Romani i Mirash Martinoviqit për mbretëreshën Teuta është konkretizim artistik i parimit aristotelian për raportin ndërmjet historisë dhe letërsisë. Në kapitullin IX të veprës së tij të famshme, “Poetika“, filozofi i madh antik thoshte se historia tregon ç'ndodh, kurse letërsia - si mund të ndodhë.
Burimet historike tregojnë se Teuta jetoi në shekullin III para erës sonë; se sundoi pas vdekjes së të shoqit, Agronit; se ra në konflikt me Romën dhe se e humbi luftën... Por këtu merr fund pothuajse gjithçka. Nuk ka të dhëna se ç'ndodhi me Teutën pasi romakët pushtuan Ilirinë dhe kryeqytetin e saj, Rizonin: u vra, u vetëvra; u mbyt në det apo u arratis? (Shkaku i vdekjes së Teutës dhe, madje, as viti i vdekjes nuk janë konfirmuar, kurse varri i saj nuk është zbuluar kurrë, por shumica e autorëve mbështesin tezën e mbytjes në det).
Autori i romanit në fjalë ka zgjedhur rrugën që i është dukur më e drejtë dhe më e frytshme: atë të arratisjes së Teutës, e cila, sipas tij, e veshur si fshatare, bredh nëpër Iliri. Rrjedhimisht, strategjia që ka ndjekur ai, mund të quhet veprim atipik: Teuta e tij jeton më shumë pas “vdekjes“ sesa për të gjallë të saj.
Teuta, jo vetëm mbretëreshë
Ndryshe vepron, fjala vjen, shkrimtarja shqiptare Mira Meksi, e cila, në romanin e saj “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë“ (2014), e pushon rrëfimin aty ku gjenerali i famshëm Dhimitër Fari (alias Demetrio Faros, si e quan ajo), ua dorëzon Korkyrën romakëve, duke tradhtuar kështu Teutën dhe Ilirinë. Martinoviqi vepron ndryshe: e ndjek hap pas hapi shtegtimin (imagjinar) të Teutës nëpër Iliri.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")