në libër është rrëfimi për dy nëna. Njëra që ka vrarë veten dhe tjetra që ka mbetur gjallë, nëna Ferdonije që ruan rrëfimin në shtëpinë e saj që është bërë muze me fotografitë e fëmijëve dhe burrit të saj. Por pjesa qendrore është se gratë nuk janë pyetur kurrë për luftën. Askush nuk i ka pyetur. Nëse dikush është çmendur, ndoshta sapo zgjohet në mëngjes dhe thotë ‘po shkoj të bëj luftë sepse ashtu ndjehem’, atëherë dua të zgjedh tjetër shtet”, shprehet Giota Koundouraki. 

Ajo tregon se gjithçka nisi nga një takim me të ngarkuarin me punë në misionin e posaçëm diplomatik në Athinë, Fitim Gllareva, pas një shfaqjeje që e kishte inskenuar vitin e kaluar. 

“Ai më dha një libër dhe ai më tha: të lutem lexojeni atë libër dhe unë do t'ju pyes diçka për të. E lexova librin dhe kuptova... është një libër që të jep shumë informacione për njerëzit, si e kanë përjetuar atë periudhë historike. Jo vetëm roman, por ishte shumë i ndjeshëm. Agu është shkrimtar shumë i ndjeshëm. Ai shkruan për njerëzit, dhe kështu që kur e kam lexuar atë kam thënë: është një libër shumë, shumë i ndjeshëm që mund të të prek në zemër”. 

Një tjetër takim e kishte edhe me shkrimtarin Ag Apolloni, autorin e doku-romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ku bazohet shfaqja “Gratë e luftës”. 

“Ai ma besoi punën që të bëhet një shfaqje teatri e bazuar në librin e tij. Sepse e vërteta varet nga libri i tij”, shprehet Koundouraki, aktore, regjisore dhe dramaturge me përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie e teatër.

Ka diplomuar në Shkollën e Lartë të Dramës së Teatrit Popullor Eksperimental “Eugene Trivizas”. Ka mbajtur shumë seminare mbi Dramën Antike dhe të tilla, siç shprehet, synon të organizojë edhe në Prishtinë. 

Ka qenë drejtoreshë e Teatrit Kombëtar nga viti 1985 e deri në vitin 1993 ndërsa ka punuar me Teatrin Eksperimental Popullor, teatrin “Nouveau de Belgique” në Bruksel dhe me trupa të pavarura teatrore.

Hulumtimi përmes filozofive lindore si dhe teorive moderne perëndimore në lidhje me shprehjen përmes metodave të zhvillimit të energjisë, është thelbi i punës së saj si pedagoge. Ako ka themeluar Grupin Teatror të Komunës së Ilionit në Greqi dhe më pas edhe grupin “Synthesis”.

Ajo mban seminare mbi Teatrin Psikologjik sikurse edhe shumë shfaqje teatrale në kuadër të punës së saj. Si regjisore, ndër të tjera ka realizuar shfaqjet “Surprise party”, “Beckett Construction Site”, “Sky”, “Astral Rumors” e shumë të tjera. 

“Gratë…” do të shfaqet në teatrin “Eler” që mban edhe emrin e aktores greke Eleni Erimou, më 6,7 dhe 8 qershor. 

Përkushtimi për shfaqjen dëshmohet edhe në përzgjedhjen e aktorëve. Gjithsesi shfaqja duhej të jepej në gjuhën shqipe në shfaqjen në Prishtinë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në dhjetor të këtij viti. Koundouraki qe vendosur për të angazhuar kastin me aktorë që flasin edhe greqisht, edhe shqip. Rezultati: në shfaqje luajnë Marcela Lena, Katerina Haska, Orestis Ziogkas dhe Ag Apolloni. E marrëveshja me Teatrin Kombëtar të Kosovës është punë e kryer, siç tregon regjisorja e dramaturgia e shfaqjes. 

“Mund të bëhej edhe me përkthim, por titrat dhe e gjitha është një rrëmujë për njerëzit që duan ta kuptojnë saktësisht shfaqjen, sepse është e ndjeshme. Duhet të marrësh frymë të shohësh skenat.

Kështu që vendosa të gjej në Greqi aktorë që flasin shqip. Ishte diçka që doja ta bëja që në fillim në mënyrë që në Prishtinë shfaqja të flasë shqip. Unë do të jem e vetmja që s’do të flasë shqip, por do të përpiqem të mësoj shqip, sepse mendoj se do të më ndihmojë”, shprehet Giota Koundouraki. 

Shfaqja do të jepet në atë që njihet si “Skena e Erosit” në teatrin “Aler” në Athinë  me kapacitet prej 140 ulësesh. Sipas përshkrimit, teatri synon të bëhet pikë referimi për dramaturgjinë bashkëkohore dhe si hapësirë shumëplanëshe kulture dhe krijimtarie për teatrin grek. Produksioni është i misionit diplomatik të Kosovës në Greqi. 

Teatri bashkëkohor është edhe stili i regjisores dhe e tillë pritet shfaqja që zbërthen tragjedinë e dy grave nga Kosova. Atë të Pashkë Markut, e cila në maj të vitit 2003 do të vetëflijohej. Pas vizitës te varret e djemve të saj do t’i vinte vetes zjarrin, tri ditë pas varrimit të mbetjeve të dy djemve të saj që ishin gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Më 27 prill 1999, forcat serbe i rrëmbyen ata, i vranë dhe i zhdukën. 

Në përkujtim të sakrificës së saj, në vendin ku ishte vetëflijuar, qe vendosur një gur si shenjë e krejt kësaj. Por, në korrik të 2023-s ishte demoluar dhe larguar nga vendi ku pati qëndruar për gati 20 vjet. 

Nëpër rreshtat e shfaqjes e në lojën e aktorëve, paralel është edhe rrëfimi për tragjedinë e Ferdonije Qerkezit që për më shumë se një çerek shekulli jeton e vetme në mungesë të katër djemve dhe bashkëshortit. 

Me dy djemtë çmallet te varret e tyre prej vitit 2005 kur iu gjetën mbetjet. Por, vazhdon të jetë në pritje të bashkëshortit dhe të dy djemve të tjerë për të cilët nuk ka asnjë lajm prej marsit të 1999-s kur policët serbë i morën me dhunë nga shtëpia në qytetin e Gjakovës. Pret për plot 26 vjet. 

“Gjatë takimit me nënën Ferdonije i dërgova një video të aktores që e luan atë dhe ajo u ndie shumë, shumë e lumtur për këtë. E njëjta ishte edhe me djalin e Pashkës. Mesazhin e kisha edhe për të nga aktorja që do të luajë nënën Pashkë. Ishte moment shumë i ndjeshëm për mua dhe isha shumë e lumtur. Kishte një lidhje midis aktorëve dhe personazheve reale”, thotë Koundouraki. 

Krejt në fillim, e bën të qartë se shfaqja nuk të bën të ndjehesh ashtu siç do të doje

“Ka luftë, hakmarrje e vjetër dhe diçka të tillë. Kërkon paqe dhe aq. Shfaqja do të shfaqet fillimisht në Athinë e pastaj edhe në Prishtinë për të parë sesi lufta na bën të ndjehemi dhe sesi nuk do të donim të kishim më luftë. Do të donim ta ndalnim atë. Gjithkund, nënat e gratë duhet të flasin për këtë”, shprehet ajo. 

Assesi nuk i anashkalohet luftërave që po zhvillohen në Ukrainë e në Palestinë, se edhe vetë është nënë e së shpejti edhe gjyshe dhe asaj se “të gjithë flasin për luftë dhe jo për paqe”. Thotë se beson shumë në gratë. 

“Kam shumë besim te gratë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua sepse gratë janë aty, janë qëllimi i jetës dhe, a doni të shkruani diçka shumë qartë për këtë shfaqje? Është për të treguar edhe një herë se ne duhet t’i japim hapësirë një gruaje të jetë një grua normale, një nënë normale dhe të jemi të ndjeshëm për të gjithë botën, të jetojmë në paqe”, shprehet regjisorja Giota Koundouraki. 

“Kur ka kaq shumë njerëz të egër përreth, si mund të jesh nënë?”, pyet ajo para se të marr për shembull dy nënat që, njëra mbytet përditë në dëshpërimin e pritjes për të bijtë e tjetra nuk i ka bërë dot ballë dhimbjes. 

“Ke frikë të jesh nënë, kjo është e vërteta. Ne flasim për paqe, por është Pashka, emri i nënës që u vetëflijua dhe tjetra është Ferdonija. Janë dy gra që në shfaqjen time thonë që askush nuk e ka kërkuar atë luftë. Në anën tjetër ka shumë njerëz të zhdukur që nuk e dini as ku janë trupat e tyre”, vazhdon ajo. 

Shfaqjen “Gratë e luftës” e konsideron si mision. 

“Është një teatër që, natyrisht, unë kam shkruar një pjesë të shfaqjes sepse e kam marrë librin të cilin e përkthej në shprehje dramatike. E përdor të gjithë artin për ta bërë atë shfaqje. Qëllimi është që kurrë më të mos ketë luftë, le të punojmë për paqe dhe ju lutem, dëgjoni gratë!”, thotë ajo derisa historisë së shfaqjes i referohet si e përgjakshme. 

“Është një histori e përgjakshme, është një histori e vërtetë dhe është shumë e vështirë të përpunohen krejt këto ngjarje. Kemi të bëjmë me njerëz që janë si kafshë dhe ne mund të jemi kafshë në luftë, kafshë me plot kuptimin e fjalës. Në libër kam parë sesi kafshët kthehen pastaj sërish njerëz”, shprehet regjisorja e dramaturgia e shfaqjes. 

Në shfaqje ajo trajton edhe dashurinë, atë të Ferdonije Qerkezit me bashkëshortin e saj. 
E teatri është jetë për të. Me të vë në skenë të vërtetën. Edhe të vërtetën e përgjakshme të historisë së Kosovës. Për gratë që askush nuk i pyeti për luftën e që si rezultat ujitën varret me lotët e tyre.