E pashkruar për pjesën më të madhe të historisë, gjuha shqipe ende vazhdon të trazojë me “sfinksin” e saj për shumë nga momentet kryesore gjatë historisë mijëravjeçare. Me stadin e saj të kryehershëm para se në hambarin e vet të pranonte prurjet e para nga greqishtja e latinishtja, “Pre-Proto-Albanian” është veçse një nocion i cili bën sens në truallin e hamendësimeve. Për shqipen, me një staturë të ravijëzueshme, mund të flitet vetëm në mesjetën e hershme, tekqë gjuhëtarët i referohen asaj si “Proto-Albanian”. Ky ishte një stad gjuhësor gjatë të cilit ende nuk ishin hetuar ndarjet brenda truallit të saj që tevona, në një proces të ndërliqshëm historik, përftuan dy hapësira dialektore: gegnishtja në veri të Shkumbinit, dhe toskërishtja në jug. Duke i përmbledhur problemet e trashëguara ndër breza të tërë albanologësh, gjuhëtari dhe indoevropianisti holandez, Michiel de Vaan ka ofruar disa përgjigje të mundshme për shpërbërjen e “shqipes së përbashkët” dhe ravijëzimin e dy dialekteve kryesore
Një reklamë e një ndërmarrje ndërtimore diku në Komunën e Shtërpcës i ka bërë përshtypje holandezit, Michiel de Vaan. Për sytë e vëmendshëm të një albanologu, seç kishte një dallim të vockël. Në njërën shkruante “Cilësi të çdo shtrese”, kurse në tjetrën “Cilësi të gjdo shtrese”. Në llupën e një ustahu të gjuhës, në këto dy parashtrime tekstuale nuk bëhet fjalë vetëm për një palatal në rastin e parë dhe një afrikat në të dytin, por edhe për veçantitë dialektore të të folmeve shqipe në Kosovë.
Kjo shkëputje përvoje personale ka shërbyer për gjuhëtarin dhe indoevropianistin holandez, Michiel de Vaan si hyrje për ligjëratën e tij “Fonetika historike dhe ndarja dialektore mes gegnishtes dhe toskërishtes” të mbajtur paraditen e së mërkurës në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
I përnjohur si një nga indoevropianistët më të spikatur në Evropë, de Vaan prej kohësh është i rrahur edhe me problemet e gjuhës shqipe, fonetikës së saj historike dhe morfologjisë e sintaksës.
Ligjërata e tij është qendërzuar përreth stadeve të kryehershme të shqipes thellë në histori dhe ndarjes dialektore e cila ravijëzoi dy hapësira në truallin e shqipes: gegnishten në veri të Shkumbinit dhe toskërishten në jug të tij.
Sipas profesorit holandez, i cili ligjëron në Universitetin e Bazelit në Zvicër, diskutimet e tilla për shqipen kanë dy “rregulla” të pashkruara.
“Në këtë diskutim ka pyetje të moçme, por nuk mund të ketë përgjigje mrekulli”, ka thënë de Vaan në hapje të ligjëratës së tij në ditën e tetë të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Për lehtësi të shpalimit të problematikës dialektore, gjuhëtari holandez është shërbyer me modelin e paradovitshëm të albanologut nga Vjena, Stefan Schumacher. Kësodore, “Pre-Proto-Albanian” është termi që e këtillon më të hershmen periudhë të shqipes. Ky term brendashkruan kohën kur pararendësja e shqipes ishte ndarë prej gurrës indoevropiane dhe në të ende nuk ishin ndërfutur huazimet nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja.
“Ky stad i gjuhës është para se të hyjnë huazimet e para nga greqishtja”, ka thënë de Vaan, teksa ka shpjeguar se periudha e fundme e këtij stadi është hyrja e huazimeve më të vjetra greke dhe periudha romake.
Vetëm në kapërcyell e sipër të kësaj periudhe, ka vijuar më tej gjuhëtari holandez, mund të flitet për atë që në bashkësinë e studiuesve quhet “Proto-Albanian” (parashqipe).
“Proto-shqipja datohet në fillim të mesjetës, por nuk është e saktë nëse duhet vendosur midis viteve 700-900 apo 500-1000”, ka shtuar ai.
Ndërsa ligjëratën e ka shembullzuar edhe me shpalime në projektor, de Vaan ka thënë se veçantitë kryesore strukturore që e bën toskërishten të dallueshme duhet të kenë zënë vend rreth viteve 1300.
“Të dyja dialektet, deri në vitet 1300, ishin fare të ngjashme, porse ato kanë pasur një zhvillim mbi 500-vjeçar ndaras”, ka shtuar de Vaan.
Një pengesë jo e lehtë sa i përket kronologjizimit të shumë tipareve fonetike, ka vijuar ai, është edhe fakti që ka fare pak tekste të shkruara në dialektin toskë. Ndërsa ka shpalosur në mënyrë sinoptike dallesat thelbësore gjatë ravijëzimit të dy dialekteve brenda truallit të shqipes (rotacizmi, çhundorëzimi, diftongu ‘ua’, etj.), ai ka dhënë edhe skenarin gjeografik të këtyre proceseve.
“Veçantia më e hershme e të dyja dialekteve është rotacizmi”, ka vijuar ndër të tjerash gjuhëtari holandez, ndërsa është shprehur disi skeptik që “shqipja e përbashkët”, paradialektore, të jetë folur plotësisht në krejt hapësirën e saj të mëvonshme historike. Sipas tij, paratoskërishtja duhet të jetë folur në skajin më jugor të shqipes së përbashkët, që në gjeografinë e sotme përkon me viset në Myzeqenë jugore.
“Gjuhësia historike nuk është një shkencë ekzakte që të japë përgjigje me po ose jo”, ka thënë më tej de Vaan, duke lënë të nënkuptohet se në rindërtimin e këtyre periudhave të hershme kërkohet edhe një “lojë hamendësimi” (guessing game).
I lindur më 1973, Michiel Arnoud Cor de Vaan cilësohet si një prej emrave më të shquar holandezë të indoevropianistikës. Ai ka ligjëruar për gjuhësinë indoevropiane, gjuhësinë historike dhe dialektologjinë në Universitetin e Leidenit, teksa karrierën prej profesori e ligjëruesi e ka vazhduar edhe në Zvicër. Në interesimet e tij shkollareske, përveç shqipes, janë edhe limburgishtja, holandishtja, gjermanishtja e indoiranishtja. Me publikime të gjithfarshme e pjesëmarrje në konferenca të ndryshme, de Vaan ka qenë pjesë edhe hartimit të fjalorit etimologjik të latinishtes si dhe një projekti tjetër të Universitetit të Leidenit për fjalorin etimologjik indoevropian.
© KOHA Ditore