Kulturë

“Gjenocidi…” për dokumentimin e historisë e rolin e “Rilindjes”

Të hënën janë bërë 79 vjet nga botimi i numrit të parë të gazetës “Rilindja”. Një pjesë e artikujve të saj, ata të Hamdi Podvoricës, janë përmbledhur në librin “Gjenocidi i Serbisë dhe përpjekjet për mëvetësi të Kosovës (1990-1999) – në sytë e gazetarit të ‘Rilindjes’”, botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Libri është konsideruar me rëndësi të veçantë për dokumentimin e ngjarjeve historike të Kosovës

Më 12 shkurt të vitit 1945 do të botohej numri i parë i gazetës së vetme në gjuhën shqipe në atë kohë, “Rilindja”. Me krejt paqartësitë e asaj periudhe, kur banorët e Kosovës përballeshin me presion të madh nga strukturat serbe në pushtet, fillimi i vitit 1945 po sillte shpresë. Në kohën kur analfabetizmi ishte dominues, gazeta do të bëhej një lloj abetareje. Në aspektin e informimit ishte mekanizëm më i fuqishëm. Ndër vite si organ i pushtetit, “Rilindja” do të avanconte varësisht nga rrethanat për t’u bërë një nga institucionet më të çmueshme në vend.

Një pjesë krijuese gazetareske në atë, që u bë nismëtare e shtypit shqip në Kosovë, është përmbledhur në librin “Gjenocidi i Serbisë dhe përpjekjet për mëvetësi të Kosovës (1990-1999) – në sytë e gazetarit të ‘Rilindjes’”. Janë tekstet autoriale të Hamdi Podvoricës. Bëhet fjalë për 10-vjetëshin kur “Rilindja” po operonte e organizuar nga punonjësit pasi pushteti i dhunshëm midis të tjerash ua kishte vënë drynin edhe mjeteve të informimit.

Gjenocid, shkelje e të drejtave të njeriut, krime, përpjekje për çlirim nga okupatori serb janë temat që i trajtonte. Botimi i librit vjen edhe si reprezentim i punës madhore të gazetës “Rilindja” e sakrificës së punonjësve të saj.

Autori i librit, Hamdi Podvorica, ka thënë se materialet në libër përfshijnë tekstet e publikuara nga viti 1972 e deri në mbylljen e saj, më 21 shkurt 2002. Ka thënë se shkrimet e tij janë përpjekje që të dokumentojë krimet që kryente Serbia në Kosovë.

“Ka kryer krime, një gjenocid klasik. Mënyra e kryerjes së këtyre krimeve është shumë e vrazhdë, shumë më mizore sesa që janë kryer krimet në Bosnjë ndaj popullatës myslimane. Këtë e pohon edhe një artiste norvegjeze me të cilën kam pasur rast të bëja dy intervista me të”, ka thënë autori i librit, Hamdi Podvorica.

Ka trajtuar edhe gjenocidin kulturor, si grabitjen e artefakteve nga muzetë, si dhe gjenocidin ekonomik.

“Serbia ka kryer edhe gjenocid ekonomik në Kosovë. Me marrjen e masave të përkohshme në Kosovë, prodhimtaria industriale ra 50 për qind në vitin 1990 në krahasim me një vit më parë. U larguan nga puna, nga 1990 deri në përfundim të luftës, 150 mijë punëtorë. Sipas Konventës Ndërkombëtare, në qoftë se vetëm një komuniteti i krijohen kushte të vështira për jetesë me qëllim të zhdukjes së tij, kemi të bëjmë me krim gjenocidal”, ka thënë Podvorica duke përmendur edhe keqtrajtimin e gazetarëve që arrinte deri në vrasjen e tyre.

Hamdi Podvorica ka qenë profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ligjëruar lëndët e të drejtës civile, si e drejta familjare dhe trashëgimore, autor i shumë teksteve universitare, gazetar dhe publicist shumëvjeçar i gazetës ‘Rilindja’, gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme të Kosovës dhe ka ushtruar funksione të tjera profesionale.

Recensenti i këtij libri, akademiku Arsim Bajrami, ka thënë se botimi është i rëndësishëm sa i përket dokumentimit të ngjarjeve, i rëndësisë pedagogjike e edukative sa i përket brezit të pasluftës si dhe bazë që studiuesit të merren me temën e gjenocidit të kryer në Kosovë në fundvitet e shekullit të kaluar.

“Autori në mënyrë të veçantë merret me paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ngjarje historike, kthesë, momentum që ndërroi tërësisht historinë e shtetndërtimit. Nëse deri më 1995 trajtonim çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut si çështje humanitare, atëherë me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës trajtoheshim si çështje e pazgjidhur territoriale, si çështje e statusit. Autori merr paraqitjen e UÇK-së si moment kthese ku edhe bashkësia ndërkombëtare tërësisht kthen vëmendjen te Kosova dhe ajo bëhet prioritet kryesor”, ka thënë akademiku e profesori universitar Arsim Bajrami.

Ka thënë se autori e studion në mënyrë profesionale rezistencën aktive, jo të dhunshme, të shqiptarëve. Sipas tij, mjaft mirë e përpunon edhe pjesën e përpjekjeve për mbijetesë.

“Pjesa e parë e librit u kushtohet përpjekjeve të popullit të Kosovës për pavarësi, ku përfshihet periudha 1990-1995, periudhë do të thosha e një homogjeniteti kombëtar që shqiptarët nuk e kanë pasur, që lidhet me lindjen e Republikës së Kosovës, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit, Referendumi i vitit 1991, plotësimi a amendamentimi i Kushtetutës, që asokohe kisha nderin të isha unë”, ka thënë Bajrami.

Profesori Afet Mamuti nga Universiteti i Tetovës e ka lexuar recensionin e akademikut Ksenofon Krisati për librin e Podvoricës. Në recensionin e tij thuhet se gjenocidi ka qenë i ideuar, i planifikuar dhe i kryer nga regjimi serb në mënyrë monstruoze.

“Vetë emërtimi i librit tregon objektin e hulumtimit të autorit, si një kronist i kohës, njeri i pendës, që me shkrimet e tij të kohës ka pasqyruar terrorin dhe dhunën sistematike në shkallë gjenocidi të Serbisë në Kosovë dhe mbijetesën e luftën e popullit shqiptar në Kosovë për mëvetësi, liri dhe pavarësi të Kosovës”, ka cituar Mamuti nga recensioni i akademik Kristatit, i cili nuk ka qenë i pranishëm në ngjarjen ku është promovuar libri.

Me rastin e 79-vjetorit të botimit të numrit të parë të gazetës “Rilindja”, gazetari Zeqir Bekolli ka thënë se punëtorëve të saj u janë bërë shumë padrejtësi dhe u janë shkelur rëndë të drejtat e tyre për punë e jetë. Ka kujtuar edhe gazetarët e vrarë nga policia sekrete serbe.

“Këto padrejtësi u bënë ndaj ‘Rilindjes’ edhe pse gazetarët dhe punonjësit e saj mbajtën mbi supe barrën e informimit në një periudhë të rëndë për kombin, kur shumë gazetarë u burgosën, u rrahën, u morën në biseda informative. Në këtë fazë të ekzistimit të gazetës nga policia sekrete serbe janë vrarë gazetarët Jusuf Gërvalla, Afrim Maliqi e Teki Rexhepi. Ndërsa pas luftës nga dora kriminale u vranë gazetarët Xhemail Mustafa dhe Shefki Popova”, ka thënë Bekolli.

Paraditen e së hënës, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, është promovuar edhe libri tjetër i juristit Hamdi Podvorica - “Komentari i ligjit të trashëgimisë”. Është vlerësuar si mjet për lehtësimin e punës së interpretimit të normave juridike të ligjit të trashëgimisë në Kosovë.

“Mosshqyrtimi i trashëgimisë përbën pengesë edhe në qarkullimin juridik të pronës. Është bërë pengesë për një zhvillim të sigurimit juridik më përfillës. Ideja për ta shkruar ‘Komentarin...’ ka qenë të lehtësohet puna rreth interpretimit të normave juridike të Ligjit të trashëgimisë së Kosovës dhe të rritet ndërgjegjësimi i trashëgimtarëve që të shqyrtojnë trashëgiminë”, ka thënë bashkautori i librit, Podvorica, të cilin e ka punuar bashkë me avokatin Flamur Podvorica.