Entuziazmi do të bënte që “djemtë e lagjes” të bëhen bashkë para 39 vjetësh. Por shpejt këngët e tyre do të bashkonin shumë të rinj jo vetëm të Prishtinës, por gjithandej Kosovës. “Copat” e gjurmëve të tyre nuk është fare e vështirë të mblidhen as pas gati katër dekadash.
Salla “1 Tetori” në kryeqytet e ka vërtetuar këtë. Goxha kohë pa nisur koncerti njerëzit ia kishin mësyrë vendit. Gjenerata më të përziera në publik, zor se mund të ketë pasur ndonjë koncert i mëhershëm, shkruan sot Koha Ditore.
Të rinjtë e viteve ‘80 janë bashkuar me gjeneratat që mund të jenë fëmijët e tyre. Të parët për nostalgjinë e “Gjurmëve” e të dytët shkaku i këngëve të bendit që janë dëgjuar vazhdimisht të përpunuara nga këngëtarët e rinj.
Por bashkimi i njerëzve nuk është bërë vetëm brenda sallës. Ka pasur edhe aso lidhjesh direkte nëpërmjet telefonit, ku miqtë e të pranishmëve që jetojnë në shtetet e tjera donin ta kenë një ndjesi të atmosferës.
E kur vokalisti Migjen Kelmendi është ngjitur në skenë për të treguar se për pak do të fillojë koncerti, ovacionet ishin tregues se atmosfera do të jetë e një niveli të lartë. Edhe përkundër kushteve të sallës e ajrit ngufatës.
Të ndarë në dy pjesë – ata që kanë qenë në këmbë dhe të ulur – publiku shpesh është bashkuar për të vallëzuar në këmbë. “Garda” e vjetër e “Gjurmëve” është pritur në nivel heronjsh. Por për të sjellë këngët, barrën kryesore e kanë pasur miqtë e tyre.
Formacioni i parë i “Gjurmëve” në vitin 1980 përbëhej nga Migjen Kelmendi, vokal, Tomorr Kurshumliu, vokal e bass-kitarë, Petrit Riza, në bateri, dhe Gazmend Hasbahti në kitarë, i cili në vitin 1982 do të zëvendësohej nga Bekim Dyla. Në vitin 1984 bendit iu bashkua edhe Armando Gjini. Për realizimin e këngëve të tyre bashkëpunuan me instrumentistë të tjerë, si: Urim Koshi, Shkëlzen Badivuku, Ngadhnjim Domi, Arianit Koci e Besim Ilazi. Në vitin 1986 vendosin të mos bëjnë më muzikë, për t’u bashkuar edhe një herë pas një viti dhe për të krijuar hitin “Heroi i qytetit pa lumë”. Kelmendi ka prezantuar disa prej anëtarëve të vjetër të bendit dhe të rinjve që u janë bashkuar në instrumente. Kori i shkollës së muzikës “Prenk Javova” e një grup polifonik nga jugu po ashtu kanë qenë pjesë e formacionit.
Para mikrofonit, Kelmendi ka thënë se kënga që do të këndojë i kushtohet pikërisht këtij mjeti. “Mikrofoni po i bie gjithkujt në dorë”, ka ironizuar ai para se të nisë të këndojë “Mikrofoni” me Bojken Lakon. Këngët e “Gjurmëve” janë risjellë për publikun që ka mbushur sallën bashkë me këngëtarë që janë më të rinj, si: Dukagjin Lipa, Elina Duni, Alban Nimani, Marsela Çibukaj, Genc Salihu, Shpat Deda, Dren Abazi, Edona Vatoci, Xuxi, Tomor Kuçi, Vjoleta Zefi e Nezafete Shala. Sa herë përmendet Prishtina si qytet pa lumë, adhuruesve të muzikës së “Gjurmëve” u shkon mendja te ky bend.
E kënga “Heroi i qytetit pa lum” është një prej atyre që identifikon bendin e kur këndohet atmosfera nuk ka limit. I madh e i vogël në këmbë në formë kori kanë shoqëruar Dukagjin Lipën e Migjen Kelmendin me këtë këngë. Sidomos refreni ka bërë që krejt salla të bashkohet në një zë. Për “Erën” është ftuar në skenë Elina Duni. Edhe këtë këngë sa i përket interpretimit të pranishmit “e kanë transformuar” duke kënduar bashkë me Dunin.... (Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")