Me sloganin “Për kokërr t’qejfit”, festivali “Hardh Fest” për tri ditë ka mbajtur edicionin e dhjetë në Rahovec, por me traditë 23-vjeçare. Mbrëmjet muzikore janë njëri segment i Festivalit, dhe në skenë të shtunën mbrëma bendi i njohur botëror “Gipsy Kings” ka sjellë hitet ikonike. Emërues i përbashkët midis grupit e ngjarjes është tradita, dhe spektakli në skenë ka qenë një lloj sinkronizimi midis muzikës që bartet ndër breza dhe traditës së kultivimit e përpunimit të rrushit. Anëtarët e bendit në skenën e ngjarjes, e cila frymon mbi një trashëgimi të kahershme, janë dëshmuar si mbretër të muzikës së tyre
Nëse “Hardh Festi” do t’ia mësynte të përpilonte një listë emrash a grupesh muzikore që sinkronizohen me frymën e tij, “Gipsy Kings” do të ishte diku në krye të saj. Tradita është ajo që i përbashkon. I pari, ruan e promovon atë të kultivimit e përpunimit të rrushit, bartjes së saj te gjenerata e re, e grupi ikonik ka kohë që e ka shndërruar në mision e në praktikë trashëgiminë e muzikës te pasardhësit dhe atë brenda familjes. Pjesa tjetër është histori. E koncerti spektakël. Sinkronizimi i radhës edhe ai me sloganin e sivjetmë, “Për kokërr t’qefit”.
Grupi me histori 45-vjeçare, ndër vite ka ndryshuar formacionet, emri ka mbetur po ai, por ka diçka përtej kësaj. Ruan frymën, tingëllon njësoj si atëherë kur ishte në kulm e kur emri i tij ishte shkruar me të arta.
Me shkronja të arta ka qenë i shkruar edhe në panon e skenës së “Hardh Festit”, e cila ka marrë flakë e tym sapo “armata” e grupit ka dalë në skenë, të shtunën mbrëma, në natën e dytë të edicionin jubilar, formalisht të dhjetit, por që një dekadë më parë vazhdoi e formatoi atë që ishte nisur para 13 vjetësh.
Fillimisht është mjegulluar me efektet e tymit, pastaj “ka marrë flakë”. E flaktë ishte performanca e “Gipsy...”. Menjëherë e dallueshme po se po, edhe për ata që kanë krejt njohje sipërfaqësore të muzikës. Muzika e një formacioni si ky, i themeluar zyrtarisht më 1979 në Francë, është një lloj “kolone zanore” e zhanrit të tij, zyrtarisht një përzierje e flamengos tradicionale, rumba, salsa e pop. Ose në fakt do të mund të mbiemërohej si zhanri “Gipsy Kings”, sepse tashmë ata janë mbretërit e asaj që kanë krijuar dikur dhe e kanë trashëguar te të tjerët. Ata që sot synojnë të ruajnë titullin e “mbretërve” janë bijtë a nipat e atyre që e themeluan.
Gjashtë kitaristë, një bas-kitarist, bateristi, perkusionisti dhe pianisti kanë qenë formacioni me të cilin grupi ka ndezur publikun me hitet ikonike.
Diego Baliardo: “Po i lidhim njerëzit me muzikën tonë”
E furishme ka qenë dalja në skenë, sinkronizimi i instrumentistëve është dëshmi se muzika u rrjedh në damarë. Mjafton vetëm një “strumming” siç quhet teknika e stilit flamengo, që publiku ta marrë vesh se skena është për “Gipsy Kings”. “A nuestra manera” – siç shkruhet në pano tok me emrin e grupit dhe atë të Diego Baliardos si lider – është titulli i turneut të grupit. Në përkthim të thjeshtë i bie “Në mënyrën tonë”. E “mënyra e tyre” është konstanta.
“Los Reyes” ka qenë emri me të cilin anëtarët e dikurshëm u bënë tok në vitet ‘70, ky i tanishmi daton prej vitit 1987 nën udhëheqjen e anëtarëve të familjes Baliardo dhe Reyes. Asokohe realizoi dy albume: “Allegria” më 1982 dhe “Luna de Fuego” një vit më pas. Por kulmin e suksesit e arriti me të tretin që u emërtua sipas emrit të grupit i publikuar më 1987. Aty përfshihen këngët “Djobi Djoba”, “Bamboléo” e “Un Amor”.
Dy të parat kanë jehuar në “Hardh Fest”. Kanë sjellë edhe versionin e tyre të këngës “Volare” të italianit Domenico Modugno. “Allegria” e “Baila me” kanë sjellë ritmet “dance” dhe e kanë bërë publikun të këndojë njëzëri me të.
Lider i bendit tash është kitaristi Diego Baliardo. Pas koncertit ai ka thënë se është koha që të rinjtë ta marrin në dorë grupin dhe të trashëgojnë shpirtin muzikor të paraardhësve të tyre.
“Është gjithmonë sistem familjar, ka bij dhe nipa të themeluesve të bendit. Pastaj çdo koncert për ne është subjekt i zemrës tonë. Po udhëtojmë rreth botës dhe po i lidhim njerëzit me muzikën tonë. Është gjithmonë kënaqësi të gjejmë vende të reja të cilat as nuk kanë qenë shtete në kohën kur ‘Gipsy Kings’ bënte hite, siç është Kosova”, ka thënë Baliardo, 73-vjeçar, i cili ishte rritur duke luajtur në kitarë me vëllezërit e tij me të cilët ka themeluar grupin “Gipsy Kings”.
Baliardo për KOHËN ka thënë se ka qenë kënaqësi të shohin sesi ata vallëzojnë me këngët e tyre të cilat datojnë para se ata të ekzistonin. E thjeshtë është, sipas tij, formula që këngët t’i qëndrojnë kohës.
“Parimi është i thjeshtë. Gjithçka ka të bëjë me zemrën, nëse e bëni atë që e doni nuk mendoni se si do ta bëni. Nuk ka të bëjë me trurin, por me zemrën, nëse në të, sikurse pompon gjaku ashtu edhe muzika, atëherë ajo do të mbijetojë për shumë gjatë”, ka thënë ai më tej.
Imazhi i festivalit në promovim të turizmit
Imazhi i festivalit autentik që lidhet me kulturën e qytetit për kultivimin dhe përpunimin e rrushit është gati i njëjti në çdo edicion. Edhe njëra prej tri mbrëmjeve, të cilat janë të rezervuara për argëtim me muzikë është fotografia e njëjtë. I gjatë është vargu i veturave që është një lloj udhëzuesi deri në vendndodhjen e ngjarjes.
Veturat e parkuara në dy anët e rrugës, me kilometra larg vendit ku mbahet Festivali dhe njerëz që bëjnë rrugën në këmbë, janë dëshmi e interesimit dhe pjesëmarrjes të shumtë në numër në ngjarje. Por krejt peizazhi zbulohet me të mbërritur aty dhe turma prej qindra njerëzish është dëshmi për dashamirët e Festivalit.
Skena me drita shumëngjyrëshe dhe logoja e Festivalit në krye, është e para që bie në sy. Anash saj janë renditur shtandet e “Panairit të Verës” ku prodhuesit e verës i shërbejnë të pranishmit e demonstrojnë përpunimin e saj. Sa shkon e mbushet edhe më shumë gjithë fusha ku Festivali ka zënë vend.
Spektaklit të “Gipsy Kings” i ka paraprirë DJ Enndzi, i cili ka miksuar hite vendore e botërore.
Më pas në skenë është ngjitur këngëtari Shkumbin Ismaili. Ka kënduar këngët e tij të njohura “Se ç’mu desh”, “Mos më akuzo”, “Dikur”, “Vetëm ti”, “Nuk ta fal”, “Kjo zemër nuk është gur”, “Me ty dua të jem” e “A më ke thënë ti vetë”. Me interpretimin e “Shqipëri, nëna ime” publiku ka kënduar njëzëri dhe me të e ka përmbyllur performancën e tij.
Për këngëtarin e tekstshkruesin Ismaili ka qenë hera e parë që ka interpretuar në skenën e “Hardh Fest”. Ai ka thënë se ka qenë përvojë e veçantë dhe se publiku ka qenë i dashur.
“Ishte kënaqësi shumë e madhe. Në këtë festival kaq bukur të organizuar, ishte kënaqësi e imja të performoja dhe publiku ishte i jashtëzakonshëm. Si çdoherë kur jam në Kosovë ndihem shumë mirë edhe sonte po e njëjta ndodhi dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe të vij më shpesh. Për mua kënaqësia më e madhe është kur publiku këndon bashkë me mua dhe unë mundohem ta bëj publikun të ndihet sa më mirë. Ndjenjë e veçantë, besoj se vetëm një artist në skenë mund ta shprehë”, ka thënë ai pas koncertit për KOHËN.
Festivali si tradicionalisht është hapur me prerjen e kalaveshit të rrushit të premten paradite. Aktivitetet kanë përfshirë diskutime, demonstrime të përpunimit të rrushit e ekspozimi i produkteve në Panairin e rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë.
Drejtori i Festivalit, Agron Sokoli, ka thënë se qëllimi kryesor i “Hardh Fest” është promovimi i turizmit.
“Në strategjinë trevjeçare që e kemi gjithmonë ndryshojmë duke promovuar trashëgiminë kulturore dhe tani e kemi kuptuar dhe po punojmë në atë drejtim që turizmi dhe hardhia janë një kombinim fenomenal dhe shpresoj ta arrijë atë pikun e mirë që ta kuptojmë. Kemi arritur të sjellim shumë ndërkombëtarë dhe momentalisht në festival 40 për qind e atyre që vijnë janë ndërkombëtarë”, ka thënë Sokoli.
Ka treguar se janë ekspozuar rreth dyzet biznese në Panairin e Verës.
“Me verari dhe biznese e hoteleri janë diku dyzet. Është një impakt shumë i mirë ekonomik për Rahovecin, sepse është një vend fushor dhe që ringjallet për tri ditë në Rahovec”, ka thënë ai.
Në natën e parë pos artistëve vendorë ka interpretuar edhe ish-lideri i rock-bendit “Guns n’ Roses”, kitaristi, tekstshkruesi e producenti amerikan Ronald Jay Blumenthal, me emrin skenik “Bumblefoot”. Në të njëjtën mbrëmje ka interpretuar edhe greku George Gakis, i cili edhe dy vjet më parë ishte një prej emrave të Festivalit në të njëjtin edicion ku kishte performuar njëri prej emrave më me nam të rokut, Kip Winger. Pos Gakis ka interpretuar edhe grupi “403” dhe Arsi Bako me bend.
Të dielën në ditën e fundit të Festivalit është mbajtur edhe ora poetike “Xhevdet Bajraj” në nderim të poetit që vdiq dy vjet më parë. Në fakt, Bajraj ishte ai që e pagëzoi Festivalin e poezia e tij është një lloj fryme e “Hardh Festit”. Nderimi i Bajrajt tashmë është shndërruar në traditë. Miqtë, kolegët e adhuruesit e tij mblidhen rëndom në oborrin e shtëpisë së tij dhe aty i pret bashkëshortja e poetit të shquar, Vjollca Bajraj, e cila edhe sivjet ka aterruar nga Meksika.
“Hardh Fest” e ka mbyllur edicionin jubile me koncertin me artistë të skenës vendore si Dren Abazi, “NRG Band” dhe Nita Latifi. Sivjet “Hardh Fest” ka mbushur një dekadë prej kur është formatuar si ngjarje, por që ka traditë prej gati çerekshekulli.
Vjet edicioni ishte organizuar më 1, 2 dhe 3 shtator me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’venë”. Sivjet vera e rakia janë shikuar bashkë me muzikën e emrave të shquar. “Gipsy Kings” tashmë është futur edhe në historinë e “Hardh Festit” dhe tradita vazhdon.