“Kufijtë e lirisë” është tema e edicionit të shtatë të festivalit të romanit grafik “Gran Fest”, por që në hapje, të premten pasdite, i janë testuar kufijtë e lirisë dhe ky testim s’ka të bëjë me art. Njëri prej mysafirëve kryesorë të këtij edicionit, iraniani Kianoush Ramezani s’ka mundur ta kalojë kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. “Gjatë ditës kemi luftuar për ta zgjidhur situatën, por është dashur të kthehet në Helsinki. Pra, ende kemi problem me kufijtë”, ka thënë bashkëthemeluesi dhe drejtori artistik i “Gran Festit”, Gani Jakupi
Festivali i romanit grafik “Gran Fest” sivjet ka në fokus kufijtë e lirisë. Tema bosht e edicionit titullohet pikërisht “Kufijtë e lirisë”. Por këta kufij ka nisur t’i testojë qysh pak orë para nisjes së edicionit të shtatë të ngjarjes. Janë kufijtë ata që kanë penguar ardhjen e një artisti në festival.
Karikaturisti dhe autori i romaneve grafike, iraniani Kianoush Ramezani, numëron mbi një dekadë që ka marrë azil politik në Francë. Ka ikur më 2009 nga Irani dhe më 2010 i është miratuar azili politik. Për këtë edhe posedon një leje qëndrimi rezidente. Jeton midis Francës dhe Finlandës. Veprat e tij përqendrohen në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, si nëpërmjet artit, ashtu edhe nëpërmjet angazhimit publik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Duhet pasaportë e vendit të origjinës suaj”, ka rrëfyer t’i jenë drejtuar policët kufitarë në aeroportin e Shkupit “Nënë Tereza”. Pas disa orësh insistimi, s’i ka bërë punë lejeqëndrimi i Francës për ta vazhduar rrugëtimin drejt Kosovës. Dhe “Gran Fest” ka nisur edicionin e shtatë me një mysafir më pak – një prej më të rëndësishmëve.
“Arti është aktivizmi im dhe aktivizmi im është jeta ime”, citohet shpesh Kianoush Ramezani, i cili testoi temën e festivalit ku ia kishte mësyrë.
“Një mysafir i yni s’ka mundur ta kalojë Shkupin. Është iranian dhe është refugjat. Ka pasaportën e refugjatit, por policia në Shkup i ka thënë se leja për qëndrim rezident në Francë s’është valide, por duhet të ketë edhe pasaportën e vendit të tij të origjinës. Gjatë ditës kemi luftuar për ta zgjidhur situatën, por është dashur të kthehet në Helsinki. Pra ende kemi problem me kufijtë”, ka thënë bashkëthemeluesi dhe drejtori artistik i “Gran Fest”, Gani Jakupi, në fjalën e tij në hapje të festivalit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Ai ka përmendur sfidat në organizim, duke thënë se gjithnjë kanë pasur nga një problem dhe gjithnjë nuk e kanë ditur nëse do të ketë edicion të ardhshëm.
“Por edhe këtë e nisëm. Ne po vazhdojmë të punojmë dhe synimi ynë është të vazhdojmë”, ka thënë ai. Ka përmendur se vjet kanë arritur që të dërgojnë në Francë një autore të re premtuese për të shkëmbyer përvoja dhe planifikohet edhe t’i botohet një vepër. Ka dhënë edhe lajmin e themelimit të një fondacioni që synon të realizojë një muze të romanit grafik dhe ilustrimeve në Prishtinë. Për këtë ka falënderuar skulptorin dhe ish-drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skënder Boshtrakaj.

Të pranishmëve të mbledhur në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ensara Haliti, drejtoreshë menaxhuese e festivalit, u është drejtuar duke thënë se ky edicion ka të mirat dhe sfidat dhe se janë të lumtur që po e hapin.
“Edhe këtë vit po e sjellim frymën e romanit grafik. Shumë nga ju e keni parë që tema e edicionit është ‘Kufijtë e lirisë’ dhe ne po e jetojmë titullin e edicionit”, ka thënë ajo, duke aluduar në pamundësinë e ardhjes në Kosovë të artistit iranian. Ka sqaruar se vjet kanë organizuar një rezidencë, ndërsa për sivjet po presin fondet.
Lista e mysafirëve të këtij edicioni është e gjatë dhe përbëhet nga emra të njohur. Pas fjalëve hapëse, të pranishmit janë zhvendosur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në Galerinë e qytetit, ku është hapur ekspozita e mysafirëve. Sivjet në listën e “Gran Fest” janë Régis Loisel, Dominique Bertail, Kianoush Ramezani, Pierre Wazem, Sandro Lobo, Måwi, Gleb Pushev, Denis Lapiere, Kim, Cécile Dupuis, Dan Altmann, Lucien Czuga, Tone Fejzula, Dora Kastrun, Renier Quer, Darko Perović, Laurent Mélikian, Francesca Marinelli, Maša Bojić, Liza Dervishaj, Denza Gafurr, Rina Krasniqi, Adrian Jakupi dhe Bujar Kabashi.
Ekspozita e hapur paraqet ilustrime dhe pikëpamje të ndryshme të artistëve. Janë ballina romanesh, vepra të reja dhe qasje të ndryshme artistike. Gjatë tri ditëve të festivalit do të ketë aktivitete të shumta. Veprat “Peter Pan” nga Régis Loisel, “Llavstori” nga Alcimar Frazão dhe Lobo, si dhe “Pilulat e Kaltra” nga Frederik Peeters do t’i dhurohen publikut falas.
Në fokus të festivalit mbetet romani grafik si formë arti që ndërthur tekstin dhe ilustrimin për të trajtuar tema artistike, shoqërore dhe politike. Edhe sivjet programi i “Gran Fest” përmban ekspozita të romaneve grafike dhe ilustrimeve, punëtori dhe aktivitete edukative për të rinjtë, diskutime dhe prezantime me autorë, si dhe ngjarje që promovojnë lirinë e shprehjes dhe artin e romanit grafik.
Mysafir i këtij festivali në edicionin e parë qe një prej autorëve më me nam të romanit grafik në Evropë, Hermann Huppen, i cili vdiq në marsin e sivjetmë. I cilësuar shpesh si legjenda e romanit grafik, belgu Hermann Huppen gjatë karrierës së tij u bë autor i disa romaneve grafike dhe shumë ilustrimeve në revista të ndryshme. Imagjinata e tij zuri vend gjithandej globit, në vendet ku çmohet romani grafik. Paraqiti realitete dhe protestoi. U bë një me viktimat në Ballkanin e viteve ’90 dhe e vuri artin në shërbim të humanizmit.
E tash, Kosova si vend ballkanik synon që të jetë pikë reference edhe për romanin grafik – edhe për humanizmin që s’duhet lënë anash asnjëherë.