Kulturë

Gërvalla – krijuesi i përjetshëm i idilikës dhe urbanes

Për shumëkënd ai ishte një djalosh i pashëm që dinte të rrëmbente zemrat e të tjerëve. Kitara ishte bërë e pandashme në duart e të riut që kthente në lirika frymëzuese motivet më të pastra njerëzore. Me poezinë ku spikaste gjithnjë figura e përnaltësuar e nënës, me shijen e hollë në muzikë dhe gjykimin e mbrehtë e të guximshëm në politikë, Jusuf Gërvalla ishte përtej kohës së tij.

Ishte vetëm 36-vjeçar kur shërbimi i fshehtë jugosllav e atentatoi bashkë me vëllain, Bardhoshin dhe Kadri Zekën në vendin e quajtur Untergruppenbach, jo larg Stuttgartit.

Një zhbirim i jetës së tij krijuese ka dritësuar anë të reja të Gërvallës gjatë mbrëmjes letrare “Ora e shkrimtarit”, që u mbajt pasditen e së hënës në mjediset e “Caffe Galeri KultPlus”.

Në aktivitetin e nisur para më shumë se dy javësh nga PEN Qendra e Kosovës për të përkujtuar emrat e autorëve që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe në Kosovë, diskutuesit kanë qenë në një mendje për një gjë: që Jusuf Gërvalla në shumëçka ngjan me poetin spanjoll, Federico García Lorca.

Shkrimtari Binak Kelmendi, i cili është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës, ka zgjedhur evokimin e momenteve të njohjes me Gërvallën për të hapur siparin e diskutimit të mbrëmjes.

Është rikthyer pas në vitin 1976, kur rrinin bashkë në bufenë e “Rilindjes”: duke pirë cigare bisedat përthelloheshin për artin, letërsinë e politikën. Sidomos për këtë të fundit.

“Habitesha me guximin e tij për hapur çdo temë politike”, ka thënë Kelmendi, i cili ka thënë se asokohe Gërvalla merrej me analizën e programeve televizive në Shtojcën për kulturë të gazetës “Rilindja”.

Në vitin 1979, gazetari riosh do të braktiste vendin e punës dhe Kosovën për t’u vendosur përfundimisht në Gjermaninë perëndimore.

Pak më shumë se një vit do të zgjaste qëndrimi i Gërvallës në shtetin që po përftonte gjithnjë e më shumë të rinj shqiptarë që përndiqeshin nga shteti jugosllav. Në mëngjesin e zymtë të 17 janarit 1982, vrasës të panjohur do të qëllonin me breshri armësh në drejtim të veturës ku ndodhej Jusufi, vëllai i tij më i ri Bardhoshi, si dhe Kadri Zeka.

Për shtypin gjerman që kronikoi ngjarjen dhe kontekstin e atentatit të trefishtë, kjo masakër ishte kulminacioni i luftës së nëntokës mes shërbimit të fshehtë jugosllav dhe kundërshtarëve të shtetit.

Në grahmat e fundit të jetës, i shtrirë në një spital gjerman, Jusufi do të mblidhte forcat për të dhënë me gjysmë zëri se vrasjen në pritë e kishte kryer UDB-ja jugosllave.

“Më pati shokuar kur gazetarët jugosllavë flisnin me ngazëllim të madh për vrasjen e të rinjve shqiptarë, por edhe heshtja e disa gazetarëve tanë”, ka kujtuar shkrimtari Kelmendi.

Ai ka shtuar se do të kalonte edhe një dekadë derisa “veprimtaria e tij do të rikthehej në Kosovë me të gjitha vlerat e saj”, duke aluduar në botimin e veprave të tij nga Sabri Hamiti.

Po të mos kishte ndodhur ngjarja kobzezë, Jusuf Gërvalla sot do të kishte 75 vjet. Prapa vetes do të kishte një prapavijë me libra poetikë e prozë, kënge e krijime gjithëfarësosh.

“Do të shkruheshin nga pena e tij artikuj e tema në të cilat do të kritikonte pa kursyer askënd”, ka thënë poetja dhe profesoresha e letërsisë, Naime Beqiraj.

Në kumtesën e përgatitur me këtë rast, ajo ka thënë se secili ka ndjesinë sikur është takuar me Gërvallën kur lexon poezitë e tij, librat e përzgjedhur për t’u përkthyer, si dhe kompozimet e këngëve.

“Angazhimi atdhetar për të nuk ka qenë ideologji”, ka vlerësuar Beqiraj, ndërkohë që ka folur edhe për vlerat e poezive të tij të përmbledhura në librat “Fluturojnë e bien”, “Kanjushë e verdhë” dhe “Shenjat e shenjta”.

Sipas saj, në këto poezi gjejmë frymëzime ku janë shtresëzuar idilikja dhe urbanja.

“Frymëzimi është akt i domosdoshëm të cilit asnjë krijues nuk i shmanget”, ka cituar Beqiraj një copëz nga një intervistë që poeti kishte dhënë në një revistë të kohës.

Që në rininë e tij të hershme, Gërvalla njohu jo pak edhe Dubrovnikun e jetën e qytetit bregdetar buzë Adriatikut. Atë e kishte marrë daja i tij, i cili qe martuar me një kroate.

Studiuesi i letërsisë, Agron Gashi, e ka krahasuar Gërvallën me Federico García Lorcan, për të cilin kur ishte vrarë nga forcat e Frankos, një shok kishte thënë: “Kjo është vrasje mizore dhe vrasje e atdheut në miniaturë”.

“Vepra letrare e Jusufit merr trajtën e një testamenti që hyn në dialog të përhershëm me të tjerët”, ka thënë Gashi teksa ka lexuar kumtesën e tij “Naltmadhnia e tij Jusuf Gërvalla”. “Çdo fundvjeshtë, vepra e tij nis një kuvendim të ri me ata që e trashëgojnë farën e tij letrare”.

I lindur më 1 tetor 1945 në fshatin Burrëmadh (ish-Dubovik) të Deçanit, Jusuf Gërvalla ishte fëmija i dytë i familjes, ndërkaq vëllezërit e tij ishin Hyseni, Bardhoshi dhe Avdyli.

Pas mbarimit të shkollimit fillor në vendlindje dhe atij të mesëm në Pejë, Jusufi do t’i vijonte studimet në degën e Albanologjisë pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Punoi për pak kohë si pëshpëritës (sufler) në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që asokohe njihej si “Teatri Krahinor”.

Kishte punuar edhe në të përditshmen shqipe në Shkup “Flaka e vëllazërimit” si përkthyes i artikujve nga gjuhët sllave.

Në gjysmën e dytë të vitit 1973, Jusufi do të angazhohej si gazetar i kulturës në “Rilindje”.

Ishte njëri prej themeluesve të grupit “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës”, çka bëri që ai të futej në radarin e përgjimeve nga policia e fshehtë jugosllave.

Me poezitë e tij, ku binin në sy sidomos kushtimet për nënën e tij, Ajshe, Gërvalla shkroi edhe tekstet e disa këngëve të njohura, si “Do të kthehem nënë”, “Njeri ku je”, “Vena e Spanjës”, e të tjera.

38 vjet pas ngjarjes ogurzezë në Untergruppenbach afër Heilbronnit, vrasësit e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës nuk janë vënë para drejtësisë.

“Atentati është kryer nga një grup profesionistësh nga struktura të UDB-së”, kishte thënë vite më parë e bija e tij, Donika Gërvalla.

I përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës, projekti “Ora e Shkrimtarit” do të vazhdojë edhe me përkujtimin e shkrimtarëve të tjerë si: Xhemail Mustafa (5 nëntor), Rifat Kukaj (9 nëntor), Mensur Raifi (12 nëntor), si dhe Mirko Gashi (19 nëntor).

Në këto takime do të flasin letrarë e studiues letërsie, si Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku dhe Binak Kelmendi.